Kapen Hajnat që Vidhnin në “Sharrcem” (Video)

Policia ka dalë në vendngjarje pasi është thirrur nga një punëtor i “Sharrcemit”, pasi furgoni ishte parë duke hyrë e dalë edhe disa natë më herët. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 20 shkurtit, ndërsa intervenimi i policisë është xhiruar nga kamerat e emisionit “Drejtësia në Kosovë”.

Hetuesit rajonalë të policisë të rajonit të Lindjes ishin informuar se disa persona, të cilët nuk janë punëtorë të fabrikës, në bashkëpunim me oficerin e sigurimit në hyrje-daljen kryesore të fabrikës, janë duke dashur të vidhnin diçka nga fabrika.

Kameramani Ahmet Murtezi tregon se pasi policët e kanë pranuar telefonatën, kanë shkuar shpejt në vendngjarje. Ata janë ndalur disa dhjetëra metra larg nga hyrja e fabrikës dhe kanë vëzhguar. Pas 10-15 minutash, nga fabrika ka dalë një furgon i bardhë, i cili dukej i ngarkuar rëndë.

Pasi është ndaluar, policia ka parë se në furgon ndodheshin katër persona, të cilët nuk ishin punëtorë të fabrikës. Ndërsa në pjesën e prapme të furgonit janë gjetur dhëmbëzorë, gypa të metaltë dhe pjesë të tjera të vjetra të makinave.

Ata janë arsyetuar se sigurimi i ka lëshuar të hyjnë në fabrikë, duke u munduar ta bindin policinë se kjo nuk ishte vjedhje.

Por, një përgjegjës i fabrikës i ka thënë policisë se askush nuk është i autorizuar të hyjë natën në fabrikë, aq më pak njerëz që nuk janë punëtorë. Dhe se pjesët e makinave nuk është dashur të dalin jashtë fabrikës. Pas kësaj, policia ka arrestuar katër personat në furgon, si dhe punëtorin e sigurimit.

Sigurimin e kësaj kompanie e bën kompania “Balkan International”.

Drejtori rajonal i policisë kufitare, Nebih Aliu, ka konfirmuar për Gazetën JnK se ky rast është dërguar në stacionin policor në Kaçanik.

Në ndërmarrjen e privatizuar “Sharrcem” thanë se vjedhja që ka ndodhur nuk i ka dëmtuar edhe aq shumë, pasi këto ishin mjete të cilat nuk iu hynin në punë edhe aq shumë. “Ato kanë qenë mjete të vjetra të cilat ua kishim dhënë edhe sikur të kërkonin nga ne, vetëm që të na i heqin nga fabrika ato vjetërsira”, tha një zyrtar i kompanisë, i cili nuk preferoi t’i publikohet emri në gazetë. “Për shkak se nuk kemi ende ndonjë informacion zyrtar nga policia”.

Ndërkohë, kompania e sigurimit “Balkan International” ende vazhdon të bëjë sigurimin e kësaj fabrike.

<iframe width=”480″ height=”360″ src=”http://www.youtube.com/embed/b78KerUkP04″ frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe>