Shpend Kallaba

Kush është Shpend Kallaba, ambasadori i shkarkuar nga Glauk Konjufca

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Hungari, Shpend Kallaba është në mesin e diplomatëve të propozuar për shkarkim.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka propozuar tërheqjen nga misionet diplomatike të shtatë ambasadorëve dhe konsujve të Kosovës.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Zyrën e Presidentit të Kosovës nëse presidenti Thaçi do t’i përfillë propozimet e ministrit Konjufca, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Në anën tjetër, KALLXO.com në janar të këtij viti ka raportuar se Bubulina Krasniqi, motra e Memli Krasniqit, deputetit të PDK-së dhe Shpend Kallaba, vjehrri i saj, punojnë së bashku në Ambasadën e Kosovës në Budapest.

Këshilltari i Behgjet Pacollit, ish-ministër i Punëve të Jashtme, Jetlir Zyberaj, kishte komentuar punësimin dhe transferet e Shpend Kallabës dhe Bubulina Krasniqit.

“Pas pretendimeve të mediave, ne e kemi themeluar një komision për t’i evidentuar të gjitha konfliktet e interesit nëpër të gjitha Ambasadat dhe do t’i ndërmarrim masat”, pati thënë ai në Emisionin Jeta në Kosovë.

Ndërsa, në pyetjet shtesë që ka bërë emisioni në adresë të zyrës për media të Ministrisë së Punëve të Jashtme, janë dhënë edhe detaje rreth këtij rasti.

“z.Shpend Kallaba nuk është transferuar në Hungari. Pasi ka përfunduar mandatin në Bullari, z.Kallaba është kthyer në Kosovë dhe më pas është emëruar Ambasador në Hungari më datë 7/11/2018.  Bubulina Krasniqi është dërguar në mision në Bullgari pas më shumë se një viti punësimi në MPJ si Zyrtare e Lartë në Departamentin për organizata ndërkombëtare. Pra, z. Shpend Kallaba është emëruar ambasador në Bullgari nga Presidenti i Republikës së Kosovës, sipas nenit 84 (25) të Kushtetutës. I njëjti mbi këtë bazë është emëruar edhe ambasador në Hungari”, thuhej në përgjigjen e tyre.

Sa i përket transferit të Bubulina Krasniqit nga Bullgaria në Hungari, ministria që udhëhiqej nga Pacolli kishte thënë se kjo është bërë sipas nenit 22 të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm, me vendim të ish-Ministrit Pacolli, “pasi që e njëjta nuk mund të vazhdonte më shumë se një mandat në një mision  dhe është transferuar në Hungari me datë 23/07/2018, pra përpara se të bëhet emërimi i z.Kallaba ambasador në këtë vend”, thuhej në përgjigjen e MPJ-së.

Sipas ministrisë, motra e Memli Krasniqit është punësuar në kohën kur MPJ-në e udhëhiqte Enver Hoxhaj nga PDK.

Biografia e Shpend Kallabës

Ambasadori Shpend Kallaba ka lindur më 1 shkurt 1961 në Komunën e Kamenicës.

Sipas një CV-je të publikuar në ueb faqen zyrtare të Ambasadës së Kosovës në Budapest, Shpend Kallaba u diplomua në vitin 1985 në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë – Departamenti i Gjuhës Angleze. Ai shërbeu si profesor i gjuhës angleze në shumë komuna të Kosovës deri në vitin 2000, në nivel të shkollave fillore dhe të mesme.

Karriera e Ambasadorit Kallaba pas luftës në Kosovë, vazhdoi si Këshilltar i Odës Ekonomike të Austrisë për Kosovë, në Zyrën e Odës Ekonomike të Austrisë në Prishtinë, nga viti 2000-2002. Para se ti bashkohej sektorit publik, ai ishte gjithashtu një zyrtar i lartë në Hekurudhat e Kosovës.

Që nga viti 2004 ka shërbyer në cilësinë e Shefit të Divizionit për Çështjet e Protokollit në Zyrën për Koordinimin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Dialogut Rajonal në Zyrën e Kryeministrit – e cila u atëbotë krijua si bazë për Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Ambasadori Kallaba ka punuar në kabinetet e katër Kryeministrave, në Qeverinë e Republikës se Kosovës përgjatë periudhës 2004-2006.

Gjatë këtyre viteve, ai ndoqi shkollimin e vazhdueshëm në Akademinë Diplomatike në Tiranë, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Përveç kësaj, ai ka punuar rreth protokolit dhe praktikave diplomatike përmes studimeve dhe trajnimeve në Institutin Diplomatik ‘Clingeldael’ të Hagës.

Gjatë vitit 2005-2006, Ambasadori Kallaba thuhet se fitoi përvoja të drejtpërdrejta në Institutin Diplomatik, në Ministrinë e Punëve të Jashtme së Bullgarisë.

Karriera e tij aktive politike filloi gjatë periudhës 2006-2010, si Shef i Kabinetit dhe Protokolit në zyrën Behgjet Pacolli – kryetar i partisë politike Aleanca Kosova e Re (AKR).

Në tetor 2010, Kallaba u emërua Këshilltar për Politikë të Jashtme në Kabinetin e Ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ndërsa ka shërbyer edhe si Këshilltar i politikës së jashtme në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli (shkurt – mars 2011).

Në maj 2012, ai përfundoi një program te shkëmbimit të përvojave në SHBA, në programet e diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, John C. Whitehead dhe Seton Hall University, nën drejtimin e Ambasadorit John K. Menzies dhe Robert L. Berry.

Ai u emërua Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Republikën e Bullgarisë nga prilli 2012 deri në qershor 2018.

Më 26 qershor 2018, Ambasadori Kallaba është dekoruar nga Rumen Radev, President i Republikës së Bullgarisë me Urdhrin e Kalorësit “Madara”, në njohjen e kontributit të tij të jashtëzakonshëm, në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Ai në nëntor të vitit 2018, është emëruar ambasador në Budapest-Hungari, dhe nga janari 2019, shërben në këtë ambasadë.

Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë. Kallaba thuhet se flet shqip, anglisht, bullgarisht dhe serbisht.

Pasuria e ambasadorit Shpend Kallaba

deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, për vitin 2019, ambasadori Kallaba pasurinë e paluajtshme e ka deklaruar se e posedon në pronësi të përbashkët, me vlerë 270 mijë euro.

Si pasuri të luajtshme dhe po ashtu me pronësi të përbashkët, ai e ka deklaruar një veturë të tipit “Nissan Juke”, me vlerë 7 mijë euro.

17 mijë e 445 euro para të gatshme, Kallaba ka deklaruar se i posedon në bankë.

Burimi: AKK