Pushteti i Zanafillës Ekskluzive

Një hap përpara drejt të bërit përjashtim i llojit të vet (sui generis) na ka dërguar një hap mbrapa në rrugën drejt të bërit sovranë të vetvetes (sui juris). Kështu ka ngjarë me Kosovën që prej pasluftës, por sidomos dramatikisht dhe paradoksalisht që prej shpalljes së pavarësisë në shkurt të vitit 2008. Sesa e suksesshme ka qenë korniza interpretuese e udhëhequr nga parimi “përjashtim i llojit të vet”, tregon fakti që ka arritur të asimilojë brenda aparatit të vet kuptimësues edhe faktin më të papërshtatshëm për të—shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë, e cila normalisht ka të bëjë paradigmatikisht me të bërit sui juris. Kjo është fitorja hermeneutike par excellence që çdo sistem interpretues a model teorik e ka ëndërruar ndonjëherë në historinë e filozofisë e të shkencës, pra të tregojë sesi edhe e dhëna më e papërshtatshme për të mund të shpjegohet me mjetet teorike të kornizës së vet. Madje, në rastin tonë, jo vetëm që ka arritur të asimilojë këtë të dhënë të papërshtatshme, por në mënyrë krejt perverse, argumenti për Deklaratën e Pavarësisë si diçka e llojit të vet (sui generis) është përdorur si pretekst arsyetues për të vazhduar tutje në rrugën e të bërit përjashtim i llojit të vet (sui generis), respektivisht në rrugën e çsovranizimit të vetvetes, përmes negociatash të padrejta dhe të vazhdueshme me Serbinë mbi çështje të brendshme të Kosovës.

Ndonëse shumë e padrejtë, kjo që ka ndodhur prej shkurtit 2008 në njëfarë mënyre vetëm mund të pritej; çdo model teorik a sistem interpretues kërkon ta riprodhojë botën sipas vizionit të vet. Negociatorët shqiptarë atëbotë pranuan Pakon e Ahtisarit si themel të pavarësisë, duke e pranuar kështu edhe argumentin sui generis si arsyetimin kryesor për pavarësinë e Kosovës. Në zanafillën e pavarësisë së Kosovës u vu pikërisht ekskluziviteti i rrethanave të saj (sulmet e NATO-s, protektorati ndërkombëtar i pasluftës, etj.) që askund nuk i referoheshin asaj që rastin e Kosovës e fut nën konceptin universal të luftës çlirimtare për shkolonizim. Sikur historia e dytë të vihej në zanafillë të shtetit, do të vendosnim bazat për t’u bërë sui juris—zotër të vetvetes dhe si të këtillë të barabartë me shtetet e tjera karshi formës universale të idesë së pavarësisë kombëtare. Në momentin që do të pranohej se rasti ynë është rasti i një populli që bëri luftë të drejtë çlirimtare për shkolonizim, do të nënkuptohej si pasojë e drejtpërdrejtë konceptuale që pavarësia kombëtare e formalizuar me referendum popullor do të ishte i vetmi përfundim i drejtë dhe racional.

Zanafilla nuk duhet shpërfillur, sepse ajo kurrë nuk është vetëm diçka thjesht simbolike. Siç vë re me të drejtë Heidegger, ajo madje duhet të kuptohet në gjithë kompleksitetin spekulativ që e bart në greqishten e lashtë. Arché (zanafillë, fillim) shenjon atë prej ku diçka fillon ose del, por kjo “prej ku” nuk është diçka që lihet mbrapa, në dalje e sipër; përkundrazi, zanafilla bëhet ajo që shprehet në foljen archein (për të sunduar), pra ajo që sundon. Zanafilla e shtetit është fillimi që sundon fatin e mëpastajshëm të shtetit. Nuk është ajo diçka që gjendet thjesht dhe vetëm në fillim të shtetit, siç për shembull larja e duarve nga ana e kirurgut i paraprin operacionit kirurgjik. Dy kapitujt më të rinj që kërcënojnë seriozisht pavarësinë dhe kushtetuetshmërinë e Kosovës, marrëveshja e prillit 2013 dhe mundësia e zgjatjes së mandateve të rezervuara për minoritetin serb, flasin qartë për këtë. A nuk është vetë qeveria Thaçi ajo që, si të parën ashtu edhe të dytën, po mundohet tani të na i paraqesë si premtime zanafillore (d.m.th. si detyrime që burojnë drejtpërsëdrejti nga Pakoja e Ahtisarit, e cila është kategori kushtetuese e pavarësisë sonë ekskluzive)? Pa marrë parasysh sesa i saktë është ky intepretim i Pakos së Ahtisarit, është e qartë se ajo pako jo rastësisht po imponohet si terreni pikënisës që i vendos koordinatat e të imagjinueshmës për debatin publik.

Duhet të thuhet, megjithatë, që edhe Deklarata e Pavarësisë së 17 shkurtit 2008 përmban një moment emancipues të rëndësishëm, të cilin një qeveri me vullnet politik tjetërfare do të mund ta mobilizonte progresivisht në drejtim të heqjes graduale të zinxhirëve kufizues të vendosur përmbi të si pasojë e një kompromisi ndërkombëtar çfarë është pakoja e Ahtisarit. Ky moment emancipaues është pikërisht fjalia e parë e deklaratës, aty ku thuhet “ne të zgjedhurit demokratikë të popullit shpallim me këtë rast Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”; pikërisht në këtë moment ndodh vetëtransformimi i Kuvendit të Kosovës nga një Institucion i Përkohshëm Vetëqeverisës (IPVQ) nën protektoratin e UNMIK-ut në një institucion të popullit dhe shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Nuk është e rastësishme që edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e veçoi këtë moment si argumentin kryesor për përgjigjen e saj negative në pyetjen se a e ka shkelur Deklarata e Pavarësisë ndonjë ligj ndërkombëtar. Siç argumenton vendimi i GJND-së,  këtu nuk mund të flitet për tejkalim qoftë të ligjit të përgjithshëm ndërkombëtar, qoftë atij special, (si p.sh., Rezoluta 1244) sepse institucionet që shpallën pavarësinë nuk ishin ato që i rregullonte Rezoluta 1244—pra,nuk ishin Institucione të Përkohshme Vetëqeverisëse; ato u vetëtransformuan, përmes vetë aktit të shpalljes, në organe të shtetit të pavarur të Kosovës dhe si të tilla nuk mund të konsideroheshin më përgjegjëse ndaj Rezolutës 1244. Natyra performative e aktit të shpalljes, që karakterizon universalisht çdo akt shpallës, nuk i mungoi as shpalljes së 17 shkurtit; madje, nga perspektiva e ligjit ndërkombëtar, e shpëtoi atë nga të konsideruarit një akt i jashtëligjshëm.

Por çfarë ka ndodhur ndërkohë? Qeveria Thaçi ka tradhtuar pikërisht këtë moment përurues me potencial emancipues të Deklaratës së Pavarësisë. Duke pranuar bisedime të vazhdueshme me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës, të ndërmjetësuara nga BE-ja, ka pranuar të ulet në tryezë bisedimesh me dy entitete (Serbia në njërën anë, BE-ja në anën tjetër) të cilat ose janë armiqësisht kundër vetë qëllimit themelor të asaj shpalljeje (rasti i Serbisë), ose janë neutrale karshi të njëjtës (rasti i BE-së). Por, në cilindo rast, që të dyja i bashkon një konsensus përkues i rëndësishëm: të dyja pajtohen që Qeveria e Kosovës e shumta që mund të synojë në mënyrë legjitime si status të njohur ndërkombëtarisht është statusi prej Institucionit të Përkohshëm të Vetëqeverisjes të rregulluar sipas Rezolutës 1244 dhe Kornizës Kushtetuese që kishte rrjedhur prej saj në vitet e para të pasluftës; dokumente të cilat, sipas vendimit të GJND-së, Deklarata e Pavarësisë i kishte pensionuar si joefektive në momentin që kishte shpallur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Më progresiv po na del, atëherë,leximi që GJND-ja i bëri Deklaratës së Pavarësisë, sesa qëndrimet e veprimet e Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Hashim Thaçi.

Nëse zgjatja e mandateve të rezervuara për minoritetin serb do të bëhet realitet, do të përfundojmë me një dhunim tjetër kushtetues që do të dëmtojë Republikën e Kosovës në kapacitetin e saj për të jetësuar dy idealet themelore normative të çdo shteti demokratiko-kushtetues: 1) drejtësinë shoqërore dhe 2) legjitimitetin demokratik të pushtetit politik. Në kundërshtim të drejtpërdrejtë me idenë e drejtësisë shoqërore, me të cilën kuptojmë rregullimin e drejtë (d.m.th. sipas normës së lirive të barabarta për të gjithë) të marrëdhënieve ndërmjet qytetarëve të një shteti, mandatet e rezervuara e institucionalizojnë pabarazinë e qytetarëve të Kosovës, karshi të drejtës qytetare për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur; vota e qytetarit serb do të vazhdojë të vlejë më shumë sesa vota e qytetarëve të tjerë dhe së këndejmi qytetari serb do ta ketë më të lehtë të zgjidhet deputet sesa qytetarët e tjerë.

Në anën tjetër, në kundërshtim me idenë e legjitimitetit demokratik të pushtetit politik, mandatet e rezervuara do ta vështirësojnë edhe më shumë funksionimin demokratik të institucioneve politike. Ky vështirësim do të burojë nga dy drejtime. Njëri drejtim do të jetë vetë shkelja e drejtësisë shoqërore që është në themel të garantimit të mandateve të rezervuara. Drejtimi tjetër, pasojë e të parit, do të jetë mënyra sesi deputetët serbë do ta kuptojnë veten e tyre brenda institucioneve të Kosovës; duke qenë që ata do ta shohin pjesëmarrjen në Kuvend jo si meritë e ushtrimit të së drejtës së barabartë për pjesëmarrje në proceset e formimit racional të opinioneve dhe vullneteve politike të qytetarëve të Kosovës (p.s.h., përmes debatesh publike me tematikë shoqërore e politike, fushatës zgjedhore, etj.), por si kategori privilegjuese të fituar përmes shantazhimit të të njëjtave institucione, nuk do të kenë asnjë motiv për të qenë të përkushtuar dhe të hapur ndaj proceseve të formimit racional të opinioneve dhe vullneteve as brenda forumeve institucionale të shtetit siç është Kuvendi. Duke ia shtuar kësaj edhe atë që e dimë për të vetëkuptuarit etiko-politik të një pjese të madhe të spektrit politik serb në Kosovë—faktin që ata e shohin vetën e tyre si agjentë të Serbisë të vendosur hapur kundër pavarësisë së shtetit të Kosovës, bëhet fare e qartë se Kuvendi i Kosovës s’do mund të llogarisë as në përmbushjen e presupozimit minimal të çdo Kuvendi demokratiko-kushtetues: se ata që e përbëjnë, përkundër të gjitha dallimeve filozofiko-politike që mund të kenë (të majtë kundrejt të djathtëve), janë që të gjithë të përkushtuar në ruajtjen e pavarësisë së shtetit qytetarët e të cilit i përfaqësojnë.

Kjo situatë zbulon kundërthënie që duhet të nxirren në pah. Duhet t’u përsëritet pareshtur mbrojtësve të Pakos së Ahtisarit që njëkohësisht e kuptojnë veten si të përkushtuar për pavarësinë e njëmendtë të Kosovës, se siç po e dëshmon si marrëveshja famëkeqe e prillit 2013, ashtu edhe mundësia e zgjatjes së mandateve të rezervuara për minoritetin serb, zanafilla nuk është thjesht simbolikë e zbrazët. Është koha e fundit për ta kuptuar që zanafilla e shtetit nuk qëndron ndaj të ardhmes së shtetit, siç qëndron larja e duarve nga kirurgu ndaj operacionit që do të ndërmerret më pas. Nuk është e mundshme të jesh edhe për pavarësinë e njëmendttë të Kosovës (sui juris) edhe për zanafillën ekskluzive (sui generis) të saj. Të trajtohesh ekskluzivisht, nuk do të thotë gjithmonë të jesh i nderuar. Të jesh qytetar i një shteti pavarësia e të cilit trajtohet si diçka ekskluzive, ose e llojit të vet, për shembull, është para së gjithash të jesh viktimë e një padrejtësie të shumëfishtë shoqërore dhe politike. Sa më shpejt të kuptohet kjo gjë nga pjesa tjetër e opozitës (LDK-ja dhe AAK-ja), aq më mirë për Republikën e Kosovës.