Rrëfimi për Agimin

Agimi është një mesoburrë nga Prishtina. Jeton mu në qendër të qytetit, në një shtëpizë të vogël, e cila gati sa s’po rrëzohet. Shtëpiza e tij ngjan edhe më e vogël e më e gjynahshme ç’ prej ditës që kapur me të u ndërtua hijerëndë blloku i banesave në të cilën unë banoj. Ditën rreket të fitojë disa euro të pakta duke larë makina para oborrit të shtëpizës së vet, ndërsa në mbrëmje rreket të fitojë ca euro të tjera edhe më të pakta duke mbledhur bërllokun e banesave të shumëkatëshit ngjitur me shtëpizën e tij. E shoh pothuaj çdo mbrëmje kur së bashku me dy vajzat e tij të vogla troket në dyert e banesave për të marrë bërllokun e pastaj me një karrocë të vogël e dërgon në pikën më të afërt të kazanëve të bërllokut. Ah, po… harrova t’ju tregoj se këtë “punë të dytë” Agimi e ka fituar falë Komunës e cila përkundrejt dhjetëra kërkesave të banorëve të lagjes, nuk e ka parë të arsyeshme që të vendosë disa kazanë plehrash. Kazanët më të afërt janë diku rreth gjysmë kilometri larg…

Agimi, të cilit kurrë nuk ia mësova mbiemrin, mbijeton prej këtyre dy “punëve” në të zezë. Autolarja e tij e improvizuar natyrisht që nuk është e regjistruar, ashtu sikurse edhe puna tjetër, ajo e mbledhësit të bërllokut nuk është as e sigurt, e as shumë fitimprurëse. Ai nuk ka asnjë punë tjetër.

Agimi ka dy vajza të vogla, të cilat mësojnë në shkollën fillore. I shoh gati përditë tek shkojnë apo kthehen nga shkolla me nga një çantë në shpinë që është edhe më e madhe e më e rëndë se shtati tyre dhe i shoh pothuaj çdo mbrëmje tek ndihmojnë babanë e tyre për të mbledhur derë më derë e kat më kat qeset e bërllokut, të cilat më pas i dërgojnë me një karrocë të vogël rreth gjysmë kilometri larg.

Fytyra e tyre është fytyra e varfërisë që e ka kapluar Kosovën. Dhe… ato nuk jetojnë në ndonjë zonë të largët e të thellë rurale, as në periferi e as në ndonjë provincë. Jetojnë në qendër të Prishtinës, mu aty ku ngjitur me to gjallëron jeta shkëlqimtare…

Dy vogëlushet me fytyra të pafajshme si vetë mosha e tyre po rriten dita ditës me barrën e halleve të varfërisë që e ka kapluar familjen. Në kohën kur moshatarët e tyre argëtohen para kompjuterëve apo TV-ve, ato mundohen të ndihmojnë babanë e tyre tek fiton fare pak euro për një ditë më shumë me bukë. Ato nuk e dinë çka është kompjuteri apple e as IPhone, as Facebook-u, madje nuk e dinë as se çka është një kukull Barbie. Lodrat e vetme me të cilat luajnë, ose ua ka falur dikush ose në rastin më të mirë  i kanë blerë te dyqanet e 1 €-ve…

Jeta është treguar e pamëshirshme me to dhe u ka treguar vetëm fytyrën e varfërisë, me të cilën edhe po rriten.

Babai i tyre Agimi, ndonëse është vital dhe i aftë për punë nuk ka asnjë punë të përhershme. As ndonjë pagë fikse e të sigurt që së paku të mbulonte disa nga shpenzimet e domosdoshme për jetën. Së paku shpenzimet komunale. Prandaj në shtëpizën e tyre të vogël shpesh mungon rryma, pasi KEK- u i rri gati t’ua presë sapo mbushen dy muaj që faturat nuk paguhen.

Agimi nuk i druhet punës, por edhe ajo është bërë mall vështirë i gjetshëm në Kosovë. Punë nuk ka, nuk gjendet. Ai vazhdimisht është në kërkim të një pune, por përpjekjet e tij, të garantuara e kanë vetëm “suksesin” e përhershëm të dështimit.

Kërkesat e tij, ashtu si të gjithë të papunëve në Kosovë janë minimale: kërkon  një rrogë 150- 200€. Me to do të mund të gjendej edhe pse shumë vështirë.

Nuk pret lëmoshë nga kurrkush, aq më pak nga shteti. Nuk pret as ndonjë pension veterani apo invalidi lufte, sepse nuk ka qenë luftëtar, edhe pse mendon se të gjithë ata që i mbijetuan dhe e përjetuan luftën kanë qenë në një apo një tjetër mënyrë luftëtarë të lirisë. Ai ka qëndruar në Prishtinë, në shtëpizën e tij të vogël, në kohën e luftës, ka rezistuar e mbijetuar në qytetin e lindjes. Lufta për të ka qenë sikur të prekësh fundin. Tani e di se ajo ishte vetëm fillimi i fundit.

Fundi s’paska fund. Këtë ja mësoi liria, këtë e mësoi  në këto 5 vite të shtetit…

Si dreqit i rri larg politikës, por ajo s’e lë rehat. E kap për krahu sa herë ka fushata zgjedhore dhe e kap për fyti çdo ditë tjetër mes dy fushatave të radhës. Në të gjitha ditët, pavarësisht sesi politika i rrëshqet nëpër duar e mendje, ai është i papunë, një nga mijëra të papunët e shtetit më të ri të botës.

Në kohë fushatash dhe pas fushatash ai është i papunë dhe i varfër. Skajshmërisht i varfër…

Prandaj edhe ka zgjedhur të mos votojë. E meqë nuk ka votuar kujton se është e pandershme të kërkojë llogari nga deputetët që vetëm një mëditje për seancë e kanë 250 €, shumë që ai as që guxon ta ëndërrojë që ta shpenzojë brenda një muaji…

Vazhdon të jetë i ndershëm në varfërinë e tij. I dinjitetshëm, pavarësisht se varfëria të depersonalizon dhe ta thyen dinjitetin.

Lut përditë Zotin për ndonjë punë, ndonëse duket se edhe Zoti e ka braktisur…

Ai vazhdon të jetojë në shtëpizën e vogël që gati po rrënohet, në shtëpizën ku, në kohë shiu çka bie jashtë, hyn edhe brenda. Jeta është shtrenjtuar aq shumë sa s’i bie kurrë radha për ndonjë meremetim të vogël. Shtëpiza e tij “mbijeton” nën hijen e kompleksit banesor shumëkatësh, kapur për të. Edhe përballë është ngritur një tjetër shumëkatësh banesor, që ja zë edhe atë pak hise dielli. 

Nuk ka më shpresë për ditë të mira, edhe pse shpresa vdes e fundit. Varfëria ja ka vrarë edhe shpresën.

Edhe ëndrrat i janë vrarë me kohë. Të vetmen ëndërr e ka një punë, me të cilën do mund të ushqente vajzat, mbante gjallë familjen.

Pasuritë marramendëse të shumë politikanëve në Kosovë nuk e lakmon, sepse është haram. Djersa është e hallallit dhe ai e do vetëm hallallin.

Agimi është fqinji im i heshtur e modest që lufton çdo ditë me varfërinë. Nuk i interesojnë as rezultatet e bisedimeve, as deklarimet a jo të pasurisë, as pagat e deputetëve, as njohjet, as se cila parti është në pushtet e as imazhi i rrejshëm i barazisë gjinore me zgjedhjen e një gruaje presidente (e para presidente grua në Ballkan).

Agimi kërkon vetëm një punë, me anë të së cilës t’i thotë ndershëm e me dinjitet varfërisë: bye…