Vjehrri me të renë në një ambasadë, reagon MPJ

Bubulina Krasniqi, motra e Memli Krasniqit, anëtarit të PDK-së dhe Shpend Kallaba, vjehrri i saj, punojnë së bashku në Ambasadën e Kosovës në Budapest.

Për këtë, ditë më parë u raportua edhe në media.

Këshilltari i Behgjet Pacollit, ministër në detyrë i MPJ-së, Jetlir Zyberaj, ka komentuar punësimin dhe transferet e Shpend Kallabës dhe Bubulina Krasniqit.

“Pas pretendimeve të mediave, ne e kemi themeluar një komision për t’i evidentuar të gjitha konfliktet e interesit nëpër të gjitha Ambasadatat dhe do t’i ndërmarrim masat”, ka thënë ai në Jeta në Kosovë.

Ndërsa, në pyetjet shtesë që ka bërë emisioni në adresë të zyrës për media të Ministrisë së Punëve të Jashtme, janë dhënë edhe detaje rreth këtij rasti.

“z.Shpend Kallaba nuk është transferuar në Hungari. Pasi ka përfunduar mandatin në Bullari, z.Kallaba është kthyer në Kosovë dhe më pas është emëruar Ambasador në Hungari më datë 7/11/2018.  Bubulina Krasniqi është dërguar në mision në Bullgari pas më shumë se një viti punësimi në MPJ si Zyrtare e Lartë në Departamentin për organizata ndërkombëtare. Pra, z. Shpend Kallaba është emëruar ambasador në Bullgari nga Presidenti i Republikës së Kosovës, sipas nenit 84 (25) të Kushtetutës. I njëjti mbi këtë bazë është emëruar edhe ambasador në Hungari. Sa i përket ransferit të znj.Krasniqi nga Bullgaria në Hungari është bërë sipas nenit 22 të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm, me vendim të Ministrit Pacolli, pasiqë e njëjta nuk mund të vazhdonte më shumë se një mandat në një mision  dhe është transferuar në Hungari me datë 23/07/2018, pra përpara se të bëhet emërimi i z.Kallaba ambasador në këtë vend”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së.

Sipas ministrisë që udhëhiqet nga Behgjet Pacolli, motra e Memli Krasniqit është punësuar në kohën kur MPJ-në e udhëhiqte Enver Hoxhaj nga PDK.