Shok-terapia Kulturore

Nëse ju kujtohet, të dashurit e mi, në kolumnën e parë që e pata shkruar diku në muajin shtator ju pata treguar me mallëngjim se si në Graçanicë ka mungesë të jetës kulturore. Nga ajo kohë, në Graçanicë është ndryshuar shumëçka dhe tani institucione të caktuara qeveritare dhe joqeveritare janë duke u shtyrë se cila çka do të organizojë. 

Qysh para dy muajsh në Graçanicë është hapur Qendra Kulturore Alternative, pasi që qendra kulturore ekzistuese, e cila në gjuhën popullore njihet si “Shtëpia e Kulturës”, si duket nuk i ka shërbyer si duhet qëllimit të vet. 

Në hapësirat e Qendrës Kulturore Alternative ka punuar edhe Qendra Studentore, e cila nga viti i ardhshëm do të punojë nën emrin Qendra Rinore Y.E.S. Të gjitha këto projekte po përkrahen zemërgjerësisht nga disa institucione dhe ambasada të huaja. Gëzim! Hare! Frikë se do të na jepet mbidozë e kulturës! .

Shumica e këtyre projekteve janë organizuar dhe përkrahur nga Qendra për Paqe dhe Tolerancë dhe nga një grup njerëzish tejet të dedikuar, të rinj dhe ambiciozë nga kjo organizatë joqeveritare, e cila më shumë se kushdo deri tani po mundohet që t’u ofrojë të rinjve të enklavave një jetë kulturore më cilësore, një standard më të lartë jetësor dhe mundësi më të gjera. 

Si të nxiten të rinjtë nga një mjedis rural, i cili edhe ashtu për 12 vite ka qenë i mbyllur dhe pjesërisht i izoluar nga pjesa tjetër e botës, që të interesohen për përmbajtje kulturore dhe arsimore? Si duket, ata ia kanë kuptuar rrugën e suksesit… Të rinjtë nga Graçanica dhe rrethina si duket mezi kanë pritur që të grumbullohen dhe shoqërohen gjatë këtyre mbrëmjeve kulturore…

Të rinjtë që kanë iniciuar hapjen e Qendrës Alternative Kulturore kanë kryer një punë vërtet fenomenale, ngase në këtë qendër janë mbajtur mes tjerash disa ekspozita nga artistë të rinj nga enklavat, ekspozita grafikash, etj. Ekspozita e punimeve të artisteve nga Fakulteti i Arteve në Zveçan ka pasur për synim ngritjen e nivelit të vetëdijes sa i përket pozitës së gruas dhe barazisë gjinore në shoqërinë tonë. Në mbrëmjen në fjalë, puna tyre u vu në spikamë dhe këto vajza dëshmuan se janë vërtetë të talentuara. Të gjithë vizitorët iu kënaqën një shoqërimi të pazakontë, në një hapësirë të dekoruar dhe një atmosfere të ngrohtë dhe të këndshme. Ia qëlluat! Unë sigurisht se kam qenë pjesë e të gjitha ngjarjeve të lartpërmendura. I jam kënaqur çdo momenti të kaluar në to, madje edhe momenteve kur mezi sa kaloja mes të rinjve të shumtë që kishin ardhur për t’i vizituar ekspozitat në fjalë. 

Do ta shfrytëzoj rastin që t’i përgëzoj aktorët e rinj të teatrit amator Gheto nga Llapnasella, të cilët në ditën ndërkombëtare të luftës kundër Sidës kishin përgatitur shfaqjen “Sidën e ke, letërnjoftim jo,” e cila u dha javën e kaluar në sallën e mbushur përplot të Shtëpisë së Kulturës në Graçanicë. Me buzëqeshje e vaj të rinjtë morën edhe një mësim jetësor mbi shëndetin dhe rritjen. 

Në Xhingis Pub në Graçanicë dy herë u kënaqëm me Jazz mbrëmje me Arian Randobravën dhe kuartetin e tij. Gjatë kësaj vere disa rok bende na kanë shungullitur mirë, ndërsa nuk duhet harruar edhe lëvizjet e pandërprera të ijëve tona me mësuesit tonë të vallëzimit salsa, Mirko dhe Tamara Fernandez, të cilat organizoheshin çdo të enjte pikërisht në Xhingis Pub në Graçanicë. Leksionet pa pagesë të vallëzimit salsa u organizuan nga Qendra Studentore dhe joshën shumë vizitorë. Për pak sa nuk harrova se përveç ushtrimit të ijëve ne ushtruam edhe të kënduarit tonë në mbrëmjet karioke, gjatë të cilave të gjithë këndonim si dimë e mundemi. 

Me hapjen e Qendrës Studentore, me përkrahje të OSBE-së dhe Qendrës për Paqe e Tolerancë, jetët e të rinjve janë përmirësuar në shumë aspekte. Kurset e reja të gjuhës angleze, frënge dhe italiane kanë bërë që shumë të rinj e të reja të bëhen poliglotë të vërtetë dhe të jenë të gatshëm që ta eksplorojnë botën të pajisur me njohuri të gjuhëve të reja. Në këtë qendër janë mbajtur edhe disa ligjërata në temat e shëndetit, të drejtave të njeriut; janë mbajtur projeksione filmash dhe janë grumbulluar ndihma humanitare. 

Sa shumë fuqi e energji pozitive ka qëndruar e shtypur tërë këto vite, e tani të gjithëve përnjëherë u është dhënë mundësia që të gjejnë veten e tyre. Në këtë qendër janë mbajtur disa prezantime për këmbime studentore, kështu që studentët nga ky regjion kanë pasur mundësi që të informohen për programet e shumta të këmbimeve studentore që i kanë në dispozicion, kështu që ka gjasa që në mesin e tyre të gjenden edhe kandidatë potencialë për disa prej universiteteve të njohura të Evropës. 

Një nga aksionet më bujare, pas asaj të grumbullimit dhe dhënies së veshmbathjeve, lodrave dhe parave familjeve më të varfra të Graçanicës me rrethinë, ishte ‘Java e kulturës japoneze në Graçanicë’. Pas tërmetit dhe cunamit të tmerrshëm që goditën Japoninë në pranverë, e tërë bota u trondit nga dimensionet e shkatërrimit që u dëshmuan përmes imazheve dhe incizimeve të cilat u dhanë anembanë botës. Gjatë asaj jave, me ndihmën e fëmijëve nga Sh.F. Mbreti Millutin dhe qytetarëve të tjerë, u përgatitën 1000 origami me mesazhe të paqes dhe përkrahjes të cilët u dërguan në Japoni. 

Natyrisht, shumica prej këtyre ngjarjeve janë përkrahur nga komuna e Graçanicës dhe personalisht nga nënkryetari i komunës i cili shpesh merrte pjesë në to dhe jepte përkrahjen e tij për iniciativat e të rinjve. Ja pra, edhe unë të lavdërohem me diçka. Disi para fundit të vitit është e natyrshme që të bëhet një rikapitulim i tërë asaj që lëmë pas dhe të jepen urime që viti vijues të jetë shumë më i suksesshëm. 

Deri në leximet e shkrimet e radhës, ju përshëndet, e Juaja Dee.