Serbët vazhdojnë të qëndrojnë në Barrikada

Në Jarinjë e  Bërnjak që nga vendosja e KFOR’it dhe e doganierëve të Kosovës nuk ka kaluar asnjë automjet e as udhëtar, transmeton Radio KiM.

Barrikadat janë në të gjitha drejtimet rrugore në veri. Ato janë hequr nga njëra korsi e rrugës në Mitrovicë deri te pika kufitare Bërnjak.

E ashtuquajtura kujdestari në 18 barrikada ndërrohet në çdo katër orë, njoftojnë mediet serbe, për shkak të temperaturave të ulëta, zjarri ndizet në shatorët e vënë te barrikadat. 

Disa nga “kujdestarët” theksojnë se aty do të qëndrojnë derisa nga pikat kufitare të mos largohen doganierët e Kosovës. 

Afër barrikadave në Rudare, Zupçe dhe në Jagnjenicë gjenden nga dy automjete të blinduara të KFOR-it, mu përballë të të ashtuquajturve kujdestarë. Gjatë natës KFOR’i nuk ka lëvizur me automjete ndërsa furnizimet për ushtarë e ka bërë me helikopterë 

Treni nga Serbia për në Zveçan qarkullon pa pengesa dy herë në ditë.

Situata në Mitrovicë konsiderohet të jetë e qetë. Institucionet shtetërore që kontrollohen nga Beogradi, entet publike dhe objektet hoteliere punojnë si zakonisht. Kështu edhe në shkolla dhe fakultete mësimi po zhvillohet normalisht dhe me programet e direktivat e Serbisë.