Po Shkon Dimri, Duke Pritur Tjegullat

Para më shumë se një muaj kur kishte fryrë erë e madhe në rajonin e Istogut, objekti i Gjykatës Komunale në Istog kishte pësuar dëme të konsiderueshme materiale.

Dimri e gjeti objektin në këtë gjendje, duke i zgjeruar dëmet edhe përbrenda objektit. Punëtorët e gjykatës ishin angazhuar ta largonin borën, mirëpo pa shumë efekt.

Administratori i kësaj gjykate, Imer Demaj, ka kritikuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) se nuk ka intervenuar për rregullimin e kulmit.

“E kemi kontaktuar KGJK-në dhe nga ta kemi kërkuar që të sanohet gjendja. Mirëpo atyre iu nevojitet që të kontraktojnë ndonjë operator që do të rregullojë kulmin”, i tha Demaj, Gazetës JnK. Ai thotë se kanë pasur mundësi që vetë t’i marrim tjegullat në ndonjë depo, por kjo nuk iu është lejuar nga KGJK-ja.

Edhe punëtorët e gjykatës të cilët ishin aktivizuar në heqjen e borës bëjnë vërejtje në KGJK-në dhe në kushtet në të cilat gjendet gjykata.

Mirëmbajtësi i gjykatës, Besim Hysenaj, deklaroi se kanë qenë të angazhuar gjatë gjithë kohës për largimin e borës dhe mirëmbajtjen e objektit në këtë kohë të jashtëzakonshme. “Kemi bërë aq sa kemi pasur mundësi të bëjmë”.

Ndërsa, punëtori i sigurimit, Ramiz Blakaj, tha se heqja e borës nuk ka qenë edhe pa rrezik, por e kanë parë të nevojshme që ta bëjnë një gjë të tillë.

Edhe se ende nuk është pjesë e programi të gjykatave model, Gjykata Komunale në Istog ka pasur infrastrukture dhe kushte optimale të një gjykate normale. Por, me kushtet atmosferike të kohëve të fundit, dhe me mosintervenimin në rregullimin e saj ajo mund të shkojë drejt shkatërrimit.