Në Vepër Është e Tillë: Autonomi!

Në ditën kur marrëveshja aq shumë e përfolur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u nënshkrua në Bruksel nga dy kryeministrat respektivë, Thaçi e Daçiç, shumica e njerëzve të Kosovës as që e dinin se cilat ishin të mirat apo të këqijat e një marrëveshjeje të tillë. Askush, madje as Parlamenti, para të cilit zoti Thaçi kishte raportuar me vetëdëshirë disa herë për rezultatin e bisedimeve, nuk kishte informata konkrete për atë çka ishte nënshkruar në Bruksel.

Marrëveshja ishte gatuar atje dhe po atje, në kryeqendrën evropiane, edhe ishte nënshkruar nga dy kryeministrat. Gjithmonë nën mbikëqyrjen e rreptë të baroneshës Ashton, kumbares së dialogut politik mes palëve dhe marrëveshjes si fryt real dhe konkret i këtij dialogu.

Marrëveshja u nënshkrua me gjasë në një frymë të fortë presioni ndaj të dy delegacioneve dhe bartësve të tyre, por ndërsa pala serbe e pranoi hapur se ishte nën presion, pala kosovare e kishte mohuar në vijimësi një gjë të tillë. Prej së paku tre takimesh, kryeministri Thaçi kishte pohuar se pala kosovare ishte e gatshme për të nënshkruar (gjithmonë sipas tij pa asnjë presion), por ishte pala serbe ajo që po këmbëngulte e nuk po nënshkruante.

Vetëm një ditë pasi raundi i nëntë i bisedimeve në një maratonë tejzgjatjeje dështoi pa rezultate konkrete, pala serbe e uli bishtin dhe e nënshkroi një marrëveshje me 15 pika.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, të dy palët vrapuan ta paraqisnin marrëveshjen si fitore të tyre: kryeministri Thaçi u deklaroi mediave ndërkombëtare se realisht kjo ishte njohje e Kosovës nga Serbia. Natyrisht që homologu i tij Daçiç e kishte argumentuar nënshkrimin e marrëveshjes si një fitore të Serbisë, e cila, sipas tij, kurrë nuk do ta njihte Kosovën.

E ndërsa entuziazmi i dy nënshkruesve ishte në pikun e vet, pak më ndryshe dukej puna në terren. Në Kosovë e në Serbi, e veçmas në veriun e Kosovës, i cili de juro i takonte Kosovës e de facto ishte i Serbisë, reagimet ishin jo vetëm aspak entuziaste, por edhe kundërshtuese e të mllefosura.

Teksti i marrëveshjes ende nuk ishte zbardhur e së paku në Kosovë. Askush nuk e dinte se çfarë ishte nënshkruar në marrëveshjen e 19 prillit.

Pas zbardhjes dhe publikimit të 15 pikave të marrëveshjes, entuziazmi ishte ftohur dhe reagimet nuk ishin ato që do kishin dëshiruar dy nënshkruesit e saj.

Thaçi u kundërshtua nga një pjesë e opozitës dhe në Serbi punët shkuan edhe më larg: nënshkruesit (serbë) u shpallën tradhtarë…

Ndonëse pas një seance të jashtëzakonshme dhe pas një votimi rekord për nga shpejtësia, Kuvendi i Kosovës përmes një rezolute i dha përkrahje marrëveshjes së nënshkruar më 19 prill mes kryeministrit Thaçi e atij Daçiç, në të seancë u artikuluan qartazi zërat pro dhe kundër, zërat të cilët thërrisnin ose “Rroftë marrëveshja” ose “Poshtë marrëveshja”. Madje nuk munguan edhe tekste poetike të cilat, si në poemat socrealiste, i thurnin lavde marrëveshjes…

Dhe ndërsa ende vazhdon debati për marrëveshjen, e cila keq ose mirë tashmë është punë e kryer (rezultatet e vërteta do t’ia shohim tek më vonë), zërat kundërshtues e mospajtues po rriten veçanërisht nga shoqëria civile dhe opinionistët e pavarur.
 
Në këto kushte, debati besoj se do të vazhdojë edhe më gjatë. Ai e ka fillin pikërisht në momentin kur u publikua lajmi se marrëveshja u nënshkrua. U bë edhe më aktiv kur teksti i marrëveshjes u bë publik.

Është kthyer në një debat të tipit pro&contra, ku secila palë mundohet që zhurmshëm të imponojë mendimin e vet, të imponojë argumentet e veta.

E vërteta është se Kosova nënshkroi një marrëveshje, pasi nuk kishte si bënte ndryshe. Ndoshta vërtet e nënshkroi pa presione si ka thënë në vijimësi zoti Thaçi, por nëse është kështu, nuk ka nënshkruar një marrëveshje të mirë e të favorshme për të.

Keq ose mirë, është Serbia ajo, e cila ndonëse nuk e ka njohur shtetin e Kosovës ashtu si pretendoi kryeministri Thaçi, ndonëse nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera gjatë luftës, ia arriti që në mënyrë të admirueshme të akomodojë serbët e veriut në mënyrën më të mirë të mundshme. Ashtu edhe si ndoshta nuk e kishte shpresuar as vetë.

Sepse, dorën në zemër, serbët e veriut kanë fituar një status që e lakmon secila pakicë etnike në botë. Ata e kanë fituar autonominë, të cilën vetëm nuk ua kanë quajtur të tillë në letër. Në vepër është e tillë: autonomi!

Serbia ia arriti të fitojë një marrëveshje të mirë: askush nuk i vuri kushte për ta njohur Kosovën gjatë marrëveshjes, e për më tepër iu dhanë sinjale të qarta që një gjë e tillë as që i kërkohej.

Serbia arriti që ta ketë të lirë rrugën drejt Europës pa Kosovën si gjemb nëpër këmbë, sepse i është garantuar një gjë e tillë përmes pikës së marrëveshjes “Është arritur pajtimi që asnjëra palë të mos e bllokojë, apo inkurajojë të tjerët për të bllokuar përparimin e palës tjetër në rrugëtimin drejt BE-së”.

Serbët e veriut duket të jenë kundërshtuesit më të fortë të marrëveshjes. Paradoksalisht ata duket sikur mbajnë në duar pankartat “Poshtë marrëveshja”, në kohën kur duhet të kishin mbajtur ato “Rroftë marrëveshja”.

Përshfaqen kundër marrëveshjes jo se ajo nuk është e mirë për ta. Përkundrazi, ua garanton të drejtat edhe përtej kushtetutës së Kosovës. Serbët e veriut thjesht vazhdojnë lojën, jo se kanë vesin e kundërshtimit, por sepse si gjithmonë dinë të këmbëngulin dhe të tentojnë që të përfitojnë sa më shumë nga zbatimi në praktikë i marrëveshjes.

Historike e ka quajtur marrëveshjen kryeministri Thaçi. Kumbara e marrëveshjes baronesha Ashton, e cila përfundimisht e zbuluron CV-në e saj, ka thënë se “nuk duhet gëzuar para kohe. Të dy shtet janë në udhëkryq”. Ajo shpreh besimin te dy burrat e guximshëm (Thaçi e Daçiçi), të cilët, sipas saj kanë, zgjedhur rrugën e paqes.
 
Nuk do ishte çudi t’u jepnin edhe çmimin Nobel për paqe këtyre dy burrave të guximshëm apo më mirë akoma ta ndanin së bashku me zj.Ashton dhe BE-në.

Por, derisa të arrihet kjo, shumë ujëra do rrjedhin sipër, poshtë, lart e anash marrëveshjes dhe ende nuk i dihet se çfarë akoma më shumë do i duhet Kosovës që në zbatimin e saj të bëjë lëshime…

Ende nuk dihet se çka ka përfituar realisht Kosova (dihet që fituesit e deritashëm janë Serbia dhe baronesha Ashton) dhe nuk dihet akoma se cilët palë të debatit pro&kontra kanë të drejtë: ata që thërrasin Poshtë apo ata që thërrasin Rroftë marrëveshja?!…