Më Shumë Siguri Për Rivotimin në Veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe misioni i OSBE-së thanë se janë ndërmarrë të gjitha përgatitjet e nevojshme për zhvillimin e rivotimit, por u bënë thirrje autoriteteve përgjegjëse për siguri “që ta bëjnë punën e tyre”.

“Ne si KQZ kemi vlerësim pozitiv për punën tonë në komunat veriore të Kosovës. Krejt çka kemi bërë është se ne kemi kërkuar nga autoritetet e sigurisë për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për tri qendrat e vendvotimeve”, tha Florian Dushi, anëtar i KQZ-së për Gazetën Jeta në Kosovë.

Dushi po u referohej sulmeve ndaj qendrave të votimit në “Sveti Sava”, Shkollën e Mesme të Mjekësisë dhe Shkollën e Mesme Teknike, ku procesi ishte ndërprerë në ditën e zgjedhjeve, pasi persona të maskuar depërtuan në ato qendra për të shkatërruar materialin zgjedhor.

Nikola Gaon, zëdhënës i OSBE-së tha se “njerëzit e dinë se çfarë ka ndodhur herën e kaluar”.

“Ne jemi në kontakt të ngushtë me autoritetet e sigurisë dhe ne presim që ato ta sigurojnë mbarëvajtjen e procesit”, theksoi ai.

Për shkak të kërcënimeve të sigurisë, misionit iu desh ta tërheqë stafin e vet nga qendrat e sulmuara të votimit, ndërsa këtë të diel OSBE-ja tha se do të dërgojë diku 60 pjesëtarë të stafit sërish në veri.

Mbetet e paqartë, ndërkaq, se si do të duket shtimi i masave të sigurisë në shifra.

Në ditën e zgjedhjeve, Policia e Kosovës kishte pozicionuar nga gjashtë policë përreth secilës qendër të votimit.

“Në ditën e zgjedhjeve, Policia e Kosovës kishte pozicionuar nga gjashtë policë përreth secilës qendër të votimit.

Megjithë kërcënimet ndaj votuesve serbë jashtë këtyre qendrave, ajo nuk kishte reaguar më 3 nëntor, duke thënë se përgjegjësi e saj është reagimi ndaj kërcënimeve brenda qendrave të votimit. Policia e Kosovës kishte kërkuar ndihmën e misionit evropian për sundimin e ligjit (EULEX-it) dhe KFOR-it, disa orë pas incidenteve.

Kësaj radhe, Policia e Kosovës u zotua se ka përgatitur një “urdhër operativ”.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë tha se “qëllimi i këtij urdhri policor gjatë këtij procesi zgjedhor të rivotimit është që të krijojmë një klimë të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët në pjesën e veriut”.

“Për shkak se më 17 nëntor zgjedhjet do të mbahen vetëm në tri qendra të votimeve, do të ketë numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë, sepse mund të ketë edhe mbështetje nga niveli qendror”, shpjegoi ai.

Në një deklaratë të përbashkët të strukturave vendase e ndërkombëtare të sigurisë, KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, të lëshuar të premten, thuhet se këto institucione në bashkëpunim do të ofrojnë siguri të shtuar në tri qendrat e votimit të Mitrovicës Veriore, më 17 nëntor.

“Popullata në veri të Mitrovicës mund të presin një prani të zgjeruar të Policisë së Kosovës jashtë qendrave të votimit, të mbështetura dukshëm nga EULEX-i. KFOR-i do të jetë i pranishëm në afërsi të qendrave të votimit që të sigurojë një ambient të qetë dhe të sigurt si dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë”, thuhet në deklaratë.

Sipas deklaratës strukturat e sigurisë do të ofrojnë masa të fuqishme sigurie për komisionarët dhe lehtësuesit e zgjedhjeve nga OSBE-ja, në mënyrë që procesi i votimit të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe të rregullt.

Përgjegjësit për siguri dhe ambient të sigurt në Kosovë thonë se mes vete dhe me OSBE-në kanë koordinim të shkëlqyer.

Për herë të parë që nga përfundimi i luftës në Kosovë më 1999, Beogradi u ka kërkuar serbëve të veriut të vendit që të marrin pjesë në zgjedhjet e organizuara nga Prishtina.

Rezultati i zgjedhjeve, sidomos për pjesën veriore të Kosovës, shihet si element krucial për zbatimin e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizim marrëdhëniesh ndërmjet Prishtinës e Beogradit.