Kompensimi i Mësimdhënësve Kthen Kujtimet për Shtëpitë-Shkolla

“Ishte muaj janar, viti 1992 kur babai [Mehmet Aliu (Hertica)] ua lëshoi shtëpinë nxënësve të gjimnazit “Sami Frashëri”, për të mbajtur mësimin, pasi që shkollën ku ata mësonin më parë, e mbylli pushteti serb”, thotë Fadil Aliu. 

Gjithçka nisi, sipas Fadilit, në momentin kur babai i tij ftoi arsimtarët e kësaj shkolle në shtëpi, për ta mbajtur një mbledhje, në të cilën do të diskutohej gjetja e ndonjë mundësie për mbajtjen e mësimit nëpër objekte private të qytetarëve. 

Në këtë kohë kishin kaluar javë të tëra që gjimnazistët nuk po mbanin mësim. 

Fadili thotë se shtëpia u kishte pëlqyer shumë arsimtarëve dhe babai i tij nuk ua kishte prishur qejfin. 

“Ne sapo e kishim ndërtuar shtëpinë tonë dhe e kemi pas rregulluar prej A-së deri në Zh, vetëm për të hyrë brenda. Shtëpia ishte katërkatëshe dhe kishte 15 dhoma”, vazhdon rrëfimin Aliu. 

Gjimnazi “Sami Frashëri” atëherë kishte 1 mijë e 756 nxënës që kur ishin në shkollën e tyre mësonin në 48 klasë. 

“Mësimi u mbajt nga viti 1992 e deri në fillim të vitit 1999, konkretisht deri atëherë kur forcat serbe kishin filluar me largu popullatën prej Prishtinës”, shpjegon Fadil Aliu. 

Kjo ishte një nga mijëra shtëpitë e shndërruara në shkolla gjatë të nëntëdhjetave.

Bajram Shatri, autori i librit “Arsimi shqip në Kosovë (1990-1999)”, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se në këtë periudhë shtëpitë dhe objektet tjera i kishin lëshuar për shkolla 3 mijë e 200 kryefamiljarë. 

Në këto objekte mbanin mësim 22 mijë mësimdhënës për 400 mijë nxënës e studentë. 

Profesori australian Dr.Micheal E. Salla, në hulumtimin e titulluar “Konfliktet etnike në Kosovë, Maqedoni, Timorin Lindor dhe Shrilankë”, thotë se suksesi më i madh i institucioneve paralele në Kosovë, gjatë viteve të nëntëdhjeta, ishte mbajtja e mësimit në gjuhën shqipe si përgjigje ndaj përpjekjeve të Serbisë për të aplikuar planprogramin e saj për nxënësit shqiptarë. 

Si për të vërtetuar fjalët e profesorit australian, Fadil Aliu tregon se me nxënësit dhe mësimdhënësit e “Sami Frashërit”, anëtarët e familjes së tij e kanë çuar shumë mirë. 

“Gjatë atyre viteve, ka qenë një harmoni e madhe në mes të familjes sonë dhe stafit të arsimtarëve dhe nxënësve të gjimnazit”, kujton Fadil Aliu. 

Bajram Shatri e çmon shumë sakrificën e atyre që lëshuan shtëpitë për shkolla.

“Një kontribut të veçantë kanë dhënë kryefamiljarët të cilët kanë lëshuar shtëpitë e tyre, për t’u mbajtur procesi mësimor”, thotë Shatri, autori i librit për arsimin e asaj kohe. 

Fadil Aliu tregon se babai i tij Mehmeti u rrah shpesh nga policia serbe, për faktin se e ktheu shtëpinë në shkollë. “Ishte trishtim i madh kur i shihnim policinë serbe duke e rrahur babain aq shumë”, thotë ai. 

“Babai kurrë nuk është dorëzuar, sepse ai ka parë këtë [lëshimin e shtëpive për shkolla] si një projekt madhor që pa të do ta humbnim një gjeneratë të tërë”, shprehet Aliu. 

Arsimi i të nëntëdhjetave-bazë e shtetësisë

“Arsimi në Kosovë gjatë viteve 90-ta, ishte i vetmi institucion i cili lëshonte dokumentacionin shkollor me Republikën e Kosovës”, tregon Ali Shabanaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (SHBASHK). 

Delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, shpallën Deklaratën Kushtetuese më 2 korrik 1990 dhe miratuan kushtetutën më 7 shtator të të njëjtit vit në Kaçanik, për të mbajtur në ’92-ën dhe ’98-ën zgjedhje të përgjithshme. 

Institucionet dhe zgjedhjet e asaj kohe nuk u njohën ndërkombëtarisht, por arsimi dhe deri-diku edhe shëndetësia dhe çështjet sociale vazhduan të funksionojnë jashtinstitucionalisht, më shumë në baza vullnetare, duke u ndihmuar nga ata që kishin mundësi. 

Sipas Bajram Shatrit në fillim, në shtator të vitit 1990 u larguan nga puna dhe mbetën pa të ardhura, mësimdhënësit e klasëve të para dhe ata të atyre të pesta, ndërsa në marsin e vitit 1991, u larguan nga shkollat të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe personeli i shkollave fillore dhe të mesme. 

“Mbajtja e procesit mësimor nëpër… [objekte private] ishte tepër i vështirë… lokalet shtëpi-shkolla nuk ishin të pajisura me inventar të domosdoshëm”, thotë Shatri. 

Por ky nuk është rasti me shkollën-shtëpi të Mehmet Aliut (Herticës). Në këtë objekt të djegur gjatë luftës dhe të shpallur Shtëpi-Muze nga ministri i Arsimit Ramë Buja më 21 janar 2012, ende vërehen skelete të djegura bankash e karrigesh, që dikur shërbenin për nxënësit e “Sami Frashërit”. 

Familja që para njëzet vjetësh lëshoi shtëpinë për shkollë, banon pak më tutje, nëpër shtëpi tjera. 

“Bazën shtetësisë së Kosovës ia vuri arsimi”, thotë Bajram Shatri, por shpjegon se mësimdhënësve të atëhershëm institucionet u kanë borxh. 

“Më 28 qershor 1991 u formua Këshilli Qendror i Vetëfinancimit, por për tetë muaj nuk arriti të sigurojë të ardhurat e punëtorëve arsimorë, as edhe për një muaj”, bën me dije Shatri. 

Sipas Shatrit, mësimdhënësit filluan të paguheshin simbolikisht me fonde të solidaritetit që nga viti 1992. 

Arbër Morina, MASHT

MASHT-i nuk flet për mënyrën e kompensimit të mësimdhënësve

Ministria e Arsimit thotë se është në fazën finale të përgatitjes së projektligjit, për njohjen e përvojës dhe kompensimin e mësimdhënësve, të cilët punuan gjatë viteve ‘90. Këtë e tha për Gazetën Jeta në Kosovë, zyrtari për Informim i kësaj ministrie, Arbër Morina. 

Sipas tij, pas hartimit, projektligji do të ndjekë procedurat ligjore, dukei i shkuar qeverisë, e më pas edhe kuvendit për miratim. 

“Do të ketë kompensime për mësimdhënësit, por ato do të përcaktohen me ligj”, thotë Morina. 

Ali Shabanaj, kryetar i SBASHK-ut që mori pjesë në disa takime përgatitore të projektligjit për kompensim, thotë se do të kompensohen katër kategori që mundësuan vazhdimin e mësimit: mësimdhënësit e arsimit universitar, ata të atij parauniversitar, punëtorët ndihmës e sanitarë dhe pronarët e shtëpive-shkolla. 

Shabanaj thotë se këto kategori do të kompensohen pas pensinomit, ndërsa zëdhënësi i MASHT-it Morina nuk dëshiron të flasë për mënyrën e kompensimit. 

Gjithnjë sipas Shabanajt profesorët universitarë do të kompensohen me një pagë e gjysëm mesatare të Kosovës, mësimdhënësit parauniversitarë do të marrin një pagë mesatare arsimi të Kosovës. Punëtorët ndihmës dhe sanitarë do të marrin tetëdhjetë për qind të pagës mesatare arsimore të vendit. 

Paga mesatare në Kosovë sipas Agjencisë së Statistikave për vitin 2012 ishte 372 euro. 

Shabanaj nuk ka shpjeguar se me çfarë vlere do të kompensohen pronarët e shtëpive-shkolla, por ka thënë se edhe ata janë në këtë listë. 

Zëdhënësi Morina thotë se do të kompensohen vetëm mësimdhënësit. Ai nuk tregon sa pritet t’i kushtojë buxhetit të Kosovës implementimi i këtij ligji, ndërsa gazeta për këtë çështje nuk mori përgjigje as nga Ministria e Financave. 

Fadil Aliu nga familja që lëshoi shtëpinë për gjimnazin “Sami Frashëri”, thotë se babai i tij ende ka probleme shëndetësore nga rrahjet prej policisë serbe, për shkak se u bëri konak nxënësve prishtinas. 

Analistët e çështjeve arsimore kanë mendime të ndryshme për nismën e kompensimit të mësimdhënësve. 

Jusuf Thaçi, analist nga Qendra për Studime e Shërbime Psikologjike dhe Sociale (ENCOMPASS), thotë se Qeveria e Kosovës është dashtur më herët të përgatisë projektligjin për kompensimin e mësimdhënësve. 

“Duke parë se Qeveria e Kosovës është vonuar edhe me Projektligjin për njohjen e statusit për veteranët dhe invalidët e luftës, kuptohet se problemi është më shumë financiar, sesa politik”, tha Thaçi.

Analisti i arsimit Dukagjin Popovci është kundër kompensimit të mësimdhënësve universitarë dhe i bën vërejtje MASHT-it për këtë. 

“Nuk është e vërtetë se mësimdhënësit që kanë punuar në vitet ’90 nuk janë paguar, sidomos ata universitarë. Unë kam qenë vetë profesor i fakultetit, kurse vlera e rrogës që kam marrë ishte 300 marka gjermane, ndërsa në fakultete tjera ka pas profesorë që janë paguar deri në 1 mijë marka, çka për kohën kanë qenë para të mjaftueshme”, thotë ai. 

Gjendja më e keqe ka qenë për mësimdhënësit parauniversitarë,  por edhe ata janë paguar, pa marrë parasysh shumën e mjeteve, përfundon Popovci. 

Dukagjin Popovci, analist i arsimit