Letër e Hapur Nr.2 Për Besim Beqajn

Për atë se çka keni bërë dhe çfarë nuk dini se keni bërë me distribucionin dhe furnizimin ju kam shkruar në letrën numër një. 

Tani, në këtë letër, po ju shkruaj për sektorin e gjenerimit të enegjisë.

Skenari juaj: Të privatizohet termocentrali i ri që do të ndërtohet prej linjitit me kapacitet prej 600MW. Kjo nga ju dhe Banka Botërore arsyetohet me faktin se qytetarët e Kosovës duhet të kenë rrymë për të dalë nga varfëria dhe të mos ngrihen nga të ftohtit gjatë dimrit. 

Paramendojeni cili është vizioni juaj zhvillimor për këtë vend – Ju niseni nga varfëria dhe ngrirja e njerëzve gjatë dimrit dhe përfundoni në varfëri dhe papunësi dhe me ministra që jetojnë në fshatin ndërkombëtar.

Ku janë ata të cilët e duan këtë vizion të Banskos? Vetëm qeveria të cilës ju i takoni mendon se plani zhvillimor bëhet për tri ditë në qendrën e skijimit në Bullgari (dhe atë, pasi të jenë kryer zgjedhjet).

Vizioni zhvillimor i Kosovës duhet filluar nga zhvillimi i sektorëve ku pronarë janë kosovarët dhe jo ministrat e Kosovës. Ju investitorët kosovarë nuk i lini as të konkurrojnë, e lëre më të bëhen hisedarë të projekteve zhvillimore. 

Ata në mendjen tuaj duhet të jenë të varfër dhe duhet të kërkojnë lëmoshë, duhet të shesin votën e tyre për 10 euro në çdo zgjedhje dhe të pinë tym qymyri e cigare pa fund. Ky është vizioni juaj zhvillimor. 

Ja ku e keni skenarin kornizë të cilin ju e quani joprofesional dhe të padijshëm: Strategjia për zhvillimin e sektorit energjetik nuk duhet limituar vetëm në energjinë elektrike dhe duhet të përfshihen të gjitha llojet dhe potencialet energjetike që ka Kosova. 

Strategjisë së tanishme i ka dalë afati dhe nuk është valide sepse tani është ndarë Kosova B nga tenderi. Ndërkohë Kosova B në strategjinë e aprovuar nga parlamenti i Kosovës ka qenë e përfshirë në dokumentacionin e tenderit për privatizim. 

Është kundërligjore që me strategjinë të bëhet çfarëdo hapi më tutje pa afat dhe pa aprovim nga parlamenti i Kosovës. Dërgojeni strategjinë në parlament.

Strategjia e re duhet të jetë e bazuar në studime shkencore dhe parametra realë, në kostot reale të të gjitha burimeve energjetike që i ka Kosova: Linjit, erë, ujë, diell, biomasë dhe burime gjeotermike. 

Strategjia duhet edhe të përcaktojë prioritetet kohore që janë në interes të qytetarit dhe zhvillimit afatgjatë ekonomik si dhe të përmbushë kriteret e qëllimeve të përcaktuara nga Bashkimi Europian.

Pse termocentrali i ri i linjitit nuk është prioritet? Sigurisht që qymyrin e ka përdorur atëherë qeveria e Serbisë për prodhim të energjisë elektrike, sepse nuk ka qenë e brengosur për asnjë gjë në Kosovë e më së paku për shëndetin e qytetarit apo shndërrimin e vendit në varrezë pluhuri dhe të ujërave të zeza. 

Nuk mund të flisni vetëm për çmimin e qymyrit që ka Kosova nën tokë, por duhet folur për koston e shkatërrimit të tokës, biodiversitetit, kontaminimin e ujërave dhe shfrytëzimin e tyre si burim industrial në kurriz të ujit për pije, ndotjes së ajrit, sasisë së merkurit në ajër dhe ndikimit të tij në zhvillimin mental e fizik të fëmijëve, koston e sëmundjeve respiratore dhe koston e zhvendosjes së njerëzve nga tokat e tyre bujqësore në të cilat kanë jetuar me shekuj, që mandej përveç kompensimit kërkon shkolla të reja dhe institucione shëndetësore. Të gjitha këto duhet paguar nga buxheti i Kosovës.

Krejt këta faktorë e bëjnë qymyrin më të kushtueshëm se çdo burimi tjetër energjetik përfshirë edhe teknologjinë solare. 

Pastaj është gënjeshtër që do të ketë punësim. 

Nuk do të ketë punësim. 

Këto janë procese të automatizuara dhe as edhe ndërtimi i termocentralit nuk krijon punësim, sepse ato janë punë shumë teknike dhe të sofistikuara për të cilat ndërtuesi sjell fuqinë punëtore të kualifikuar dhe me përvojë. 

Plus të gjitha fitimet që gjenerohen janë në prodhim të energjisë e jo në nxjerrje të qymyrit, kështu që përfitues do të jetë ai që privatizon dhe jo Kosova. 

Termocentrali i ri nuk është prioritet edhe për shkakun se tani Kosova ka humbur afro 50 për qind të energjisë që futet në rrjet dhe në kohën e pikut 75 për qind e energjisë elektrike shfrytëzohet për ngrohje të shtëpive.

Në një qeveri që punon për interesin e vendit ky duhet të jetë prioriteti: të zvogëlohen humbjet teknike dhe komerciale, dhe të subvencionohet izolimi i shtëpive e objekteve publike për të zvogëluar faturat dhe me këtë të zvogëlohet edhe nevoja për energji elektrike. 

Termocentrali i Ri nuk është prioritet sepse Kosova ka obligim dhe duhet të rrisë efiçiencën por ka obligim që ta rrisë edhe sasinë e energjisë që gjenerohet nga burime te ripërtritshme. 

Nga studimet bëra nga Berkly University dhe GIZ konkludohet se Kosova së bashku me ujin, diellin, erën dhe gjeotermalen, mund të mbulojë deri në 36 për qind të nevojave të veta dhe kjo mund të arrihet brenda periudhës 5-7 vjeçare dhe njëkohësisht duke gjeneruar me mijëra vende të reja pune në manifaturim, instalim, mirëmbajtje dhe punë në programet për efiçiencë.

Zhvillimi i këtyre kapaciteteve të decentralizuara e diversifikon sektorin dhe e bën më të pavarur  krahasur me varësinë nga një burim energjetik.

Përveç gjeneratorëve të erës që ju i keni ndalur, janë edhe disa kërkesa për ndërtimin e kapaciteteve të reja me qindra megavatë të cilat nuk po marrin leje për shkak të burokracisë dhe mungesës së vullnetit politik për të promovuar burimet e energjisë alternative.

Termocentrali i ri nuk është prioritet edhe për faktin se takimet me zyrtarët e Shqipërisë nuk mund të jenë mundësi fotografimi apo gërvallje mediale. 

Duhet ndërtuar interkonjeksionin me Shqipërinë për të thyer monopolin e furnizimit me energji nga fqinjët veriorë. Kjo i ndihmon regjionit dhe jo vetëm Kosovës dhe është në pajtim me marrëveshjen për komunitetin energjetik të nënshkruar në Athinë më 2005. Kosova është nënshkruese gjithashtu.

Termocentrali i ri nuk është prioritet sepse kosovarët duhet bindur që Kosova B mund të punojë me standarde më të mira që janë në posedim në botë dhe se varrezat e pluhurit të qymyrit mund të kthehen në vende të gjelbëruara ashtu siç është premtuar. 

Është rrezik për të lejuar çfarëdo eksperimentimi të ri me pasoja të pafundme- Kush do paguajë për vlerën e tejkaluar të gazrave me efekt serrë? 

Pothuajse asgjë në fushën e ekonomisë në këto 13 vjet nuk është treguar se është bërë në interes të vendit, përfshirë edhe investimet qindramilionëshe në termocentrale që i ka djegur rrufeja ose privatizimet që e kanë lënë Hotel Grandin varrezë në mes të Prishtinës, Ferronikelin etj. 

Pse duhet besuar që ju do ta nxirrni vendimin më të mirë për Kosovën tani? A nuk jeni i njëjti që keni premtuar liberalizim të vizave për 15 muaj kur keni qenë ministër i Integrimeve Europiane? Kosovarët ende janë në burg kolektiv.

Kur të gjitha këto të plotësohen, e do të duheshin bërë deri më tani, duhet të gjithë të ulemi dhe të shohim se a ka nevojë që të vijë dikush në sektorin më vital të shtetit, të privatizojë burimet dhe licencat për eksplorim qymyri. Apo nëse ia vlen që Kosova në vend se të blejë energji nga përfituesit (shkatërruesit mjedisorë), të përmbushë nevojat e saja duke blerë energji nga Shqipëria. Gjatë sezonit të dimrit kur Kosovës i duhet energji, Shqipëria ka sasi të energjisë së prodhuar nga hidrocentralet që po vazhdojnë të ndërtohen për çdo ditë.

Tani pyetja e thjeshtë për ju meqë nuk jeni njeri teknik është: nëse po humbni 50 për qind të gjakut ( energjisë) në rrjetin shpërndarës, a duhet shkuar që të ndaloni rrjedhën e gjakut apo duhet ndërtuar edhe një zemër tjetër që pompon gjak edhe më shumë për të humbur? 

Ku është logjika këtu? Apo dëshironi ta shihni Kosovën me infuzion gjatë gjithë jetës, apo edhe krejtësisht të vdekur?