Kthejeni KTV-në n’3sh!

Në shtëpi jemi konsumatorë të IPKO-s. Jemi gjithashtu shikues të rregullt të KTV-së. Na pëlqen ta shohim KTV-në sepse, ndryshe nga televizioni publik Radio Televizioni i Kosovës (RTKja), nuk varet nga paraja publike kështu mund ta mbajë një vijë editoriale të pavarur nga qeveria ose partitë në pushtet.

I shohim lajmet e mbrëmjes së KTV-së. Në fakt rituali i lajmeve të mbrëmjes nis me Voice of America (RTV21) n’4sh, Lajmet e Mbrëmjes (KTV) n’3sh, Lajmet e Mbrëmjes (RTK) n’2sh, dhe nganjëherë Lajmet e Mbrëmjes (KLAN) n’7sh.

Por para disa jave IPKO e çoi KTV-në në numrin 83 dhe na e prishi mbarëvajtjen e ritualit të lajmeve të mbrëmjes.
 
Fillimisht u befasuam e pastaj edhe u indinjuam. Çka është ky ndërrim kështu i paparalajmëruar?

Plot shpjegime u dhanë duke u folë për disa mosmarrëveshje për pagesa në mes të dy kompanive, Grupit Koha dhe IPKO-s.

Por ajo që neve na e tërhoqi vëmendjen ishte argumentimi ligjor rreth këtij veprimi e që erdhi nga Komisioni i Pavarur për Media (KPM). KPM-ja, duke iu referuar kornizës ligjore që i rregullon operatorët kabllorë, tha se me largimin e KTV-së nga numri 3 në 83: “IPKO ka bërë shkelje, ngase nuk ka respektuar Kushtet dhe Termet e Përgjithshme të Licencës së KPM-së”. Kështu që, “Komisioni i Pavarur për Media kërkon nga Operatori Kabllor IPKO që televizionin nacional KTV ta kthej në pozicionin rendor me numrin tre (3) të platformës së tij kabllore”.

Katërdhjetepesë OJQ nënshkruan një peticion për ta kthyer KTV-në në 3sh, sepse “…këto veprime janë formë e censurimit të medias në Kosovë, dhe për më tepër, janë shprehje e hakmarrjes ndaj raportimit të lirë dhe të pavarur të Kohavisionit dhe Kohës Ditore ndaj korrupsionit dhe keqpërdorimeve publike”.

I erdhi rendi edhe Ulrike Lunachek, raportueses për Kosovën ne Parlamentin Europian, të thotë javën që shkoi: “Jam e shqetësuar për ndryshimin e papritur të renditjes së kanaleve dhe zhvendosjen e KTV-së nga numri 3 pothuajse në fund, në numrin 83. Vendosja e KTV-se, një nga tre transmetuesit e licencuar nacional, në kategorinë e televizioneve lokale, ngrit shqetësimin për një tentim për censurë, nga ana e këtij operatori kabllor.”

Censurë!

Ne këtë shërbim kabllor e blejmë. Me paratë tona. Shyqyr që e kemi edhe opsionin mos ta blejmë. Se duhet menduar mirë nëse do të mund të vazhdojmë të blejmë shërbime prej një kompanie e cila ka shkaktuar shqetësime deri në Parlamentin Europian se mund të ketë tentuar të bëj censurë.

I dashur menaxhment i IPKO-s, besoj se e dini që ka alternativa në treg për shërbimet që i ofroni ju. Ndërrimi i operatorëve kabllorë bëhet sot me shumë lehtësi. Kompania “Kujtesa” e mbulon përtej 90% të territorit të Kosovës dhe e ka KTV-në ende te numrat njëshifrorë, që lehtë navighohen. Në të ardhmen mund të ketë edhe kompani tjera. 

Gaboheni nëse mendoni që konsumatorët tuaj do t’u qëndrojnë besnikë përtej arsyes, edhe në rastet kur merrni këso vendimesh arbitrare. Keni indinjuar shumë prej nesh. Ju lutemi ta adresoni këtë çështje. Ta ktheni KTV-në n’3sh, ose së paku te numrat njëshifrorë. Përndryshe do të na duhet t’i marrim shërbimet kabllore diku tjetër.