Duke e Jetuar të Ardhmen

Të dashurit e mi, duke qenë se nuk ju kam shkruar qëmoti, ndoshta është mirë që fillimisht të prezantohem 🙂 . Megjithatë, shpresoj se nuk më keni harruar. 

Fjalinë e mësipërme e kam shkruar para gati dy orësh. Natyrisht, këtë kohë e kalova e ngujuar në Facebook. Në Facebook jetojnë të gjithë miqtë e mi. (E në vijim do të gjeni shumë arsyetime për kohën e kaluar në Facebook, të cilat janë të rëndomta për njerëz të varur 🙂 . ) Po më duket çdo herë e më e vështirë që të bëj tualet, të rregullojë flokët, të bëj kombinimin e rrobave, të gjej transport për në qytet (e mos harroni që unë jam një biondinë që nuk di të vozisë), etj. Kësisoj, unë kënaqem në ngrohtësinë e dhomës sime, në pixhama, duke ngrënë biskota me qumësht e duke u shoqëruar me miqtë e mi përmes internetit. Mund të thuhet se  jam duke e jetuar të ardhmen. 

Them se do të shkoja në kafiteri për të pirë kafe me miq, por edhe aty më shikojnë si të isha e kohës së gurit, sepse të gjithë të tjerët kohëve të fundit po qëndrojnë në heshtje me shikimet e tyre të drejtuara drejt telefonave si po të ishin të hipnotizuar. Çdo gjë e ka humbur arsyen e vet, përfshirë edhe shoqërimin. Shpresoj se sociologët kanë vënë në fjalorët e tyre termet e reja sociologjike për këtë lloj sjelljeje. 

Por, unë desha t’ju shkruaj për pushimin tim veror. Andaj edhe fillova ta shkruaj këtë kolumne nja njëzet ditë pas kthimit nga pushimi. Mos pyesni se çka ngjau ndërkohë. Koha thjeshtë u ndal. Lexoja libra deri natën vonë, rrija në Facebook, e pastaj të nesërmen flija deri në mesditë… Kësisoj, u zgjova sot dhe e kuptova se pushimi po merr fund dhe se është koha që t’i kthehem realitetit. E një nga pjesët më të bukura të realitetit tim është edhe kjo kolumne e vogël, të cilës i gëzohem çdo herë kur publikohet. Viteve të mëparshme jam kënaqur duke ju shkruar analet e udhëtimeve të mia, ngase kjo më relakson. Kjo i ngjan shkrimit të letrave të dashurisë. Sepse unë nuk mund t’i rezistoj rënies në dashuri me ato vise të bukura, me ato ditë plot diell, me njerëzit e buzëqeshur e të lumtur të cilët thuajse besojnë që vera do të zgjasë përgjithmonë; thuajse kurrë nuk do t’i kthehen jetëve të tyre të lodhshme, zyrave, situatave politike… Kam lexuar diku që mjekët e kanë identifikuar një lloj të ri depresioni që do të mund të quhej depresioni post-pushimit. 

EUREKA! E gjeta. Me këtë jam infektuar. Kjo është diagnoza. Jam sëmurë sepse jam kthyer nga pushimi. Lus redaktorin që të ma nënshkruajë arsyetimin për moslajmërim dhe mosshkrim të kolumneve. Kjo diagnozë u zbulua si rrjedhojë e refuzimit që të përballem me realitetin pas një pushimi të mrekullueshëm vjetor. Ju faleminderit shumë. 

Por, nuk do të ishte vërtetë e drejtë që në këtë kolumne të shkruaj për atë që kam dashur të shkruaj që para se të nisem për destinacionin tim më të preferuar për pushime verore. Ideatorit të autostradës mes Kosovës dhe Shqipërisë ia kam borxh një kafe! (ose së paku miqësinë në Facebook, në mënyrë që të mos më duhet të rregulloj flokët etj. 🙂 ). Nuk kam nevojë të flas më shumë për të, sepse kushdo që ka udhëtuar në atë rrugë e ka parë. Këtë herë, arrita që në plazh të shkoj drejt nga rruga, pa lodhje, pa trauma nga skëterra të tmerrshme dhe tunele të frikshme. Mendoj, çdo respekt për rrugët e Malit të Zi, por unë më nuk dua të përjetoj trauma. Tash e kam këtë autostradë dhe deri në plazh shkoj nëpër trajektoren që ajo e përshkon. Le të mos hidhërohen malazezët, sepse kështu të gjithë janë më të lumtur dhe më të kënaqur. Unë prapë do shkoj në Budvë. Mendoj, ndoshta është dashur të shkruaj pak edhe për vendin ku kam qëndruar, ku kam bërë plazh, si dhe për atë se si janë përpjekur që të më ‘blejnë’ me disa kokteje që të shkruaj për objektet e tyre hoteliere në këtë kolumne. Por jo, D ka vendosur që këtë kolumne t’ia kushtojë ndjenjës së falënderimit që ka për ekzistimin e autostradave, sepse rrugët dhe urat i afrojnë njerëzit. Njerëzit e bukur, të lumtur e të skuqur nga deti e nga argëtimi. Natyrisht, edhe faktit që i kam bërë nja 100 fotografi të reja për Facebook!

Deri në pushimet e ardhshme verore, ju do dhe ju përshëndetë e skuqura D :).

P.S. Natyrisht se po mahitem, ngase do shkruhemi e lexohemi së shpejti.