Pacolli - Hajgare me Shtetësinë e Kosovës

Jo që nuk është dashur të lejohet që skandali i Malit të paraqitet, por që pas rastit të pavërtetës për Nigerinë dhe Ugandën është dashur të kërkohet llogari dhe dorëheqje nga ana e Zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli.

Çfarë po ndodhë?

E para: Kjo tregon që z.Pacolli nuk ka asnjë përgjegjësi dhe normë të veprimit institucional. Një listë çështjesh të ndërlidhura me aktivitetin e tij tregojnë fytyrën e vërtetë të asaj se çka në fakt z.Pacolli i ka sjellë Kosovës dhe politikës së saj. Në kohën e mundimeve dhe përpjekjeve për mbijetesë në Kosovë, Pacolli nuk është dukur asgjëkund (jo pse nuk ka dashtë dhe ndoshta shkaku i rrezikut të madh), por sistemi i vlerave të krijuara gjatë asaj kohe nuk ka qenë i ndërtuar në lojërat e parave dhe tenderëve, por mbi vlerat e udhëhequra nga sakrifica dhe ideali për liri e demokraci. Por pas luftës, z.Pacolli nuk ka mundur t’i mbijetojë në asnjë moment tentimit për të përvetësuar ndonjë kontribut për apo rreth luftës për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Populli i Kosovës zakonisht nuk i ka “blerë” këto gjëra, përveç disa parashutistëve që ose e kanë shfrytëzuar partinë e tij si mjet të realizimit të ëndrrave të veta për të qenë të pasur ose nga disa që partitë tjera i kanë vendosur aty për të kontrolluar qëndrimin e AKR-së. Por mos të harrojmë që me të gjitha që i ka ky lojtar politik, gëzon vetëm një përqindje të vogël të votave të elektoratit. Në asnjë vend në botë nuk lejohet që një strukturë me një morfologji politike të këtillë dhe fuqi elektorale çfarë ka z.Pacolli dhe AKR, t’i lihet në dorë eksperimentimi me shtetin dhe imazhin e tij, sidomos kur shteti gjendet në fazën e shfrytëzimit të asaj që quhet “përshtypja e parë”. Si në çfarëdo rasti tjetër, nuk ka dy shanse për të krijuar përshtypjen e parë, sidomos në ato shtete që fare ose pak dinë për Kosovën.

E dyta: Ky njeri që në shumë aspekte i ngjan efektit të Milan Paniqit në Serbi – milionerit serb të pasuruar në Amerikë dhe që në fillim të nëntëdhjetave u bë shkurt Kryeministër i Jugosllavisë në të nëntëdhjetat – është indikator i madh për të treguar fatkeqësinë që ka Kosova me strukturën e saj aktuale të qeverisjes. Është anakronike dhe ofenduese kur Kryeministri i vendit deklarohet se kjo është qeveria më mirë që ka pasur Kosova. Z.Pacolli me veprimet e veta e dëshmon të kundërtën, ndonëse nuk është i vetmi pasi vetëm në vijën e partisë së tij veprimet janë të njëjta dhe shkojnë në favor të përfitimeve personale sikurse është rasti i ministres së Tregtisë dhe Industrisë me vendimin e saj për taksën doganore për çimento, pastaj përfitimet nga pozicionet politike të ish-zëvendësministrit të Punëve tëJashtme për tu bërë rektor i universitetit publik. Të dhemb koka nëse i numëron të gjitha. As kombinatorika matematikore e as matematika e probabilitetit nuk të ndihmojnë për të sqaruar krejt lidhjet dhe hapat që janë dhe po bëhen në dëm të së ardhmes së shtetit fragjil dhe të vogël të Kosovës.

E treta: Është jo etike dhe jo morale që në program politik qeverisës të lejohet që një parti private me një përqindje të vogël të votave të luaj karamboll me idealin e një populli e sidomos me gjeneratat që ende mbajnë të freskëta kujtimet për ato që kanë ndodhur, kush çka ka bërë në atë kohë dhe që diku, në margjinat e të njëjtës kujtesë, gjithashtu e kanë projeksionin e shtetit të ndershëm, pa korrupsion e pa ekuivoke manipuluese, por me agjendë të qartë për zhvillimin e një shteti të mundësive të barabarta, ku diverstiteti i regjioneve dhe qyteteve e fshatrave do të jetë pasuria dhe atraktiviteti i Kosovës dhe jo faktor për përçarje e kontroll ndaj tyre; burimet natyrore dhe popullata e re do të jenë resurset për të arritur shkallën e zhvillimit së paku sa vendet në rajon dhe jo mundësi pasurimi i pushtetarëve dhe shitje e atyre resurseve për interesa individuale dhe klanore.

E katërta: Z. Pacolli dhe partia e tij ka ardhur në pushtet me premtimin për zhvillim ekonomik dhe krijimin e vendeve tëreja të punës. Partia e tij ka qenë ndër më të zëshmet për planin e ashtuquajtur “Plani Bansko”(qyteti bullgar ku zyrtarët e ministrive kishin draftuar një plan për zhvillim ekonomik) dhe ka marrë pjesë në promovimin e tij nëpër botë.Të gjitha këto janë bërë me buxhetin e shtetit. Po, në fakt, çka ka ndodhur me premtimet?- Kosova i ka punët më keq se që i ka pasur më herët. Çdo vit, Kosovës i dalin në treg rreth 30 mijë të rinj që kërkojnë punë ndërsa janë krijuar zero mundësi për vende të reja pune. Argumenti se qeveria nuk krijon vende të reja të punës është sa i vërtetë po aq edhe i paqëndrueshëm. Nëse qeveria nuk mund dhe nuk di të ndihmojë, së paku nuk duhet ta bëjë të pamundurën për të ndaluar zhvillimin. Për shembull në sektorin e energjisë së ripërtritshme po bën çdo gjë që të parandalojë zhvillimin duke stërzgjatur procedurat e lejeve dhe duke mos bërë asgjë për të lehtësuar zhvillimin e këtij sektori të ri të ekonomisë. Ose në rastin e zhvillimit të agrokulturës bën subvencionime qesharake të kulturave masive sikur që është gruri e misri kur është e qartë se Kosova nuk u bën asnjëherë konkurrencë shteteve fqinjë që kanë hapësirë me qindra herë më të madhe dhe, në anën tjetër, importon molla dhe mish pule prej Amerikës Latine, ndërsa plantacionet e mollës dhe pemëve tjera janë shkatërruar në mungesë të politikave të mençura zhvillimore. Funksionimi i gjykatave dhe ligjit dhe mungesa e vullnetit politik për pavarësi të këtij sektori është baza e moszhvillimit dhe pabesueshmërisë për investime serioze. Z.Pacolli ka shfrytëzuar pozitën e vet politike për tu pasuruar tutje me tenderë si në rastin e shumëpërfolur të pallatit të mediave apo në privatizimet tjera si ato të tokave pjellore që kanë qenë pronë e kooperativave e që janëpërvetësuar kryesisht nga pronar serbë pas luftës. Përfitimet tjera janë edhe më direkte se kaq dhe fusin dorën direkt në xhepin e shtetit duke bërë marrëveshje për akomodimin e mysafirëve të qeverisë në hotelin e tij.

E pesta: Ky njeri i rrethuar nga njerëz që janë paraqitur si këpurdhat pas shiut në periudhën e pasluftës, për të cilët politika është mjet për pasurim, nuk ka mundur në asnjë mënyrë të vetëkorrigjohet nga satelitët e tij parazitë pasi ata, mes tyre edhe ish-gazetarë, kanë shkruar çdo gjë të mirë për të derisa kanë fituar hisen për të“thithur” së bashku buxhetin e shtetit. Të njëjtit ia konfirmojnë teorinë se të qenit në pushtet është forma më e mirë dhe e sigurt për të krijuar mini-mbretëri mbi kurrizin e qytetarëve dhe shtetit që nuk e ka as forcën e as vullnetin të sigurojë përgjegjshmërinë e nevojshme për të siguruar funksionim normal. Në cilindo shtet tjetër dorëheqja kish me qenë hap normal pas gabimit dhe gënjeshtrës, por nëse kjo nuk ndodhë atëherë shefi i përgjegjësit kish me i thënë se janë tejkaluar vijat. Por, në këtë rast, edhe shefi i ka kaluar të gjitha vijat, e edhe shefi i diplomacisë nuk bën zë – si gjithmonë. Kështu, e vetmja rrugë mbetet që qytetarët të reagojnë dhe kërkojnë, se kupa është mbushur e Kosovën po e mbulon marrja.