Liderët e Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësit evropianë në Bruksel, 7 shtator 2020 - Foto: REL/European Council

Pikëpamja e Uashingtonit sipas Janusz Bugajskit: Pse Perëndimi është i butë ndaj Beogradit?

Ka perceptime të përhapura në masë të madhe në Ballkan se duke e qetësuar Serbinë, qeveritë perëndimore në fakt po kontribuojnë në destabilizimin e rajonit. Edhe pse presidenti Aleksandar Vuçiq po e ndjek axhendën e “Botës Serbe” dhe po provokon armiqësi ndëretnike, i njëjti trajtohet si një burrë shteti konstruktiv që mund të ndihmojë në sigurimin e sigurisë rajonale. Ka dy arsye kryesore për këtë politikë perëndimore vetëdëmtuese: mashtrimi i konvertimit dhe neveria ndaj rrezikut.

Udhëheqësit amerikanë dhe të BE-së duket se besojnë vërtet se liderët politikë, të tillë si Vuçiq, mund të shndërrohen në demokratë bashkëpunues. Kjo do të ndodhë dukshëm përmes përfshirjes në takime dhe negociata të nivelit të lartë që do të gjenerojnë besim dhe siguri të ndërsjellë. Sipas këtij skenari, edhe një “ish” nacionalist dhe propagandist do ta kuptojë se duhet bërë kompromise nëse Serbia do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe do t’i ofrohen fonde të konsiderueshme për anëtarësim.

Fatkeqësisht, një politikë e tillë e përfshirjes dështoi në mënyrë të neveritshme në rastin e presidentit rus Vladimir Putin. Për vite të tëra, qeveritë perëndimore u angazhuan në diskutime të pafundme, nënshkruan marrëveshje dhe mundësuan që energjia dhe paratë shtetërore ruse të depërtojnë në Evropë duke shpresuar dëhspërimisht se kjo do ta kthente Rusinë në një partner normal. Në vend të kësaj, depërtimi i Moskës në institucionet perëndimore pati efektin e kundërt, duke ia mundësuar Rusisë shantazhin dhe zhvatjen, që u bënë edhe më të qarta pas pushtimit të Ukrainës nga ana e saj në shkallë të plotë në muajin shkurt.

Beogradi i ka shfrytëzuar shpresat naive të Perëndimit për ta parandaluar ndonjë pasojë të fortë për refuzimin e tij për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur. Ndërkohë që angazhohet në bisedime jofinale të ndërmjetësuara nga BE-ja, Vuçiq e kërcënon rregullisht Kosovën dhe kundërshton me vendosmëri pavarësinë e saj. Siç u dëshmua në mosmarrëveshjet e fundit mbi targat e veturave dhe pasaportat, Vuçiq shpesh provokon konflikte për ta provuar dhe diskredituar qeverinë në Prishtinë në mënyrë që të mund ta vonojë pafundësisht çdo marrëveshje qo do të rezultonte në njohjen e ndërsjellë ndërshtetërore.

Beogradit i lejohet gjithashtu të kontribuojë në destabilizimin e Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi pa asnjë pasojë. Edhe pse Vuçiq dhe lideri i Republika Srpskas, Milorad Dodik mund të mos e pëlqejnë njëri-tjetrin, politikat e tyre po përforcohen reciprokisht. Dodik e mban Bosnjën të paqëndrueshme, ndihmon në ringjalljen e pretendimeve nacionaliste kroate ndaj Hercegovinës perëndimore dhe ruan marrëdhënie të ngushta me Moskën. Kjo e ndihmon Vuçiqin ta ndjekë programin e tij të Botës Serbe duke e mbajtur Sarajevën jashtë ekuilibrit dhe duke e larguar fajin nga Beogradi drejt Banja Lukës.

Beogradi është bërë i paturpshëm se veprimet e tij nuk do të kenë ndonjë pasojë serioze nga kryeqytetet perëndimore. Duke e marrë një shembull të fundit, ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq dhe homologu i tij rus Sergei Lavrov nënshkruan një dokument mbi konsultimet dypalëshe në koordinimin e politikave të tyre të jashtme. Megjithëse Brukseli dhe Uashingtoni e denoncuan zyrtarisht këtë veprim, e cila shpërfill haptazi këmbënguljen e BE-së që kandidatët t’i kufizojnë marrëdhëniet e tyre me Moskën, llogaria e Vuçiq ka qenë se fjalët e BE-së nuk do të pasohen nga vepra kuptimplota.

Një arsye e dytë për qasjen e butë ndaj regjimit të Serbisë është shmangia ndaj rrezikut. Qeveritë perëndimore preferojnë ta ruajnë status quo-në për aq kohë sa ajo nuk rrëshqet në dhunë, në vend që të ndjekin një politikë më rigoroze për të arritur objektiva specifike. Vuçiq luan mbi këto frikëra dhe thotë se pa të, pa frikë pra, elementë më radikalë mund ta ndezin një luftë të plotë në të gjithë rajonin. Ai llogarit se Perëndimi do të preferojë të luajë i sigurt në vend që të sfidojë supozimet e tij. Paradoksalisht, një qasje e dobët perëndimore që del të jetë qetësuese ndaj nacionalizmit ekspansionist ka më shumë gjasa të rezultojë në llogaritje të gabuara dhe dhunë sesa një politikë e fortë për konsolidimin e shtetit në Bosnjë, Mal të Zi dhe Kosovë dhe neutralizimin e të gjitha projekteve mbarëkombëtare.

Në rast se Brukseli dhe Uashingtoni nuk e nxjerrin një afat kohor të qartë për njohjen e ndërsjellë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe nuk i specifikojnë pasojat ekonomike dhe diplomatike të mosnjohjes, Vuçiq do të vazhdojë të luajë me kartën e Kosovës për t’i mbledhur nacionalistët dhe për të krijuar pasiguri. Në mënyrë të ngjashme në Bosnje, nëse nuk ka një reagim të plotë kundër separatistëve serbë dhe kroatë dhe një vendosmëri për ta reformuar strukturën shtetërore, ky vend do të vazhdojë të jetë i prirur ndaj destabilizimit të brendshëm dhe të jashtëm.

Nëse pan-serbizmi shihet se po injorohet kryeqytetet kryesore të BE-së, atëherë kjo do të nxisë projekte të tjera irredentiste, duke përfshirë pankroatizmin dhe panshqiptarizmin. Zagrebi shikon me kujdes se si Beogradi po i shfrytëzon dobësitë e SHBA-së dhe BE-së dhe kërkon të imitojë sukseset e tij. Kjo t’i kujton ditët e para të luftës së viteve 1992-1995, kur nacionalistët kroatë vendosën të krijonin shtetin e tyre Herzeg-Bosnjë, kur panë se qeveritë perëndimore po e toleronin krijimin e dhunshëm të Republika Srpska përmes vrasjeve masive dhe dëbimit të boshnjakëve.

Panshqiptarizmi dhe zgjerimi i shtetit gjithashtu mund të ringjallen nëse intensifikohen ankesat lokale dhe shihet se Serbia ka një dorë më të lirë në ndjekjen e agjendës së saj irredentiste. Në Kosovë ka pakënaqësi të kuptueshme, e cila, për dallim nga Serbia, ka ndjekur politika të jashtme në përputhje me atë të Brukselit, por nuk trajtohet me asnjë preferencë. Zhgënjimi i përhapur publik me kushtet ekonomike dhe agjencitë ndërkombëtare mund të shfrytëzohet dhe përkeqësohet nga politikanët ambiciozë për të premtuar bashkimin kombëtar si një formë shpëtimi. Nëse mbështetja popullore për bashkim rritet, atëherë një grup i gjerë politikanësh do të fillojnë të konkurrojnë në axhendën mbarëkombëtare.

BE-ja po e qetëson gjithashtu Vuçiqin pavarësisht politikës së tij pro-Kremlinit. Një politikë e fortë do ta përfundonte çdo fond të para-anëtarësimit dhe do ta pezullonte ofertën e Serbisë për anëtarësim në BE, nëse qeveria nuk e respekton konsensusin evropian për ta sanksionuar Moskën për sulmin e saj ndaj Ukrainës. Edhe pse Parlamenti Evropian më në fund ka ndërmarrë një iniciativë të tillë, rezultatet mbeten të pasigurta. Serbia po bëhet një qendër për biznesin rus dhe fragmentarizimin e sanksioneve pa asnjë pasojë. Qeveritë perëndimore duken të pavëmendshme ndaj kërcënimit në rritje dhe madje mbështesin iniciativa të tilla si “Ballkani i Hapur”, duke besuar se do ta nxisë bashkëpunimin rajonal. Në praktikë, nisma të tilla janë të dizajnuara për të rritur rolin rajonal të Serbisë dhe depërtimin ekonomik të Moskës pa asnjë përfitim për qytetarët e zakonshëm.

Qeveritë perëndimore përballen me një zgjedhje të ashpër në trajtimin e nacionalizmit ekspansionist në Ballkan. Ato mund të vazhdojnë të besojnë se do t’i kthejnë radikalët në të moderuar ose mund të vendosin kushte dhe orare të rrepta për ekzekutimin e marrëveshjeve dhe ta ndalojnë çdo përfitim financiar dhe ekonomik nëse nuk ka përputhje. Në fund të fundit, nuk ka rrugë të mesme./nap.ba

Janusz Bugajski është anëtar i lartë në Fondacionin Jamestoën në Uashington DC. Libri i tij i ri, “Shteti i dështuar: Një udhëzues për thyerjen e Rusisë” (Failed State: A Guide to Russia’s Rupture), sapo është botuar.

Përgatiti: Nuhi Shala