Miratohet Dorëheqja e Gani Thaçit

Kriteret për këtë pozitë janë të njëjta me ato që kanë herën e kaluar, kur kërkoheshin së paku tre vjet përvojë pune menaxheriale.  Përkundër kësaj, Thaçi nuk ka mundësi të rikonkurojë pasi është tërhequr  nga kjo pozitë, duke shfuqizuar kështu një vendim të Bordit Drejtues, që është organi më i lartë i Byrosë.

“Për dhjetë ditë sa zgjat konkursi, Gani Thaçi do të jetë ushtrues detyre i drejtorit ekzekutiv”, ka thënë Rrahim Pacolli, kryetar i Bordit të BKS-së.

Pas miratimit të dorëheqjes, Asambleja e Byrosë që përbehet nga përfaqësues të kompanive të sigurimit do të shqyrtojë mundësinë e rikthimit, ose jo, të Gani Thaçit në pozitën e zv/drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimit.

“Asambleja do të vendosë për këtë.  Nuk është e definuar saktësisht se duhet të largohet nga Byroja një zyrtar që nuk respekton një vendim të Bordit Drejtues. Ne do ta shqyrtojmë këtë dhe do të marrim një vendim”, ka thënë Pacolli.

Gazeta Jeta në Kosovë pat raportuar se Gani Thaçi, vëllai i kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi, ishte emëruar në javën e dytë të këtij muaji në këtë pozitë që paguhet rreth 4 000 euro.  Në pozitën e mëhershme si zv/drejtor paguhej për 300 euro më pak, pasi paga e tij ishte 3 700 euro.

Bordi Drejtues i kësaj byroje në konkursin e hapur më 29 shkurt, e të mbyllur më 6 mars të këtij viti, kishte vënë si kriter që drejtori të ketë tri vjet përvojë menaxheriale. Thaçi, sipas Pacollit, kishte 3 vjet e gjysmë si zv/drejtor në Shoqatën e Kompanive të Sigurimeve.

Thaçi në këtë garë kishte mposhtur 11 kandidatë të tjerë.

Një javë pas raportimit për emërimin e tij në këtë pozitë Gani Thaçi kishte paraqitur dorëheqjen para Bordit Drejtues të Byrosë Kosovare të Sigurimit. Dorëheqja thuhej se bëhej për arsye personale.

Byroja Kosovare e Sigurimit u themelua më 1 gusht të vitit 2011. Kompanitë e sigurimit që operojnë në Kosovë kishin nënshkruan marrëveshjen për themelimin e saj.

Byroja është përfaqësuese kombëtare në Këshillin e Byrove dhe është përgjegjëse për të gjitha detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në sistemin e kartonit të gjelbër. Kjo organizatë kryen edhe funksionin e Fondit të Kompensimit për pagesën e dëmeve të parashikuara me këtë ligj.