Pushteti e ka korruptuar ‘Hartën Operative’ të Vetëvendosjes

Në dy vjet të mandatit qeverisës, më shumë se ta ndryshojë gjendjen reale në terren, Vetëvendosje e ndryshoi hartën e saj të operimit duke ia përshtatur atë terrenit.

Vonë natën e 14 shkurtit 2021, kur rezultatet preliminare tregonin se Lëvizja Vetëvendosje kishte arritur rezultat historik në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, kandidati për kryeministër Albin Kurti dhe kandidatja për presidente Vjosa Osmani- Sadriu, iu drejtuan gazetarëve dhe turmës së simpatizantëve të kësaj partie. 

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve për dialogun me Serbinë, z.Kurti deklaroi se matjet e opinionit publik në Kosovë tregojnë se dialogu me Serbinë renditet si çështja e gjashtë apo e shtatë me rëndësi dhe se qeveria e tij do ta trajojë ashtu, duke i dhënë prioritet drejtësisë dhe punësimit. 

Dy vite pas, Kosova dhe Serbia janë para një marrëveshje historike e cila pritet të nënshkruhet gjatë muajit mars, gjersa problemet me drejtësinë dhe punësimin vazhdojnë të jenë të njëjta. 

Si organizim civil dhe më pastaj si parti politike në opozitë, Vetëvendosje ka operuar sipas një harte politike e cila në vazhdimësi e ka kritikuar procesin negociator që nga procesi i Vjenës, i ndërmjetësuar nga ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari, pastaj procesin negociator të Brukselit i filluar në vitin 2011. 

(LVV) Njëkohësisht e ka kritikuar mënyrën korruptive të qeverisjes së partive në pushtet si dhe politikat ekonomike dhe fiskale. Ka premtuar që si parti qeverisëse do ta luftojë korrupsionin, do ta reformojë drejtësinë, do ta rrisë punësimin, do të ndërmarrë masa reciproke në tregtinë me Serbinë.

Më 22 mars të vitit 2021, Kuvendi i Kosovës i dha votën Qeverisë Kurti 2, e cila për dallim nga mandati i parë qeverisës në vitin 2020 në të cilin u detyra ta ndajë pushtetin me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe me parti tjera minoritare, zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 i garantuan Vetëvendosjes një qeverisje si e vetme dhe me mundësi të qeverisë për një mandat të plotë parlamentar, diçka që nuk ka ndodhur asnjëherë që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

Mirëpo, me ta marroë pushtetin, Vetëvendosje u ballafaqua me një territor politik i cili nuk i përshtatej hartës të cilën e kishte përdorur për shumë vite në opozitë. Mospërputhja e parë dhe më e madhe në mes të hartës së VV-së dhe territorit politik ishte procesi i negociatave. 

Për shumë vite VV i kishte kritikuar qeveritë e kaluara pse ishin futur në negociata me Serbinë pa vendosjen e kushteve paraprakisht, duke premtuar se nëse VV vjen në pushtet, para se të hyjë në negociata, së pari do të insistojë në kërkimfaljen nga Serbia për krimet e luftës, pastaj për ndarjen e informacioneve për të zhdukurit me dhunë në luftën e fundit si dhe për kompensimin për dëmet ekonomike të luftës. 

Sa qe në pushtet, VV-ja i vazhdoi negociatat aty ku kishin mbetur nga qeveritë e kaluara, dhe dështoi në përmbushjen e tri kushteve të premtuara në mënyrë që të negocionte me Serbinë.

Përderisa me hartën me të cilën operonte Vetëvendosje në opozitë, negociatat me Serbinë nuk përbënin një ndër pesë prioritet e qeverisjes, realiteti në terren dëshmoi se neglizhimi i negociatave dhe mbajtja e status-quo-së ka ndikim të madh edhe në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës, furnizimin me energji, integrimin ndërkombëtar, etj. Pas dy vitesh qeverisjeje, mund të themi se harta e Vetëvendosjes sa i përket dialogut më Serbinë i’u përshtat territorit, e jo territori hartës së VV-së.

Në opozitë, Vetëvendosje i kritikonte qeveritë e kaluara për shpenzime karburanti në vetura zyrtare dhe përdorimin e tyre vend e pa vend. Në pushtet, VV-ja e vazhdoi praktikën e qeverive të kaluara, duke i përdorur veturat zyrtare edhe për fushatë zgjedhore në zgjedhjet lokale.

Sa ishte në opozitë, Vetëvendosje premtonte transparencë të plotë. Në pushtet, e njëjta parti është po aq e mbyllur sa ishin edhe qeveritë e kaluara. Shumë kërkesa të gazetarëve nuk marrin përgjgjiee. Shumë kërkesa për qasje në dokumente publike që paraqiten nga organizatat e shoqërisë civile, duke përfshirë organizatën ku edhe vetë punoj, Instituti GAP, nuk marrin përgjigje konform Ligjit për qasje në dokumente publike.

Sa ishte në opozitë, Vetëvendosje premtonte rritje të pagës minimale ndërkohe që tash në pushtet, as pas dy vjet qeverisjeje, nuk ka ndryshuar asgjë sa i përket pagës minimale, përkundër krizës së çmimeve të shkaktuar nga inflacioni më i lartë në vitet e pasluftës.

Sa ishte në opozitë, Vetëvendosje premtonte reforma të thella në shëndetësi. Mirëpo gjatë dy viteve të mandatit të saj qeverisës, gjendja në këtë sektor është e njëjtë dhe ky sektor karakterizohet me skandale të mëdha e me keqqeverisje. Madje edhe kërkesa e kahmotshme e Vetëvendosjes për zbatimin e Ligjit për sigurimin shëndetësor publik nuk ka gjetur zbatim në këto dy vjet qeverisje.

Sa ishte në opozitë, Vetëvendosje i kritikonte qeveritë e kaluara për shpërndarjen e buxhetit në ato komuna të cilat qeverisen nga partia e njejtë që e mbajnë pushtetin edhe në nivel qendror. Në pushtet, Vetëvendosje e vazhdoi praktikën e njëjtë, duke investuar 52% të investimeve të reja kapitale të nivelit qendror në tri komunat që qeverisen nga Vetëvendosje. Në opozitë, Vetëvendosje i kritikonte qeveritë e kaluara dhe sidomos qeverisjen në Komunën e Prishtinës, për mosrealizim të buxhetit, në pushtet, gjashtë mujori i parë i vitit 2022 ishte periudha me shpenzimet më të ulëta kapitale, duke u shpenzuar vetëm 9% e buxhetit i destinuar për investime kapitale, madje më pak se edhe në vitin pandemik të 2020.

Sa ishte në opozitë, Vetëvendosje ishte shumë e zëshme sa i përket punësimeve familjare e partiake në pozitat e shërbimit civil dhe pozita në institucione të pavarura. Tani në pushtet, në shumë raste, anëtarë të partisë janë punësuar në pozita që do të duhej të ishin të pavarura, siç është rasti me emërimin e kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”.

Sa ishte në opozitë, Vetëvendosje ishte mjaft kritike për partitë e shumicës të cilat i dështonin seancat plenare dhe mbledhjet e komisioneve parlamentare në mungesë të kuorumit. Tani në pushtet, si parti e cila ka shumicën e thjeshtë në parlament, sërish dështojnë seanca të shumta plenare, nuk mbahen mbledhje të komisioneve dhe zvarriten projektligje në ato komisione që udhëhiqen nga deputetët e VV-së.

Tani kur ka kaluar gjysma e mandatit, çfarë mund të pritet për dy vitet e mbetura të qeverisjes së Vetëvendosjes? Për të korrur suksese në pjesën e dytë të mandatit qeverisës, Qeveria e Vetëvendosjes do të duhej t’i vinte bazat e politikave në këto dy vitet e para, diçka që nuk e ka bërë as në shëndetësi, as në ekonomi, as në politikën e jashtme, as në arsim e në asnjë fushë tjetër të politikave publike.

Qeverisja e Vetëvendosjes ka filluar të ngjajë me ato ‘memet’ në internet, ku produkti që arrin me postë është vetëm hije e produktit që shfaqet në fotografi. Apo, qeverisje e Aliexpressit.

 

Agron Demi është hulumtues i lartë në Institutin GAP dhe kolumnist i rregullt i Prishtina Insight. Mendimet e shprehura janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.