Rrëfimi Sopa: Familja Lirohet Pasi Kontestohet Vrasja

Hamdi Sopa shërbente si zyrtar për informim në Kryeministrinë e vendit. Ai vdiq më 29 janar të këtij viti pasi nga katet e larta të një blloku banesash kishte rënë në tokë. Policia e kualifikonte atëherë rastin si “vdekje nën rrethana të dyshimta”.

Një ekspertizë e Departamentit të Mjekësisë Ligjore, që vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, kishte shërbyer si provë për të futur në paraburgim për gjashtë muaj Teuta Sopën dhe dy vajzat e saj, Artinën dhe Ernën.

Nën dyshimin se kanë vrarë Hamdi Sopën, bashkëshortin përkatësisht babanë e tyre, duke e hedhur atë nga kati i nëntë i ndërtesës në lagjen Aktash në Prishtinë, ato janë privuar nga liria më 4 shkurt me urdhër të prokurorit Blerim Isufaj.

Po atë ditë prokuroria kishte pranuar ekspertizën. 

“A e di çfarë do të thotë të akuzohesh për vrasje të bashkëshortit ose të babait? Florin Vertopi

“Bazuar në rezultatine këtij raporti konstatohet se në rastin konkret kemi të bëjmë me vrasje dhe jo vetëvrasje, prandaj prokurori Blerim Isufaj…ka urdhëruar arrestimin e personave që në momentin kritik kanë qenë prezentë në banesën e të ndjerit Sopa, në të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja”, thuhej në njoftimin Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Sopa kishte edhe një vazjë tjetër, por ajo ishte e martuar dhe nuk jetonte në banesë. 

Ndaj pjesës tjetër të familjes, që nga shkurti është vazhduar paraburgimi çdo dy muaj sipas kërkesës së prokurorit – deri më 31 korrik kur gjykata vendosi të lirojë të dyshuarat. 

Gruaja dhe dy vajzat kanë qëndruar në burgun e Lipjanit në qeli të ndara dhe janë takuar vetëm kohë pas kohe, sipas avokatit Florin Vertopi mbrojtës i Teuta Sopës.

Ai thotë se paraburgimi i ka dërmuar të dyshuarat mirëpo, shton avokati, ato i ka mbajtur vullneti për të zbuluar të vërtetën. 

“A e di çfarë do të thotë të akuzohesh për vrasje të bashkëshortit ose të babait?”, pyet ai.“Nuk është problem paraburgimi, por nëse akuzohesh për vrasje të babait është shumë e rëndë”.

Aktualisht Teuta, Artina dhe Erna Sopa janë të lira. Lirimi ka ndodhur falë propozimit të Prokurorisë së Eulex-it.

Prokurorja Natasha Vickary në fund të korrikut ka propozuar lirimin nga paraburgimin të të dyshuarave Sopa pasi që “ekspertiza e ekspertit të forenzikës nga Eulex-i ka treguar dyshime në lidhje me shkaqet e vdekjes së z.Sopa”, siç thotë zyra për informim eEulex-it.

Raporti mjeko-ligjor që konstatoi se Sopa ishte vrarë asnjëherë nuk është bërë publike zyrtarisht nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore dhe publik nuk është bërë as raporti i EULEX-it.  

Avokati Vertopi thotë të ketë kundërshtuar ekspertizën e parë që nga fillimi. “Ajo ekspertizë në përmbajtjen e saj ka paqartësi dhe është jo profesionale”, thotë ai. Por, avokati nuk flet për këto detaje që i konsideron joprofesionale pasi thotë se në seancën e fundit që është mbajtur për këtë rast prokuroria ka kërkuar nga avokatët mbrojtës që të mos publikojmë fakte. “Urdhri i prokurorisë është evidentuar në procesverbal dhe ne duhet ta respektojmë”. 

Arsim Gërxhaliu, drejtor i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, nuk ka pranuar të komentojë ekspertizën e bërë në rastin Sopa dhe dyshimet e EULEX-it e mbrojtjes.“Në momentin kur e dorëzojmë raportin përfundojnë kompetencat tona”, tha Gërxhaliu. “Për çështje të tjera, është në dorën e prokurorit të vendosë. Nëse na ftojnë në gjykatë ne shkojmë dhe i ballafaqojmë faktet nga hetimi që kemi bërë gjatë ekspertizës”.

“Raportet me babanë i kam pasur deri në fund shumë të mira” 

Të tri të pandehurat kishin kundërshtuar propozimin për paraburgim në seancën e mbajtur më 6 shkurt në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe kishin mohuar akuzat në tërësi. 

Gruaja Teuta Sopa thoshte se nuk i kishte shkaktuar kurrfarë lëndimesh të ndjerit. “Kam pasur raporte shumë të mira bashkëshortore”, thoshte ajo, “dhe po ashtu nuk dyshoj se vajzat e mia e kanë bërë një gjë të tillë”.

“Teuta, Artina dhe Erna Sopa janë të lira. Lirimi ka ndodhur falë propozimit të Prokurorisë së Eulex-it.

Artina Sopa, e dyshuara tjetër në këtë çështje, thoshte: “Raportet me babanë i kam pasur deri në fund shumë të mira”.Ajo i kishte thënë gjykatësit se rreth 40 minuta para se prindi i saj të binte nga ballkoni, i është afruar dhe ka biseduar me të. “E pyeta ‘çka po bën’, e ai mu përgjigj: ‘Kam dal për të marr ajër’. Me këtë rast, unë nuk kam vërejtur se ka pasur plagë”. 

Pastaj, “kur ka qenë në banjo, e kemi sjellë në krevat në sallon; në atë moment kur i kam ngritur pizhamen e sipërme kam vërejtur se në bark dhe në afërsi të kërthizës ka gjak, por nuk e kam mundur ta vërej nëse është plagë”, thoshte Artina Sopa.

E dyshuara e fundit, E. Sopa, po ashtu kishte kundërshtuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, duke shtuar se ajo nuk është e përfshirë fare në këtë rast. Ajo tha se babain e saj e kishte parë një orë para se të binte nga ballkoni, duke pirë cigare, porse nuk e kishte folur me të. Sipas saj, Hamdi Sopa lëndimet i ka marrë në mëngjes kur ishte rrëzuar në banjo.

“Rreth orës 8:30, kam dëgjuar nënën duke bërtitur ‘Hamdi’. Kur kam shkuar në banjo, ai ka qenë i shtrirë në shpinë në afërsi të lavatriqes. Kam vërejtur se ai ka pasur dy gërvishtje në fytyrë, afër hundës dhe mbi pizhamen e sipërme ka pasur gjak”, ka rrëfyer e dyshuara para gjykatësit paraprak.

Më pas, ajo ka treguar se ka dalë në korridor dhe ka thirrur motrën e saj me telefon, duke i kërkuar ndihmën e shpejtë, ndërsa motra tjetër tregon se ka dalë për t’i ftuar fqinjët. 

“Filluam t’i njohim pas rastit”

Gjashtë që kur ishin paraburgosur anëtarët e familjes Sopa, fqinjët hezitojnë të flasin në shumicën e rasteve për shkak të ndjeshmërisë.

Disa që pranuan të flasin thanë se nuk kanë pasur kontakte me këtë familje dhe se kanë filluar ta njohin pas rastit.

Studenti Arton Asllani, 24, ka tri vjet që jeton në të njëjtën ndërtesë me familjen Sopa thotë të ketë përshtypje të mirë për këtë familje. Ai është dëshmitar okular i rastit pasi që e kishte parë trupin e Sopës të shtrirë në tokë.

“Me vetë personin tani të ndjerin jemi përshëndetur si fqinjë, por jo më shumë. Më shumë nuk e njoh këtë familje”, tha ai. 

Një fqinje tjetër, Eminë Th., e cila nuk dëshiron t’i publikohet identiteti i plotë për shkak të ndjeshmërisë së rastit, ka shtatë vjet që jeton në këtë banesë por nuk e ka njohur familjen Sopa. “Nuk kam kontakte me krejt fqinjët që banojnë këtu, as familjen Sopa nuk e kam njohur. E kam kuptuar që banojnë këtu pas rastit që u ndodhi”, tha ajo. 

“Me vetë personin tani të ndjerin jemi përshëndetur si fqinjë, por jo më shumë. Më shumë nuk e njoh këtë familje. Arton Asllani

Njëra nga banoret më të moshuara në këtë ndërtesë, e cila jeton në katin e tetë e që poashtu nuk pranoi të identifikohet, tha se ka afër 37 vjet që jeton në këtë bllok. 

“Me familjen Sopa nuk kam pasur kontakt. Vetëm kur i kam parë në televizor më janë kujtuar fytyrat e tyre që i kam takuar në hyrje ose shkallëve” tha kjo banore . 

Mbrojtësi i Teuta Sopës, Florin Vertopi, thotë se gjatë dëshmivetë tyre fqinjët kanë thënë fjalë të mira për të pandehurat. “Njëri nga ta tha se i ka lënë disa herë fëmijët aty”. 

Angazhimi i Eulex-it në rastin Sopa

Më 29 janar prokurore kujdestare ishte Besa Kalaja.Ajo ishte e para që kishte pranuar informata rreth këtij rasti, sipas avokatit Vertopi.

Lënda i ishte caktuar më pas prokurorit Blerim Isufaj i cili dyshonte se të pandehurat Sopa më 29 janar 2013 rreth orës 16:05, në banesën e tyre në Prishtinë, për motive ende të panjohura, e kishin privuar nga jeta bashkëshortin, gjegjësisht babanë e tyre. 

“Nuk i kam besuar ekspertizës mjeko-ligjore. Florin Vertopi

Në aktvendimin për paraburgim të lëshuar nga gjykatësi Vehbi Kashtanjeva më 6 shkurt thuhet se viktimën e kanë qëlluar dy herë me thikë në regjionin e barkut, ku i janë shkaktuar plagët shpuese, e pastaj i njëjti është munduar ta kapë thikën, i është prerë dora nga tehu i saj. Në fund, viktima është goditur edhe me një mjet të fortë prerës në pjesën e pasme të kokës, e cila plagë ka qenë vdekjeprurëse. “Të pandehurat më vonë e fshehin thikën nën lavatriqe dhe viktimën e hedhin nga kati i tetë i banesës në tokë. Me çka, ato kanë kryer veprën penale të bashkëveprimit në vrasje të rëndë”. 

Ndërkohë mbrojtja e të dyshuarave kishte kërkuar përfshirjen e Eulex-it në këtë rast.

“Nuk i kam besuar ekspertizës mjeko-ligjore”, thotë avokati Vertopi. Më vonë ai kishte kuptuar që Eulex-i tashmë ishte përfshirë në hetimin e rastit Sopa.

Zyra për informim e misionit europian për sundimin e ligjit thotë se janë përfshirë në këtë rast meqenëse sipas legjislacionit ata mund të përfshihen në hetimin e vrasjeve të ndryshme.“Në këtë rast është krijuar një ekip i përzier në marrëveshje dhe me vullnetin e të gjitha palëve”.

Aktualisht, avokati është në pritje të ekspertizës së re dhe varësisht nga përmbajtja e saj do të vendosë nëse do ta apelojë apo do ta pranojë atë si të saktë.

Nga komemoracioni për Hamdi Sopën Foto: Zyra e Kryeministrit