Peja Pret Ministrat Rajonalë të Mbrojtjes

Ministrat e Mbrojtjes të gjashtë vendeve të rajonit janë mbledhur sot në Pejë, ku kanë kërkuar forcimin e lidhjeve dhe të bashkëpunimit, në funksion të paqes.

Në konferencën e parë rajonale, të organizuar nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të NATO-s dhe SHBA-së.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në hapje të konferencës, i ka porositur përfaqësuesit e ministrive të mbrojtjes të rajonit që të forcojnë lidhjet, bashkëpunimin dhe miqësitë, në mënyrë që të ruhet paqja dhe stabiliteti në rajon.

“Forcat e armatosura ne vendet demokratike sot janë pjesa me e respektuar e shoqërisë. Ato vihen ne shërbim të qytetarëve dhe vendit, të gatshme të intervenojnë kudo që paraqitet nevoja për të ndihmuar qytetarët në kuadër te një gërshetimi të misionit civil emergjent me misionin ushtarak parandalues dhe intervenues”, ka thënë Jahjaga, transmeton Presidenca.

“Kërcënimet ndaj sigurisë sonë kombëtare nuk janë probleme te izoluara dhe specifike për vendet tona respektive. Sfidat me te cilat përballet rajoni janë kërcënime te natyrës transnacionale dhe globale, qe nuk njohin kufij shtetëror. Qasja jonë në forcimin e institucioneve tona është në përputhje me këto trende: në periudhat moderne politika e sigurisë se një vendi padyshim është e lidhur me politikat e sigurisë rajonale dhe globale”, ka theksuar ajo.

Kurse kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se Republika e Kosovës është dhe gjithmonë do të jetë partner serioz për paqe dhe stabilitet në rajon.

“Vetëm një Ballkan që jeton në harmoni dhe është pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, është rruga dhe vizioni që duhet të ndjekim. Kjo rrugë nuk do të jetë e lehtë dhe kërkon shumë përpjekje dhe përkushtim nga ne. Mirëpo, suksesi është i garantuar nëse të gjitha shtete punojnë së bashku, për të adresuar sfidat, për të ndërtuar konsensus të përbashkët për çështjet e interesit vital”.

“Gjatë këtij procesi, të gjitha shtetet e Ballkanit, duhet të përqafojnë dhe çmojnë kulturat edhe diversitetin e njëri-tjetrit. Duhet të bashkohemi fuqimisht me njëri-tjetrin, për zhvillimin e përbashkët dhe prosperitet, për të ardhmen e përbashkët në Bashkim Evropian, dhe në NATO”, shtoi kryeministri Thaçi.

Ministri Agim Çeku ka folur për objektivat e anëtarësimit të FSK-së në NATO dhe strukturat e sigurisë në rajon.

Serbia nuk është ftuar fare në konferencë.