"Manifesta" me ndërhyrje urbane tek ish-Fabrika e Tullave (FOTO)

Bienalja Nomadike Evropiane “Manifesta” e cila ka qëllim promovimin e marrëdhënies midis kulturës dhe shoqërisë duke katalizuar ndryshimet pozitive në Evropë që do të mbahet nga 22 korriku deri më 30 tetor 2022, në Prishtinë, ka filluar ndërhyrjet e para urbane.

Janë disa objekte dhe zona të cilat komuna do përpiqet të bëjë ndërhyrje urbane bashkë me “Manifestën”, një prej tyre është edhe ish-tulltorja e qytetit e njohur në popull me emrin “Cigllana”.

Këto intervenime u realizuan së bashku me studentë të Universitetit të Arkitekturës së Prishtinës.

Përpos tulltores, të cilën komuna e ka blerë mbi 5 milionë euro, për ta ruajtur si pasuri, hapësirë e re për komunitetin pritet të bëhet edhe tek ish-Biblioteka “Hivzi Syljemani”, Pallati i Rinisë dhe Stacioni i Autobusëve.

Tek ish-Tulltorja, “Manifesta” bashkë me komunën pritet të bëjnë një studim urban për çështje të kulturës dhe arsimit.

Deri në kohën e luftës në këtë fabrikë punohej 24 orë, kurse për një kohë të gjatë kjo fabrikë nuk është më funksionale.

Manifesta filloi në fillim të viteve 90-ta si përgjigje ndaj ndryshimeve politike, ekonomike dhe sociale pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe hapave pasues drejt integrimit evropian.

Që nga ajo kohë, “Manifesta” është zhvilluar në një platformë udhëtimi që përqendrohet në dialogun midis artit dhe shoqërisë në Evropë.

Edicionet e mëparshme janë zhvilluar në Roterdam (1996), Luksemburg (1998), Lubjanë (2000), Frankfurt (2002), San Sebastian (2004), Nikosia (2006 – anuluar), Trentino-Tiroli Jugor (2008), Murcia në dialog me Afrikën veriore (2010), Limburg (2012), Shën Petersburg (2014), Cyrih (2016) dhe Palermo (2018). Edicioni i vitit të kaluar u mbajt  në Marsejë.