Foto: MKRS

Inaugurohet pavijoni i Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në Venedik (Foto) 

Është inauguruar sot solemnisht pavijoni i Republikës së Kosovës në ekspozitën e 17 ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venedikut.

Përmes një komunikate për media, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se në këtë edicion Republika e Kosovës përfaqësohet nga artisti dhe arkitekti i mirënjohur Maksut Vezgishi, me projektin “Conteinporary”, ideuar dhe kuruar bazuar në temën e përgjithshme të Bienales “How will we live together”.

“Sipas autorit të veprës ‘Container’ është një ‘objekt’ i madh i hapur, i destinuar për ngarkimin e ‘Përmbajtjeve’ të ndryshme. Ka formë, funksion dhe dizajn të jashtëzakonshëm. Ndodhet në çdo komunë. Rreth këtij kontejneri mbetet i hapur peizazhi i ndërtesave të ndërtuara për të qenë të përjetshme. Specifikat që ofrojnë ‘Mundësitë e reja’ të përdorimit, hapësirat për eksperimentimin, socializimin, reflektimin, aktivizmin, shpresën, idetë e reja, fantazitë dhe qëllime”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Ekspozita e Kosovës me titull ‘Containporary’ është ideuar dhe kuruar nga arkitekti dhe artisti Maksut Vezgishi.

Komisioner i Republikës së Kosovës është Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përfaqësuar nga Jehona Shyti.

Në ceremoninë e inaugurimit ishin prezent ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i shoqëruar nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, si dhe Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Romë, Lendita Haxhitasimi.

Pavijoni i Kosovës për publikun do të qëndrojë i hapur nga 22 maj 2021 deri më 21 nëntor 2021.