Kosovari Si Pararojë Europiane

Një debat i nxehtë zuri vend në faqet e së përditshmes gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) në fillim të këtij muaji. Kolumnisti i njohur dhe botuesi i kësaj gazette – Frank Schirrmacher – botoi një shkrim që kritikonte reagimin e elitave politike dhe ekonomiko-financiare europiane ndaj deklaratës së ish-kryeministrit grek Papandreou për mundësinë e organizimit të një referendumi popullor që do lejonte popullin grek të vendoste për mënyrën e daljes nga kriza ekonomike e financiare. Botuesi i FAZ me të drejtë konstatonte se përgjigja e tregjeve financiare, që më pas diktoi edhe reagimin e politikanëve europianë, flet për një krizë të thellë të vlerave dhe idealeve republikane mbi të cilat u hodhën themelet e idesë së Europës së bashkuar pas Luftës së Dytë Botërore. Në vend që rruga që po sugjeronte Papandreou të ishte edhe rruga e vetë Europës, deklarata e Papandreout për mundësinë e zgjedhjes së rrugës popullore indinjoi masivisht elitat politike europiane që, në analizën e botuesit të FAZ, janë shndërruar në të burgosurit e tregjeve financiare. Situata politike ku ka ardhur Europa sot është tejet alarmuese: siç thotë botuesi i FAZ‘it, “kush vendos të pyes popullin përbën sot një kërcënim për komunitetin europian”. Me një fjalë, siç edhe e titullon shkrimin e vetë Schirrmacher, demokracia europiane ka shkuar për lesh.

Dhe kjo nuk është vetëm një epizod në krizën aktuale financiare, por, siç do të insistojë botuesi i FAZ-it, reflektim i një konflikti shumë më themelor e që është beteja për pushtet në mes të dy fushave: asaj ekonomike dhe asaj politike. Kjo betejë, konstaton i brengosur Schirrmacher, siç dëshmoi reagimi i gjithëmbarshëm europian ndaj sugjerimit të Papandreout, po fitohet çdo ditë e më shumë nga fusha ekonomike. Në vend që të jetë vota popullore ajo që përcakton çështjet jetike të republikës, është kursi i këmbimit në tregun e bursave ai që po e bënë këtë gjithnjë e më shpesh. Mundësia e një referendumi grek fundosi treguesit e aksioneve në tregjet financiare e për pasojë politikanët europianë u hidhëruan keq duke e quajtur deklaratën e ish-kryeministrit grek “një papërgjegjshmëri me pasoja të paparashikueshme”. E kjo është vetëm një nga ilustrimet e qarta të fitores së fushës ekonomike mbi atë politike. Një tjetër dëshmi e freskët është ajo e rrëzimit nga pushteti të Berlusconit: siç po argumentojnë me të drejtë cinikët, atë që nuk e bënë dot për vite të tëra kritikët e majtë gjithandej Italisë e Europës – rrëzimin e Berlusconit, pra – e bënë tregjet vetëm për disa muaj. Schirrmacher jep edhe një tjetër shembull: humorin e zi që po prodhohet kohëve të fundit nga disa qarqe financiare me ndikim. Me sa duket, në këto qarqe, ka kohë që qarkullon një batutë interesante që konstaton se zgjidhja më e mirë për krizën financiare greke do të ishte një diktaturë ushtarake që automatikisht do ta diskualifikonte Greqinë nga anëtarësia në Bashkimin Europian.  E gjëja më interesante në këtë mes është që, siç mësohet, duket që batuta është marrë seriozisht nga redaktori i Forbes, një adresë e rëndësishme në botën e publikimeve financiare, i cili, pak më parë, fillimisht kishte titulluar kështu një shkrim të tij: “Zgjidhja e vërtetë greke: një grusht-shtet ushtarak”. Me sa duket, i vënë në siklet nga reagimi i lexuesve, redaktori e kishte ndryshuar pak titullin duke e zëvendësuar “zgjidhjen e vërtetë greke” me “zgjidhjen e neveritshme greke”.     

Korit të zërave të brengosur europianë iu bashkua rishtazi edhe filozofi i njohur gjerman Jürgen Habermas. Duke komentuar mbi shkrimin e Schirrmacher, Habermas u pajtua me konstatimin bazik të botuesit të FAZ, ndonëse mbeti optimist që ka akoma shpresë për shpëtimin e dinjitetit të demokracisë europiane. Sipas Habermas, tensioni mes demokracisë dhe kapitalizmit është i atillë që kërkon një lidership që di të gjejë një mes të artë mes kërkesave të investitorëve të uritur për profit, në njërën anë, dhe kërkesave dhe pritjeve legjitime të qytetarëve për më shumë kontroll popullor të vendimmarrjes politike dhe më shumë mirëqenie shoqërore, në anën tjetër. Rruga “post-demokratike” që kanë zgjedhur Merkel e Sarkozy, konstaton Habermas, është e padrejtë ndaj kësaj të dytës. Për këtë arsye, ai thërret për shfuqizim relativ të Komisionit Europian, që po merr vendime ekzekutive pa legjitimitet demokratik, dhe fuqizim të rolit të institucioneve të kontrolluara demokratikisht, siç është Parlamenti Europian.

Ky alarmim i ndërgjegjes intelektuale gjermane rreth rrënimit të vlerave demokratike nga diktatura e dyfishtë e tregjeve financiare dhe e Komisionit Europian, vrojtuar nga Prishtina, kryeqendra e republikës që erdhi në pako e që nuk lejohet të dalë nga inkubatori edhe sot e kësaj dite, duket si diçka që vjen shumë pak dhe shumë vonë. Ironikisht, qytetari kosovar, tërësisht i margjinalizuar dhe në periferi të Europës, na gjendet në këtë rast në rolin e pararojës europiane: ai i përjeton, vuan dhe analizon pasojat e mohimit të demokracisë republikane për vite të tëra, porse këto që vuan ai nuk arrijnë të kalojnë pragun e ndjeshmërisë intelektuale europiane sepse Prishtina ka kohë që nuk krahasohet me Athinën, por me Kabulin a Bagdadin. Për qytetarin kosovar ka kohë që kryeqendër vendimmarrëse është trioja Bruksel-Washington-New York, e cila nuk i jep kurrëfarë llogarie atij për vendimet e marrura në lidhje me të dhe e cila e trajton atë si të papjekur për vetëvendosje demokratike, ndonëse të gatshëm për privatizim të egër neoliberal. Ajo që Habermas e kritikon si rruga “post-demokratike” e zgjedhur nga Merkel dhe Sarkozy, që ka instaluar një lloj diktature ekzekutive të Komisionit Europian në vendimmarrjen politike të BE-së, në Kosovë është prej vitesh mënyrë e normalizuar qeverisjeje nga administratorë ndërkombëtarë që sundojnë të shumtën e kohës en route, pra nga kabinat e klasës së biznesit të avionëve që i bartin nga Prishtina në drejtim të kryeqendrave të rëndësishme të vendimmarrjes dhe anasjelltas. Ndoshta është koha e fundit që Europa të marrë seriozisht hallin e qytetarit kosovar: problemi i emancipimit politik të tij po bëhet sot edhe problemi i emancipimit politik të vetë Europës.