Shtie me “Shkorpion” në Lokal

Policia rajonale në Prizren ka njoftuar se rasti ka ndodhur të hënën, rreth orës 17:20, në “Qendrën Zejtare 2” në Suharekë. “Tre të dyshuar, njëri i armatosur me ‘Shkorpion’, kanë hyrë në kafeterinë ‘Galeria’, me ç’rast kanë terrorizuar të pranishmit, duke shkrehur së paku pesë fishekë në drejtim të dy personave që ndodheshin në lokal”, ka njoftuar zëdhënësi i policisë, Hazir Berisha.

Sulmuesit kanë rrezikuar edhe të tjerët, ngase prej aty është shumë afër edhe një shkollë e mesme, ku ka frekuentim të madh të nxënësve. Por, për fat të mirë nuk është lënduar askush, saktëson policia.

Policia e Suharekës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar tre të dyshuar si të implikuar në rast, mirëpo nuk ka mundur t’i intervistojë, sepse shihej qartë se ata ishin nën ndikim të alkoolit.

Policia, tanimë po e kërkon të dyshuarin e katërt, i cili ka ikur në drejtim të panjohur me armën e përmendur. Nuk dihet motivi i ngatërresës.