Profesori Carrabregu: Formimi i asociacionit në Kosovë do të ishte variant i Republika Srpska

Gent Carrabregu, profesor në Universitetin Duke të Karolinës Veriore, përmes një shkrimi ka deklaruar se një asociacion i komunave me shumicë serbe në Kosovë, do të nënkuptonte “vdekjen e ngadaltë të demokracisë” në vend.

Sipas tij, një formim i tillë do të ishte një variant i Republika Srpska që është në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Ai thotë se asociacionin e kërkon qeveria e ekstremit të djathtë në Beograd, dhe jo komuniteti serb në Kosovë.

“Prandaj, do ta bënte Republikën e Kosovës një shtet jofunksional të kontrolluar nga Beogradi, duke mbjellë kështu farën e një lufte të re në Ballkan” – ka shkruar profesori Carrabregu mes tjerash në rrjetin social “Facebook”.

Profesori Gent Carrabregu ka shtuar se ndërsa procesi i negociatave për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve po hyn në një “fazë kritike, bashkësia ndërkombëtare duhet të mendojë dy herë para se të përpiqet t’i fusë asociacionet etnokratike në fyt lidershipit kosovar”.

Krahas kësaj ai thotë se duhet shtuar presioni ndërkombëtar në drejtim të Serbisë për të njohur shtetësinë e Kosovës.

“Është krejtësisht e paarsyeshme të bësh presion mbi një lider popullor, vërtet europianist dhe socialdemokrat siç është kryeministri Albin Kurti për të përmbushur kërkesat e padrejta të Beogradit. Në vend të kësaj, duhet të bëhet presion ndërkombëtar ndaj qeverisë së Serbisë për të njohur shtetësinë e Kosovës. Kjo është e vetmja rrugë e qëndrueshme drejt paqes afatgjatë në Ballkan”- ka shkruar ai.

 

 

Ambasada amerikane në Prishtinë më 31 janar do të jetë nikoqire e një diskutimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk është ftuar në këtë takim, ku do të diskutohet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kurti tha se ky takim do të zhvillohet si pasojë e insistimit të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ai tha se ka pritur nga Escobari që të thotë në Beograd se Serbia duhet ta njohë Kosovën, e jo të thotë në Prishtinë se Asociacioni do të bëhet, pavarësisht kryeministrit të Kosovës.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.