Konferenca për media e kryeminsitrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla për situatën në veri, 7 nëntor 2022, Foto: KALLXO.com

Sveçla: 6 barrikada janë ngritur në veri të vendit që nga 10 dhjetori

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se deri në këto momente në veri janë ngritur 6 barrikada.

Deri më tani, në komunat e Leposaviqit, Zubitin Potokut dhe Zveçanit janë ngritur 6 barrikada nga ana e serbëve lokalë.

“Nga pasditja e djeshme janë ngritur gjatë barrikada në komunat: Leposaviq, Zveqan dhe Zubin Potok, me ç’rast për arsye të sigurisë kemi mbyllur dy pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak. Në disa lokacione janë hedhur shok-bomba, ndërsa njësitet policore kanë shkëmbyer zjarr me disa grupe kriminale pas një sërë sulmesh të organizuara nga këto grupe afër digës së liqenit të Ujmanit. Situata është vendosur nën kontrolle dhe është në vëmendje të shtuar” – tha Sveçla gjatë konferencës për media.

Më tej, Sveçla njoftoi se tashmë janë identifikuar disa persona, për të cilët ai tha se kanë kryer sulme ndaj zyrtarëve policorë dhe qytetarëve në veri të vendit.

“Duke pasë parasysh që Policia e Kosovës është ballafaquar me një sërë sulmesh ndaj zyrtarëve policorë dhe ndaj qytetarëve në veri të vendit, pas hetimeve intensive të Policisë dhe koordinimit me institucionet tjera të drejtësisë, Policia ka arritur të identifikojë disa kriminelë që me veprat e tyre terroriste kanë cenuar sigurinë dhe rendin kushtetues të vendit tonë” – shtoi ministri Sveçla.

Për arrestimin e Dejan Pantiqin, i dyshuar për organizim të veprave terroriste, ministri tha se i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orëve.

“Me urdhër të prokurorit, i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orë dhe akuzohet për “Sulm ndaj rendit kushtetues” dhe “Kryerje të veprave terroriste””- tha ai.

Ministri Sveçla tregon arsyet pse është arrestuar ish-polici Dejan Pantiq

Ministri Svela bëri thirrje për largimin e barrikadave dhe mos pengimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve.

“Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve serbë që të mos bëhen pjesë e organizimeve të këtyre grupeve kriminale, ndërsa ju bëj thirrje organizatorëve për largim të menjëhershëm të barrikadave. Ne nuk do të lejojmë të që bandat kriminale të pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë” – tha Sveçla.

Ditëve të fundit situata është tensionuar në pjesën veriore të Kosovës. Fillimisht serbët lokalë dyshohet të kenë sulmuar zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor pas fillimit të aktiviteteve për mbajtjen e zgjedhjeve që kanë qenë të planifikuara të mbahen më 18 dhjetor, e që më pas u shtynë për 23 prill 2023.

Në zonën veriore të Kosovës, vazhdimisht gjatë kësaj jave ka pasur shok-bomba që janë gjuajtur në vende të ndryshme, e madje edhe ka pasur sulm ndaj njësiteve të Policisë e edhe të gazetarëve.

Informatat nga terreni bëjnë me dije se policët e Kosovës janë të vendosur në pikat e tyre dhe janë duke monitoruar situatën, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme njoftoi se në pjesën veriore deri më tani janë vendosur gjashtë barrikada.

Për shkak të vendosjes së këtyre barrikadave, ministri njoftoi se janë mbyllur edhe dy pikat e kalimit kufitar, ajo në Jarinjë edhe në Bërnjak.

Bllokimi i rrugëve ka ardhur pas njoftimit se nga Policia e Kosovës është arrestuar ish-polici Dejan Pantiq.

Sveçla për sulmet ndaj zyrtareve policor tha se u bënë nga grupet kriminale të organizuara.

Ekipi i KALLXO.com vazhdimisht ka qëndruar në këtë zonë dhe ka raportuar për situatën e krijuar atje.