Nëse Preken Kufijtë, Shqiptarët në një Shtet

Thaçi i ka cilësuar si provokuese dhe rrezik për konflikt të ri pretendimet serbe për mbajtjen e zgjedhjeve.

Ndërkaq, ka porositur se nuk ka autonomi për veriun e banuar me shumicë serbe dhe as ndryshim të kufijve të shtetit të Kosovës.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës janë të papranueshme.

“Pretendimet që paraqiten aty-këtu për ndonjë autonomi apo status special, nuk janë të vërteta, janë të paqëndrueshme dhe nuk do të ndodhin. Edhe sa i përket pretendimit për ndryshimin e kufijve, unë ua kam bërë të qartë në emër të Qeverisë të gjithë miqve ndërkombëtarë mesazhin e të gjitha institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës se me pretendime të tilla për ndryshimin e kufijve shqiptarët më së miri dhe më së lehti mund të jetojnë në një shtet të vetëm”, tha Thaçi, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Seanca e Kuvendit pritet të vazhdojë punën pasdite, ndërsa në rend dite do të jetë miratimi i rezolutës kundër zgjedhjeve serbe në Kosovë.