'Kartolinë' nga rrënimi i parkut Adem Jashari në Prishtinë | Foto: KALLXO.com

Parku i Askujt

Ndonëse i vizituar nga shumë banorë të Prishtinës, parku “Adem Jashari” ka mbetur nën përgjegjësinë e askujt.

Copëza pllakash të thyera, shkallë të dëmtuara, hapësirë e madhe betoni, pak hapësirë e gjelbër, obelisk i dëmtuar, korniza reklamash të thyera, janë pamjet me të cilat shoqërohet parku, i cili gjendet mes ndërtesës së Komunës së Prishtinës dhe asaj të qeverisë.

Qytetarët që pushojnë në park apo thjesht kalojnë përmes tij, duhet t’u shmangen pjesëve të dëmtuara, të ecin përreth shkallëve të thyera për t’u përballur me peizazhin që ofron inercia e rrënimit të një hapësirë publike ku askush nuk ka vënë dorë prej vitesh të tëra.

Kjo gjendje nuk u pëlqen as vetë qytetarëve të cilët kalojnë kohë në këtë park, të cilët për Gazetën JNK shprehin kritikat e tyre.

“Në Prishtinë asnjë park nuk është ashtu siç duhet”, thotë Alie Budeci e cila shumë shpesh vjen në park që të pushojë nga ngarkesa e pluhurit siç e quan ajo, të cilën e shkaktojnë veturat e shumta në kryeqytet.

“Rregullimi i këtij parku duhet të bëhet sa më shpejt që është e mundur sepse ne edhe ashtu kemi mungese të parqeve, edhe nëse ata ekzistojnë, asnjë nuk është siç duhet”, thotë Budeci.

Parku nuk duket edhe aq keq nga larg, por situata ndryshon kur kalon përmes tij | Foto: KALLXO.com
Parku nuk duket edhe aq keq nga larg, por situata ndryshon kur kalon përmes tij | Foto: KALLXO.com

Shemsi Berisha, banor i kryeqytetit, kujton kohën kur parku “Adem Jashari” ishte në gjendje të mirë, madje, sipas tij, i ngjante një parku evropian.

“Unë po çuditem qysh mos me u marrë masa për m’u rregullu qendra kryesore e Prishtinës. E mbaj mend para disa vitesh ku pikërisht në këtë vend bëheshin mitingje të mëdha dhe qytetarët e kishin mundësin ta shijonin pushimin pikërisht në këto pjesë ku sot nuk sheh gjë tjetër vetëm pllaka të prishura”, thotë ai.

Ndërsa Gëzim Gërxhaliu, i cili kishte sjellë djalin e tij 3 vjeçar për të luajtur, shprehet i shqetësuar për gjendjen e parkut për të cilin ai thotë se në fakt nuk i ngjan një parku.

“Unë shumë shpesh e vizitoj këtë park për shkak të djalit, mirëpo të them të drejtën ky as park nuk mund të quhet sepse gjithçka është e demoluar. Duhet të bëhet riparimi i pllakave sepse vazhdimisht të shkaktojnë telashe edhe munden fëmijët me u rrëzu, duhet të shtohet gjelbërimi dhe të mbahet më i pastër ky park”, thotë ai për Gazetën JNK.

E deri sa të tjerët thonë që parku duhet të rregullohet, Hamdi Krasniqi banor i vjetër i Prishtinës mendon të kundërtën. Ai thotë që parku si i tillë nuk i shërben askujt dhe duhet të hiqet i tëri në mënyrë që të kthehet në rrugë ashtu siç ishte para vitit 1961 kur edhe është ndërtuar parku në fjalë.

“Ky shesh duhet të shndërrohet në rrugën e cila ka qenë edhe më herët këtu, këtë shesh prej betoni që është ndërtuar në kohën e sllavëve duhet të hiqet, edhe ashtu asnjë kriter të të qenit park nuk e plotëson”, thotë Krasniqi.

Obelisku i Vëllazërim Bashkimit, i kalbur nga mungesa e përkujdesjes | Foto: KALLXO.com
Obelisku i ‘Vëllazërim Bashkimit’, i kalbur nga mungesa e përkujdesjes | Foto: KALLXO.com

Obelisku “Vëllazërim Bashkim”

Mes parkut “Adem Jashari” gjendet edhe obelisku “Vëllazërim Bashkim”, i cili ka filluar që të dëmtohet.

Boja është plasaritur dhe shenja të lagështisë dhe kalbjes e përshkojnë monumentin përgjatë gjithë gjatësisë së tij.

Baza e obeliskut përbëhet nga beton i dobësuar nga lagështia dhe mbajtëse të hekurta shumë të ndryshkura, çka ngrenë pikëpyetje për qëndrueshmërinë e tij dhe si rrjedhojë edhe për rreziqet e sigurisë ndaj qytetarëve.

Ndërsa disa vrojtime mbeten hipotetike, është fakt i dukshëm me sy dhe që nuk lyp ekspertizë të specializuar, se monumenti “Vëllazërim Bashkim” është lënë të degradohet.

Komuna e Prishtinës nuk iu përgjigj pyetjes së Gazetës JNK nëse ky obelisk bën pjesë në monumentet e mbrojtura me ligj.

Gjendja e këtij monumenti tregon se askush nuk është përkujdesur për të. Vetë parku i cili tani mban emrin “Adem Jashari,” më herët ka pasur emrin e obeliskut “Vëllazërim Bashkim”.

Obelisku, në fakt, përkujton luftën e përbashkët kundër pushtimit fashist të Luftës së Dytë Botërore, por ndërtimi i tij nga pushteti jugosllav ka bërë që shumë qytetarë të painformuar për domethënien e tij, ta shohin si një ‘kujtim të pushtuesit sllav’.

Hamdi Krasniqi thotë se obelisku, sipas tij, është ndërtuar në kohën e Josip Broz Titos për të përfaqësuar filozofinë e tij.

“Këtë e kanë mbaru në kohën e Titos në vitin 1961, edhe vetë obelisku e përfaqëson filozofinë e tij. Para se ky park me këtë obelisk të ndërtoheshin, mu në këtë pjesë ishte rruga e cila quhej “Divanyolu” e cila nga turqishtja do të thotë “rruga për në kuvend”, thotë ai.

Nga ana tjetër, është shumë e rrallë që një qytetar i Prishtinës t’i referohet kësaj hapësire publike me emrin e heroit kosovar të luftës kundër ushtrisë jugosllave, duke përdorur në vend të tij, emërtimin e vjetër të “Vëllazërim Bashkimit” jugosllav.

Në vitin 2015, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se nevojitej një referendum për monumentin, ndaj të cilit disa qytetarë (e paqartë nëse ishin të Prishtinës ose jo) kishin shprehur pakënaqësi duke kërkuar largimin. Ky referendum nuk ka ndodhur ende.

Është e paqartë nëse Komuna e Prishtinës është konsultuar me ekspertë kompetentë apo edhe me publikun e gjerë ndërsa ka vendosur ta lejojë degradimin e kësaj pjese të historisë, të cilën megjithatë, emri i Adem Jasharit ende nuk ka mundur ta fshijë.

Bazamenti i degraduar i obeliskut | Foto: KALLXO.com
Bazamenti i degraduar i obeliskut | Foto: KALLXO.com

Përgjegjësi e askujt

Ndonëse parku gjendet mes dy organeve udhëheqëse, përgjegjësia për rregullimin e këtij parku ka mbetur pa adresë.

Derisa komuna e Prishtinës hedh fajin për bllokim tek qeveria e Kosovës, kjo e fundit e mohon diçka të tillë.

Sipas Komunës së Prishtinës, vitin e kaluar është paraparë rregullimi i këtij parku i cili ka qenë i bashkë-financuar nga komuna dhe Demos, një projekt për përmirësimin e hapësirave të përbashkëta në komunat e Kosovës.

“Ky projekt ka paraparë sanimin e pllakave të sheshit dhe rregullimin e hapësirave gjelbëruese duke mos i tjetërsuar elementet tjera të këtij sheshi”, thonë ata.

Mirëpo një projekt i tillë sipas tyre nuk është aprovuar nga Kuvendi Kosovës.

“Për arsye procedurale, meqenëse një pjesë e sheshit është në pronësi të Kuvendit te Kosovës, Komuna e Prishtinës ka kërkuar një aprovim administrativ për fillimin e punimeve. Kjo kërkesë nuk është aprovuar nga ana e Kuvendit te Kosovës dhe rrjedhimisht projekti nuk ka filluar implementimin”, thonë ata.

Shkallët e rrënuara të parkut | Foto: KALLXO.com
Shkallët e rrënuara të parkut | Foto: KALLXO.com

Kuvendi i Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjeve të Gzetës JNK mbi projektin e parkut të dorëzuar nga Komuna e Prishtinës.

Të pyetur nëse komuna e ka diskutuar çështjen e rregullimit të parkut me qytetarët e Prishtinës, ata kanë hezituar të përgjigjen.

Gjithashtu, ata nuk i janë përgjigjur kërkesës së redaksisë për projektin për rregullimin e sheshit “Adem Jashari”.

Projektin për rregullimin e këtij parku nuk e ka marrë as Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, sipas përgjigjes së tyre zyrtare.

“Ne në MMPH nuk kemi pranuar ndonjë kërkesë apo projekt për rindërtimin ose riparimin e parkut ‘Adem Jashari’ nga Komuna e Prishtinës”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Nuk dihet nëse ky projekt është dorëzuar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Zyrën e Kryeministrit, duke qenë se asnjë prej këtyre institucioneve nuk është përgjigjur.

Ndërkaq, pamja e parkut e cila ngjan sikur i ka mbijetuar një demonstrate të dhunshme apo thjesht neglizhencës në vite, do të vazhdojë të jetë e tillë për një kohë të pacaktuar, derisa një apo më shumë institucione të vendosin të bëjnë diçka për të.