Shpella e Piratëve, Vlorë

VIDEO: Bukuritë e Gjirit të Vlorës

Në një ditë me erë, ajo çfarë të shoqëron udhëtimin në Gjirin e bukur të Vlorës janë dallgët që rreken pa pushim në fundin e anijes. E kaltërsia e Detit Jon bënë që bebëza e syrit të hapet edhe më shumë, duke shijuar një pamje pa fund.

Jo më larg se 20 minuta nga porti i Vlorës, në pjesën më jugore të Shqipërisë, do të mund të vizitojmë ishullin më të madh të shtetit shqiptar, Sazanin. Ishulli është rreth 5.7 kilometra katror ndërsa gjerësia më e madhe është dy kilometra.

I rrethuar nga të tria anët me ujë, Sazani të jep përshtypjen e një kodre të ndodhur në mes të detit. Sa më afër këtij ishulli, era bëhet me e fortë, duket sikur Sazani nuk do vizitorë, por kush mund t’i rezistojë.

Dikur Sazani kishte shërbyer si bazë ushtarake, njëherë e italianëve e më pastaj ishte rikthyer si territor i Shqipërisë. Për këtë në Sazan edhe sot mund të gjesh bunkerë e tunele.

Ciceroni Ermal Malaj rrëfen interesin strategjik të këtij ishulli për Shqipërinë por edhe rajonin.

“Ishulli i Sazanit është i gjithi i mbuluar nga pika strategjike, nga tunele, nga bunkerë të cilët kanë shërbyer në rast rreziku se do të na pushtonin të huajt. Sazani ka një rëndësi të veçantë edhe për shkak të pozicionit gjeografik në të cilin ndodhet. Përballë ndodhet Greqia, Italia pas nesh. Ishulli i Sazanit është i vetmi ishull më i madh në Shqipëri. Ka një interes të veçantë  jo vetëm nga shqiptarët por edhe nga të huajt për shkak të bazës ushtarake që ka operuar nga viti 1944 deri më vitin 1990. Bazë ushtarake ka qenë edhe para këtyre viteve që ndikim të madh kanë pasur italianët”,  tha ai.

Nga kulla vrojtuese në Sazan do të mund të shohësh Shpellën e Haxhi Aliut, e njohur ndryshe me emrin Shpella e Piratëve. Quhet Shpella e Piratëve pasi aty besohet se kanë jetuar disa piratë në krye me piratin Haxhi Aliu.

Shpella e Piratëve, Vlorë

Haxhi Aliu sipas ciceronit Malaj ka qenë me prejardhje nga Ulqini, përkatësisht nga trojet shqiptare por që ka jetuar në këtë shpellë duke ruajtur të gjithë territorin e gadishullit të Karaburunit por edhe grabiste anijet që kalonin vërdallë.

Shpella është natyrale me  lartësi 30 deri në 40 metra ndërsa gjerësia arrin deri në 40 metra. Brenda Shpellës së Piratëve ndodhet edhe një liqe, drita e diellit të cilin nuk e ka vizituar kurrë.

Ciceroni Ermal Malaj thotë se këto destinacione janë ndër më të vizituarat në Gjirin e  Vlorës.

Ai thekson se këtë vit ka një interesim më të madh krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kjo për shkak të pandemisë COVID-19. Kosovarët, thotë Malaj, janë “hambari më i madh” i turistëve që ata kanë.

Kryetari i Vlorës, Dritan Leli, fton të gjithë qytetarët që si destinacion pushimi të zgjedhin Vlorën.

“Vera është atraksioni më i rëndësishëm në Vlorë. Vlora ka çfarë të ofrojë për turistët, ka  peshkun më të mirë,  ushqim por njëkohësisht ka pafundësisht histori, Vlora është një vend ku ke të shkosh çka të vizitosh, ndër to Sazani e Karaburuni. Distancimi social mund të ofrohet në Vlorë pasi që ka plazhe që shfrytëzohen vetëm nga dy persona. Për këto e promovoj pa frikë Vlorën”, thotë Leli.

Leli shpreson se në muajt e verës do të ketë një lirshmëri më të madhë të njerëzve, duke u larguar disa nga masat kundër COVID-19 në Shqipëri.

Ndërsa, Azem Bujupi nga platforma online Triptoalbania.al e cila do të funksionalizohet në maj dhe ka qëllim promovimin e turizmit, tha se do ta vazhdojnë promovimin digjital të të gjitha bukurive në trojet shqiptare.

“E kemi të lehtë turizmin për shkak të klimës që ofron vija bregdetare e Shqipërisë dhe zona malore e saj. Është një mrekulli që vetëm Zoti ka ditur ta krijoj, e pak me dorën e njeriut”, tha ai.

Ministri i Turizmit në Shqipëri, Blendi Klosi, tha se shumë shpejt shteti shqiptar do të jetë zona më atraktive në gjirin e Mesdheut.

“Turizmi në Shqipëri shërben si një ekonomi e fortë duke rezultuar me të ardhura dhe vende të punës. Me investimet që do të vazhdojnë në portin e Vlorës por jo vetëm, ne do të bëhemi zona më atraktive në Mesdhe.