(Mos)Mungesa e Guximit

“E ku ta gjejmë guximin?! Guximtarët nuk ta japin!”. Kështu ka shkruar dikur polaku me origjinë hebreje Stanislaw Jercy Lec, i njohur si poet dhe autor gjuhëmprehtë aforizmash. Atij i ra në hise të përjetojë luftën e dytë botërore (ka qenë i dënuar në një kamp përqendrimi gjerman) dhe komunizmin në Poloni, dhe siç mund të merret me mend jeta e tij nuk ka qenë edhe aq e lehtë: të dyja këto përvoja (lufta e përgjakshme botërore dhe komunizmi) kanë pasur të përbashkët shprishjen e individit, tëhuajsimin dhe zvetënimin jo vetëm të individit, por të gjithë shoqërisë. Ata që e njohin veprimtarinë e tij letrare, politike apo dhe diplomatike e dinë se S.J Lec nuk ishte njeri pa guxim. Madje shquhej për guximin e tij!

Ai nuk arriti ta shohë komunizmin të rrëzohet (vdiq më 1966), por pati guximin ta kundërshtojë atë. E gjeti guximin te vetvetja sepse ishte i tillë: guximtar!

Në përsiatje të asaj që ai ka thënë dekada më parë, mundohem të përqas guximin e tij me guximin që nuk e gjej këtu, në vendin dhe kohën time.

13 vjet më parë kur Kosova sapo ishte çliruar dhe entuziazmi i përligjur i lirisë ishte në pikën më të lartë të kurbës së vet, gjithçka dukej ndryshe. Shumë më e bukur, shumë më e lehtë për tu përballur. Askush aso kohe nuk mendonte sesa e vështirë do të ishte përballja e përditshme me lirinë.

Një poet kosovar kishte shkruar në ditët e okupimit se “liria është një mut i madh”. Aso kohe vargu i tij heretik më shumë se vërtet heretizëm shihej si shenjë e protestës artistike për lirinë e munguar. Diçka në tipin “dhelpra dhe rrushtë” të fabulës së La Fontenit.

Vite më pas, kur liria e munguar erdhi, vargu në fjalë fatkeqësisht rezultoi paksa profetik.

Plot 13 vjet pas çlirimit për pjesën dërrmuese të qytetarëve të Kosovës, atyre entuziastëve të dikurshëm që të palodhur në entuziazmin e tyre ngjitës për vite me radhë e renditën Kosovën në vendin e parë të vendeve më optimiste në botë, liria vërtet ka rezultuar të jetë hiç më shumë e hiç më pak se një mut i madh… Së paku kjo është shija që u jep përballja me realitetin e përçudnuar në 13 vjet liri.

Shpresat janë fikur dhe guximi qytetar është strukur diku pa shenjë e pa gjurmë.

E siç ka thënë Stanislaw Jercy Lec, guximin nuk e gjen kurrkund, përderisa guximtarët nuk ta japin. Dhe, guximtarët nuk sillen më kësaj ane, në këtë kohë e në këtë shoqëri. Edhe nëse janë, kanë harruar ta ngrenë zërin, të kundërshtojnë guximshëm.

Jo vetëm qytetari i thjeshtë që ligjërisht të drejtën për të guxuar e ka deleguar me elegancë përmes votës te të zgjedhurit e tij, por madje edhe opozita që e ka për detyrë primare të guxojë, e ka humbur guximin. Rrallë, ajo zgjohet nga letargjia opozitare, kthjellet sa për të treguar se ende gjallon në sallën e Kuvendit apo në ndonjë zyrë partiake dhe vetëm kaq. Këtu përfundon guximi i saj. Ajo nuk ka madje as guximin minimal për të guxuar…

Ndërkaq, gjithçka që me vite po ndodh në këtë shoqërinë tonë të vogël që përpëlitet në ngrehinat e një shteti të brishtë, është aq e pakuptimtë, e patolerueshme, e paskrupullt e mbi të gjitha aq fyese. Fyese deri në nerv, deri në gërdi. Por është edhe grishja më e madhe për më shumë guxim: grishje e kotë dhe e pakuptimtë kjo si gjithçka tjetër këtu, në këtë Kosovën tonë të vogël, ku gjen gjithçka, përpos guxim qytetar, sepse tashmë e kemi gjetur edhe alibinë e tipit… “e ku ta gjejmë guximin?!Guximtarët nuk ta japin!”…

Nuk e di çka më shkrepi të flas për guximin dhe guximtarët e munguar. Nuk është e vërtetë! Këtu ka shumë guxim, ka edhe shumë guximtarë!

Guximtarët kanë guxuar ta përçudnojnë shtetin pa e ndërtuar akoma, kanë guxuar ta rrjepin këtë vend në llogari të interesave të veta…

Për të gjithë ata që nuk e dinë, shuma e përfituar nga shitja e aseteve publike është qesharake. Kosova çdo ditë rangohet në krye të listave për vendet me krim të organizuar e korrupsion të lartë. Vota vidhet ashtu sikurse pasuria e përbashkët. Fjala publike hahet më lehtë se gjella e drekës, premtimi elektoral shkrihet si flluskë dëbore dhe e vetmja flluskë që nuk u shkri akoma as në këtë vapë e të nxehtë afrikan është fusnota e Edita Tahirit.

Kosova ende përpëlitet në procesin e pambarimtë të liberalizimit të vizave- 15 muaj kanë shkuar dhe premtimi elektoral nuk u mbajt. Kemi mbetur gropa e zezë e Ballkanit në këtë proces- as 2 milionë njerëz që e “kërcënojmë” Evropën, e nuk na pranojnë brenda. Koncesionet ndaj Serbisë me bekimin e aleatëve dhe miqve tanë më të mëdhenj shtohen dhe jemi ne vetë ata (qeveria e Kosovës, alias Hashim Thaçi) që i bëjmë koncesionet. Dorën në zemër ndihmën dhe shtytjen e madhe e kemi nga ndonjë ambasador i akredituar këtu. Më e keqja është se koncesionet i bëjmë në kurriz të Kosovës me efekte afatgjata për interesa afatshkurtra të ndonjë dite më shumë në mandate të diskutueshme pushtetarësh.

Mitrovica edhe për më tej mbetet e ndarë në Urën e Ibrit, de facto dhe de jure është e tillë: e ndarë! Sigurisht që sot, pas 13 vjetësh Shkurte Fejza nuk do kishte guxuar të këndonte “Jo nuk ndahet Mitrovica pa u farue djem e çika” dhe ndoshta në këtë bjerrje guximi edhe është penduar për entuziazmin e dikurshëm…

Veriu tashmë është bërë problem i patejkalueshëm. Pa çare do përballemi me të. Është kthyer në gangrenë dhe, edhe pse pushtetarët janë përbetuar se s’ do ketë bisedime politike, ato janë në prag. Pritet sall të pajtohet Serbia me formatin e tyre. Ne nuk kemi guximin të kundërshtojmë ndërkombëtarët. Madje as atëherë kur interesat e tyre bien ndesh me interesat e vendit, bien ndesh me kushtetutshmërinë (fjalë me të cilën e kanë gojën plot politikanët).

Përndryshe nuk do na kishte ndodhur që një ambasador ta quante veten me mburrje “Zeusi i Kosovës”.

E ndërsa fshati digjet… pushtetarët hahen për influenca, garojnë madje edhe brenda llojit. Ende sot e kësaj dite vazhdon lufta e pakuptimtë për merita në njohjet e Kosovës. Numri i vendeve që na kanë njohur është evaziv, deklarohen me të madhe njohje të pritshme, ndërkaq asgjë nuk ka lëvizur nga pothuaj 5 vite më parë: ende 5 vende të BE-së s’na e njohin shtetësinë.

Papunësia rritet përditë, varfëria po ashtu, kriza e rrymës dhe e ujit është permanente dhe duket se gjithçka shkon teposhtë. Shteti nuk mund t’i përgjigjet më qytetarit. Së paku jo ky lloj shteti që kemi ndërtuar. Të ngjashëm, me shtetet e Afrikës, ku paraja dhe pasuria është mbledhur në dorën e 2 për qind të njerëzve (nënkupto pushtetarët) dhe pjesa tjetër t’i bëjë çare vetes.

E shihni pra që përkundrejt qytetarëve të tyre, pushtetarët e sotshëm dhe ata të djeshëm, madje edhe ata që do vijnë nesër në pushtet e kanë gjetur guximin?
 
Merita e tyre më e madhe është se kanë guxuar të na e shndërrojnë shijen e lirisë në shijen e një muti të madh…