Foto: Facebook

Termokiss: Një Puthje e Nxehtë nga Prishtina

Brenda një ngrehine të betonit, që tani është zbukuruar me mbishkrimin “Qendra Sociale”, të rinjtë e qytetit janë mbledhur të diskutojnë të ardhmen e një ndërtese të papërfunduar. Gjatë javëve të fundit ata kanë pranuar ndihmën e dhjetëra vullnetarëve ndërkombëtarë dhe vendas, për ta shndërruar këtë grumbull betoni në një hapësirë që i shërben komunitetit.

Tani, Prishtina ka një qendër shoqërore ku qytetarët e saj mund të organizojnë ngjarje të kushtëzuara nga vetëm një gjë: të mos kenë kenë qëllime komerciale.

Me nismën e disa të rinjëve nga Prishtina Architecture Week dhe me ndihmën e Toestand vzw (Belgjikë) dhe InfoQuartier Mache (Zvicër), qendra shoqërore Termokiss është jetësuar.

Termokiss gjendet në një parcelë të vogël toke në Komunën e Prishtinës, në një ndërtesë betoni të papërfunduar që është ngritur në vitin 1997 nga Termokosi (kompania e ngrohjes në Prishtinë). Emri i ri Termokiss vjen nga një përzierje e Termokos dhe Kismet (emri fillestar).

Fillimisht, ndërtesa ishte e paracaktuar të jetë baza e fabrikës së ngrohjes qendrore në qytet.

Projekti nuk është përfunduar kurrë, por Njomza Dagusha, inxhiniere e ndërtimit, bashkë me disa artistë të rinj dhe arkitektë pati një projekt të qartë në mendje. Ata përfytyruan ta shndërronin hapësirën e ndërtesës së braktisur në diçka të re dhe të përdorshme, një qendër shoqërore.

Edhe komuna, edhe kompania e ngrohjes që ishte në pronësi të ndërtesës përkrahën projektin. Pas disa sfidave të vogla burokratike, projekti Toestand Mache Prishtina, i drejtuar nga Dragusha dhe disa të rinj tjerë, filloi punonën për të krijuar e një hapësire të re për rininë e Prishtinës.

“Më 9 korrik, 27 vullnetarë nga Belgjika dhe 15 të tjerë nga Zvicra ateruan në Kosovë dhe ndërtuan çatinë e ndërtesës”, thotë Dragusha.

Brenda ndërtesës ndodhet një skenë e cila mund të përdoret për përformanca artistike. Një llambadar i stilit mesjetar, i lidhur me zinxhirë në tavanin e lartë pesë metra, varet në mes të ndërtesës. Muret janë të ngjyrosura me motive të ndryshme dhe mesazhe që japin ndjenja të ngrohta për mysafirët.

“Ishte një process i mbushur me dashuri dhe përkushtim për vullnetarët,” thotë Dragusha.

Më 16 korrik, qendra ka pasur hapjen zyrtare dhe shumë të rinj kanë marrë pjesë. Ka pasur performanca nga artistë të rinj, po ashtu.

Por, nuk janë vetëm të rinjtë dhe artistët që përkrahin këtë qendër. Dragusha shpjegon se edhe qytetarit që jetojnë përreth kanë qenë të interesuar ta përkrahin qendrën. “Një grua e vjetër erdhi të na vizitonte dhe na ofroi gjithë mobiliet e saj, përfshirë edhe frigoriferin”, thotë Dragusha.

Ndërtesa e rilindur e Termokiss | Foto: Rron Gjinovci
Ndërtesa e rilindur e Termokiss | Foto: Rron Gjinovci

Dikur ndërtesë gjysmë e rrënuar

Oborri i atëhershëm i Termokiss-it të sotëm ishte një vend që ndillte frikë te banorët e lagjes. Ishte një vend ku të varurit nga droga merrnin dozat e tyre ditore. “Kemi gjetur diku 80 shiringa gjatë pastrimit”, thotë Arbër Hoti, një nga administratorët e qendrës sociale. “Tash, Termokiss nuk është më një vend ku mund të gjesh heroinë”, ka shtuar ai.

Ai shpjegon se ideja është që të krijohet një hapësirë e lirë për rininë e Prishtinës, diçka që sipas tij ka munguar në këtë qytet. “Grupet e reja muzikore mund ta përdorin këtë vend për të përformuar, gjithashtu edhe artistë të rinjë që nuk kanë vend të përshtatshëm për të ushtruar”, tha Hoti.

Hoti ishte skeptik në fillim sa i përket projektit pasi mendonte se ishte “vështirë i paramendueshëm”. Por ai ka ndërruar mendje kur nisi projekti. Ai tani e sheh idenë të realizuar dhe ka një lidhje të thellë me hapësirën. “Çdoherë kur jam i lirë shkoj në qendër. Disi kam një lidhje emocionale me të”, tha Hoti, duke buzëqeshur mendueshëm.

Nismëtarët ishin frymëzuar nga qytetarët që jetojnë afër ndërtesës, të cilët e përkrahën idenë, bashkë me institucionet sikur Zjarrfikësit e Prishtinës. “Zjarrfikësit ishin të jashtëzakonshëm. Ata na dhanë shkallët e tyre sa herë i kërkuam pa pyetur për shpjegime shtesë”, tha Hoti.

Sidoqoftë, ai është i shqetësuar për shkak të numrit të vogël të vullnetarëve lokalë që kanë ofruar të ndihmojnë në implementimin e ndryshimeve kryesore infrastrukturore të qendrës.

“Numri i vogël i vullnetarëve më shqetëson kur e krahasoj me numrin e vullnetarëve ndërkombëtarë,” tha Hoti. Ai shtoi se mund të ketë qenë për shkak të mungesës së informimit.

Arber Salihu, muzikant i ri dhe mirënjohur i Prishtinës i cili është i përfshirë në projektin Termokiss, thotë se ky projekt bashkon “hapësirën e madhe shumëfunksionale që ka potencial të bëhet një shtëpi fantastike për koncerte dhe aktivitete të tjera”, si dhe atë e inspiron “vullneti i rinisë për t’u bashkuar si komunitet”.

Salihu dhe pjesa tjetër e të përfshirëve në projekt përpiqen të “frymëzojnë aktivizmin qytetar”. “Nuk është e nevojshme të keshë ndonjë pushtet për të kontribuuar pozitivisht në qytetin tënd”, tha Salihu.

Shfaqja e filmit korr sukses

Termokiss organizoi një natë filmi më 26 gusht si një ndër aktivitetet e para të projektit. Përveç qëllimeve artistike, kishte edhe arsye bamirëse për organizimin e kësaj ngjarjeje. Teksa njerëzit rehatoheshin në ulëse të dorës së dytë apo të punuara me dorë në hapësirën komode të Termokiss, Dragusha lajmëroi se paratë e mbledhura nga shitja e limonadave, kokoshkave dhe birrave do t’i dhurohen një familjeje në nevojë për mbështetje mjekësore.

Një ekran i sajuar me një rrobë të bardhë e të lidhur me litar u ndrit dhe filloi të shfaq “Upstream Color” të Shane Carruth. Termokiss po kryente për mrekulli funksionin që i është menduar.

Liridon Hoxha, një student masteri i Biologjisë në Berlin, shprehu entuziazmin e tij për aktivitetet e Termokiss. “Për mua është gëzim i madh që patëm mundësinë ta shfaqim filmin dhe t’i mbledhim gjithë këta njerëz mendjehapur në një vend”.

Ai do që njerëzit që vizitojnë Kosovën t’i shohin anët tjera të shoqërisë kosovare e cila “Nuk ka të bëjë me korrupsion, por me një rini kreative të cilët, përmes vullnetit të mirë dhe punës në komunitet, që me materiale e mjete rrethanore krijojnë vende mahnitëse sikur Termokiss”, tha Hoxha.