Kush Duhet t’i Bëjë Manifeston

Ndërsa Occupy Wall Street po vazhdon betejën e vetë nëpër rrugët e qyteteve amerikane me kërkesat për barazi shoqërore dhe zvogëlim të pushtetit të korporatave, një sfidim tjetër, po kaq i rëndësishëm po e përcjellë atë në rrafshin teorik. Shumica e kritikëve të lëvizjes ka kohë që janë përqendruar mu tek ajo se çka po artikulon lëvizja si kërkesa të veta dhe mënyra sesi po e bën këtë. Kritikët, të djathtë dhe të majtë, pyesin vazhdimisht: çfarë është ose duhet të jetë kërkesa kryesore e saj? Të parët e bëjnë këtë për të vënë në dukje joseriozitetin e lëvizjes që në pikëpamjen e tyre dëshmohet më së miri tek shumëllojshmëria kakofonike dhe mungesa e qartësisë konceptuale të kërkesave që i shohim të shkruara në pankarta ose të brohoritura. Cinikët e djathtë shprehen të bindur se me këtë artikulim të dobët kjo lëvizje nuk do arrijë dot të ofrojë më shumë sesa një efekt estetik. Në anën tjetër, dashamirët e majtë të lëvizjes, duke e kuptuar mirë rëndësinë e betejës teorike, i janë përveshur punës së mendimit dhe artikulimit të asaj që do duhet të bëhet manifestoja e saj.

Të majtët, tradicionalisht, e kanë kuptuar shumë mirë rëndësinë e betejës politike që zhvillohet në terren teorik. Në fakt, sipas disave, ata gjithmonë e kanë marrë aq seriozisht teorinë as kjo u është shndërruar në një cen që i ka lënë prapa të djathtës sepse ndërsa kundërshtarët e djathtë kanë qenë dhe janë gjithmonë të zënë duke hartuar programin e ardhshëm qeverisës, të majtët kanë vazhduar dhe vazhdojnë të merren me çështjen e besnikërisë ndaj doktrinës themeluese, ashtu siç kjo është artikuluar në tekstet e Karl Marxit. Sipas kësaj vërejtje, për dallim nga të djathtët, që nuk janë të obsesionuar me tekstin burimor, çështjet e lidhura me besnikërinë dhe tradhtinë ndaj fjalës së shkruar të kryemjeshtrit Marx vazhdojnë të jenë temë shumë polarizuese në kampin e së majtës.

Por, megjithatë, nga perspektiva amerikane, ku radikalizmi i majtë nuk është se ka ndonjë histori të bujshme, ky polarizim duket më shumë sikur trashëgimi filozofike e Europës kontinentale. Si trashëgimtare e filozofisë liberale të sojit Anglo-Sakson që thekson, para së gjithash, rëndësinë e të drejtës në pronë private dhe tregti të lirë, Amerika nuk ka qenë ndonjë pjesëmarrëse e rëndësishme në debatet intelektuale rreth besnikërisë ndaj doktrinës marksiste që kanë dominuar historinë politike të intelektualëve europianë të shekullit të kaluar. Në Amerikë, kryemjeshtri -Karl Marxi – ishte vrarë para se të vinte në jetë, atëherë kur u themelua republika amerikane që vendosi në themel të vetin pikërisht të drejtën në pronë private dhe ndërmarrësi e tregti të lirë, të kuptuar sipas doktrinës së shkollës klasike të ekonomisë politike që do vihej më vonë mu në shënjestër të kritikës filozofike marksiste.

Kjo mungesë trashëgimie marksiste në Amerikë vërehet edhe sot kur debati intelektual po përpiqet t’i japë trajtë teorike betejës politike të Occupy Wall Street. Në kolumnen filozofike “Stone” që botohet rregullisht në New York Times, në një shkrim të para disa ditësh, një profesor amerikan i teorisë politike po shtronte për diskutim pikërisht çështjen e heroit intelektual të lëvizjes Occupy Wall Street. Profesori shkruante se është tejet e rëndësishme që ashtu sikur lëvizja kundërshtare e djathtë -Tea Party- që ka zgjedhur shkrimtaren dhe filozofen konservatore Ayn Rand për guru intelektuale të vetën, edhe Occupy Wall Street duhet të mendojë për burimin e inspirimit të vetë filozofik. Dhe propozimi që profesori kishte për aktivistët e Occupy Wall Street ishte që ky hero të jetë filozofi liberal amerikan John Rawls, i cili kishte dhënë mësim në Harvard deri para se të ndërronte jetë në vitin 2002. Gjithnjë sipas autorit të shkrimit, konceptimi Rawlsian i “drejtësisë si paanshmëri”, ashtu siç është artikuluar në veprën e tij të njohur nga viti 1971 me titull “Një Teori e Drejtësisë”, do ishte një destinacion i mirë teorik për ata që do të jenë duke menduar për manifeston politike të lëvizjes që po thërret për okupim të Wall Street-it.   

Për një intelektual liberal progresiv nga Europa kontinentale, qoftë ky edhe mjaft i moderuar, ky propozim, më parë se të jetë adresa ku duhet të shkohet për të gjetur arsenalin e nevojshëm filozofik që duhet të inspirojë kritikën radikale të Occupy Wall Street, është pjesë e vetë krizës së kapitulimit intelektual para hegjemonisë aktuale së të djathtës në filozofi politike. Dhe kjo për arsye të mira. Teoria e “drejtësisë si paanshmëri” që ofron John Rawls, ndonëse shumë progresive në aspektin e vetë distribuiv, e presupozon dhe e lë fare të pa teorizuar problemin me emrin kapitalizëm. Aty nuk gjendet as edhe një grimë aparati teorik që mund të problematizojë marrëdhëniet e prodhimit në kaptializmin e vonshëm. Dora e padukshme e tregut të lirë presupozohet si e përputhshme me “drejtësinë si paanshmëri”, e cila konceptohet më shumë si një fakt që, nëse kushte të caktuara plotësohen paraprakisht, mund të konstatohet si ekzistues sesa si një betejë gjithmonë e papërfunduar që do luftuar vazhdimisht dhe pa pushim si në praktikë ashtu edhe në teori. Për një lëvizje si Occupy Wall Street që po synon të vë në shënjestër të betejës së vetë pikërisht atë që quhet “Amerika e korporatave”, John Rawls, më shumë se një udhërrëfyes mund të bëhet një shpërqendrues i kushtueshëm që mund ta vulosë pikërisht atë që me të drejtë shumë dashamirë të lëvizjes po i frikëson: thithjen e agjendës radikale të lëvizjes brenda programit të Partisë Demokratike që vitin tjetër do të përballet me sfidën e zgjedhjeve presidenciale.

Kjo nuk do thotë kurrsesi që mungesa e një trashëgimie të mirëfilltë marksiste duhet të shihet si një fatkeqësi e pariparueshme intelektuale për të majtën amerikane. Tradita demokratike amerikane ka pasur gjithmonë, brenda historisë së vetë, opsione autentike që i kanë rezistuar trendit klasik liberal të të menduarit, madje që nga fillimet e kësaj tradite. Amerika nuk është vetëm Amerika e John Lock’ut. Ajo është edhe e disidentëve socialist-protestantë si Gerrard Winstanley që në vitin 1649 themeloi grupin e ashtuquajtur Diggers (Gërmuesit), e i cili duke ofruar një interpretim shumë radikal komunitar të librit të pestë të Testamentit të Ri thërriste për pronë të përbashkët shoqërore. Në vitet 60’ta një grup amerikan që frymëzohej pikërisht nga idetë e Winstanley, e që e quante vetën San Francisco Diggers, hapi dyqane që u falnin njerëzve mallin e tyre. Sigurisht, rikuperimi i një filozofie si kjo e Winstanley për qëllime të një teorie kritike që mund të informojë praktikën e rezistencës demokratike në Amerikën e sotme kapitaliste do kërkonte shumë punë të lodhshme teorike.

Dhe përsëri, nuk është aspak e thënë që Winstanley mund ose duhet të jetë adresa filozofike e Occupy Wall Street. Përkundrazi. E tëra që shembulli i tij na ndihmon të kujtojmë është që liberalizmi klasik me theksin e vetë tek e drejta për pronë private nuk është e vetmja traditë e mendimit filozofiko-politik në Amerikë. Nëse Marksi duhet të shmanget me çdo kusht për arsye të një historie të dobët pranimi, nuk ka pse John Rawls të jetë alternativa e vetme. Edhe në qoftë se e vetmja rrugë për ta shmangur këtë të fundit është rikuperimi i mundimshëm i një filozofie arkaike dhe mbase të pamjaftueshme siç është kjo e “Gërmuesve” të Winstanley.