Në Mes të Bjeshkës dhe Pa Rrymë

Familja Hoti në fshatin Sukë të Cermjanit në komunën e Gjakovës ka gati 10 muaj që ka mbetur pa energji elektrike, si pasojë e një fatkeqësie natyrore, që kishte ndodhur në vitin 2011. “Zgjidhja” e vetme për këtë familje janë qirinjtë dhe disa llampa akumuluese.

Suka e Cermjanit është një fshat me lartësi rreth 700 metra mbi det, në qendër të Dushkajës së Gjakovës. Në maje të Sukës, dhe rreth saj, ekzistojnë disa objekte të vjetra të kulturës shpirtërore e fetare, si xhami e tyrbe, të cilat datojnë që nga kohë të vjetra.

Këto objekte kulturore, të cilat janë pjesë e fshatit të Sukës janë edhe pjesë e familjes Hoti nga ky fshat. Kjo familje ka tash e gati 18 vjet që përkujdeset për këto objekte dhe për pasurinë e tyre aty.

Suka është një zonë malore, një pjesë e së cilës, korrikun e vitit 2011, kishte marrë flakë. Si pasojë e këtyre flakëve ishin djegur edhe shtyllat elektrike, të cilat furnizonin me energji elektrike familjen e vetme në këtë zonë. Pas djegies së malit dhe shtyllave elektrike, kjo familje ka mbetur pa energji elektrike.

Gëzim Hoti, anëtar i kësaj familjeje, rrëfen se sa kanë qenë të vështira, ditët dhe netët pa energji elektrike, sidomos gjatë dimrit të ftohtë të sivjetmë. “Gjithçka që e kemi pasur më rrymë, tani duhet t’i bëjmë me dorë. Teshat i lajmë me dorë, ujin e ngrohim me zjarr… Bëjmë jetë primitive, pa rrymë si në mesjetë”, shprehet ai, për Gazetën Jeta në Kosovë.

Familjes Hoti kur ishin lidhur me rrjetin elektrik të fshatit, KEK-u u kishte dhënë 1100 metra tel elektrik, i cili pas djegies është “zhdukur”. Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, thotë se humbja e kësaj sasie të telit ka qenë arsyeja pse kjo familje ka mbetur pa rrymë. “Kur humbin 1100 metra tel, bëhet fjalë për shpenzime të mëdha”.

Hoti për këto metra tel elektrik të zhdukura ka këtë shpjegim: “Ajo kabllo elektrike kanë qenë me 4 fije, të mbështjella me material plastik. Kur është djeg mali, zjarri e ka djeg pjesën plastike. Kurse një pjesë të telit, ne dyshojmë që e kanë marrë fshatarët që kanë shtëpitë më poshtë. Një pjesë prej rreth 100 metra që ka shpëtu prej zjarrit, ne e kemi marrë dhe e kemi ende. Sot me ardhë e shihni. Për pjesën tjetër, ne nuk e dimë se kush e ka marrë”.

Familja Hoti ishte ankuar edhe në Komunën e Gjakovës, por thonë se nuk kishin gjetur përkrahje. “100 herë kemi shku në komunë, jo që s’na kanë dhanë ndihmë, po as nuk na kanë pranu me bisedu bile”, thotë Hoti.

Një zyrtar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike thotë se me këtë familje patën rënë dakord që ata ta bëjnë një kërkesë me shkrim, ndërsa gojarisht iu patën premtuar se do t’iu ndihmojnë. “Ju thashë që diçka ndihmon Komuna, diçka KEK-u, edhe ju participoni…Por ata nuk bënë kërkesë me shkrim më nuk erdhën”, tha ky zyrtar.

Edhe pse familja Hoti, ankesën e tyre në komunë e kishte adresuar menjëherë pas ngjarjes, Drejtoria e Shërbimeve Publike nuk është interesuar më për gjendjen e saj. Ky zyrtar, i cili nuk deshi që emri t’i publikohet në gazetë, arsyetohet se janë vetëm shtatë veta në drejtori, “kurse kërkesat janë të shumta”.

Menjëherë pas aksidentit, familjes Hoti i ishte bërë një zgjidhje “e përkohshme” nga PTK-ja, e cila i kishte lejuar të furnizohej nga një trafo e saj në afërsi. Por, pas rreth një muaji, ishte shkëputur, “për shkak të disa mosmarrëveshjeve në mes të dy palëve”, sikur tregon Buzhala.

Së fundi, familja ka rënë dakord që të lidhet me një trafo të operatorit tjetër të telefonisë mobile, IPKO. KEK-u kishte premtuar se këtë të hënë do të bënte kyçjen në këtë trafo, duke investuar për pjesën e nevojshme të kabllos elektrike, kurse sigurimin e shtyllave elektrike e ka marrë përsipër vetë familja.

“Shtyllat elektrike që i kemi ne janë lisa të malit, nuk e di sa janë funksional po se çka ka me ndodhë ma vonë me ta barrën e merr KEK-u”, tha Gëzim Hoti.

Por, deri të enjten në mbrëmje, rryma nuk ka ardhur te kjo familje.