Mes Djallit dhe të Padjallëzuarës

Fundi i vitit të shkuar (2010) dhe fillimi i këtij viti (2011) na gjeti edhe të vjedhur edhe të tallur. Pushtetarëve nuk u mjaftoi varfëria materiale e popullit – e vodhën edhe vullnetin e tij të shprehur përmes votës. Kishte shumë pak arsye për gëzim popullor në Kosovën e fundvitit të kaluar. Një krizë e thellë legjitimiteti demokratik më në fund mund të konstatohej nga të gjithë që donin të shihnin. Koha ishte që populli të shfaqte fuqinë e tij sublime prej krijuesi dhe mbrojtësi të demokracisë. Por kjo nuk ndodhi as kësaj radhe. Në vend të kësaj, zgjedhjet e dhjetorit të kaluar sollën dhunimin më të hapur të votës popullore dhe përgjigja ndaj kësaj ishte një drejtësi e munguar që nuk ndëshkoi shumë prej dhunuesve që mbushën kuti votimi gjithandej Kosovës, ndërkohë që befasia edhe më e madhe për demokracinë kosovare u ruajt për pak më vonë; zarfi nuk mbërriti për festa të fundvitit – babagjyshi ishte vonuar pak për shkak të trafikut të dendur – por kjo u kompensua suksesshëm me intensitetin tallës të befasisë. Pas përpjekjeve të dështuara nga Kuvendi për të zgjedhur presidentin e vendit, fillimi i prillit (6 prill, 2011) na e solli atë si një dhuratë të zarfuar me kujdes. Nuk ia kishim dëgjuar emrin më parë dhe po të ishte dhënë lajmi për emërimin e saj vetëm 5 ditë më parë – pra më 1 prill – do kishim menduar që është ndonjë shaka me rastin e ditës së rrenave. Por ja që nuk ishte 1 prilli dhe neve na u tha që Presidentja jonë e ardhshme është një police punëtore e profesioniste që do t’i bënte mirë imazhit tonë në botë. Kryeministri i djallëzuar nga raporti i Dick Martit duhej patjetër të kundërpeshohej nga një Presidente e panjohur dhe e padjallëzuar. Pasi u vodhëm në fund të 2010, fillimi i 2011 na gjeti edhe të tallur.

Kështu, parimi i famshëm kushtetues amerikan i kontrollit dhe kundërpeshimit ndërinstitucional (“checks and balances”) u instalua edhe në Kosovë, vetëm se këtu kontrolli përmes kundërpeshimit nuk ndodhi ndërmjet institucionesh që kanë burim të fuqisë së tyre vullnetin popullor por ndërmjet imazhesh – atyre që sipas definicioni janë në dorën e shikuesit dhe jo të aktorit. Në rastin tonë, u kontrolluan duke u kundërpeshuar mes vete imazhet moraliste të të pazgjedhurve: imazhi i djallit, vjedhësit të votës dhe të akuzuarit për lloj-lloj krimesh (pavarësisht sa qëndrojnë këto), u kundërpeshua nga imazhi i të padjallëzuarës së pafajshme nga zarfi. Nëse me vjedhjen e votës së popullit bëhet një vepër e ndëshkueshme edhe juridikisht, me emërimin e presidentes së panjohur nga zarfi bëhet një kryevepër politike që bën atentat mbi vetë kushtin mundësues të demokracisë sepse me këtë rast popullit i thuhet që ty të duam vetëm politikisht indiferent – prandaj do të japim një presidente për të cilën s’di asgjë dhe për të cilën rrjedhimisht nuk thua dot asgjë politikisht domethënëse. Mosndëshkimi i shkeljes juridike e hapë natyrshëm rrugën për kryeshkeljen politike që pikërisht duke mos qenë juridikisht e korrigjueshme është shumëfish më e madhe: kryeshkelja politike godet vetë mundësinë e demokracisë, pra potencialitetin e saj për të qenë dhe me këtë rast fiton pandëshkueshmëri, tamam sikur ajo pandëshkueshmëria e veprimit të sovranit kur shpall gjendjen e jashtëzakonshme me ç’rast në mënyrë të ligjshme deklaron që ligji nuk gjen zbatim më. Padyshim: duhet të jesh vërtet sovran i gjithëfuqishëm për të imponuar një figurë krejt të panjohur për presidente të një republike parlamentare dhe për të mbetur i pandëshkueshëm.

Si djalli si e padjallëzuara janë jashtë popullit, por kurrsesi në mes të popullit; njëri është jashtë popullit duke qenë kundër tij në formë absolute përmes leximit ironik të çdo shenje që vjen nga ai – madje duke shkuar aq larg sa edhe votën kundër, shenjën më eksplicite të popullit, duke e lexuar si votë për; tjetra, ndërkaq, është jashtë popullit duke qenë për popullin apolitik e të pafajshëm që letrat e mbyllura në zarf i lexon fjalë për fjalë – si një fillorist që sapo ka mësuar alfabetin – sepse vetëm atij lloj populli mund t’i bëhet presidente një e panjohur që del nga zarfi bash si një befasi e këndshme fundviti. Ndërsa i pari e vjedh popullin duke ia pamundësuar plasimin e vullnetit të lirë, e dyta synon ta lë atë politikisht indiferent përgjithmonë. Ose thënë ndryshe, përderisa shefi i ekzekutivit ekzekuton (vret) vullnetin krijues popullor ditën e zgjedhjeve, simboli i unitetit popullor përligj indiferencën popullore karshi politikës. Mes djallit që bën çmos për të mbetur në pushtet – qoftë edhe duke vjedhur vullnetin e sovranit – dhe të padjallëzuarës së panjohur nga zarfi që e gjen vetën në pushtet krejt papritur, popullit edhe një herë u synua t’i pritet çfarëdo mundësie e mobilizimit politik.

Ja ku jemi tek një fundvit tjetër dhe liria jonë kolektive mbetet larg së qenuri një projekt i realizuar. Por kjo nuk do thotë që beteja e vështirë nuk ka filluar. Janari i ftohtë që do të arrijë së shpejti për të na këndellur nga atmosfera e ngrohtë festive do të na sjell para ftesës testuese për të mbrojtur pikërisht parimin republikan të kontrollit dhe kundërpeshimit ndërinstitucional aty ku subjektiviteti ynë kolektiv po dhunohet më së hapuri: në marrëdhënien e pabarabartë dhe nënshtruese me Serbinë. A do t’i dalim zot mocionit të votuar nga Kuvendi për vendosje të reciprocitetit të plotë karshi Serbisë? Është koha e fundit ta bëjmë këtë.

Gëzuar 2012!