Shefqet Gjocaj. Foto: Isa Vatovci

Shefqet Gjocaj: Pandemia ka pamundësuar punën normale të Ansamblit 'Shota'

Pandemia e Coronavirusit ka pamundësuar zhvillimin normal të  funksionimit të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, “Shota”.

Infektimet brenda stafit dhe kufizimet e vëna nga institucionet për parandalimin e pandemisë kanë pamundësuar realizmin e repertorit sipas planifikimeve të bëra në fillim të vitit.

Deri më tani, “Shota” është  detyruar të anulojë koncertin tradicional të pranverës, koncertin tradicional “Brezave amanet”, që organizohet në ditën botërore të fëmijëve, me 1 qershor dhe atë  për shënimin e 70 vjetorit të ansamblit të parë kosovar profesionist. Po ashtu janë anuluar edhe koncertet tjera të planifikuara dhe pjesëmarrja në  festivale kombëtare e ndërkombëtare.

Për shkak të pandemisë, Ansambli “Shota” ishte detyruar të  ri-programojë aktivitetet e planifikuara për këtë vit.

Në këtë  intervistë  për Kallxo.com, drejtori i këtij ansambli, Shefqet Gjocaj flet për situatën që po kalon ansambli, pasojat nga pandemia dhe funksionimin e ansamblit në kushtet e pandemisë.

KALLXO.com: Javë më parë AKKV “SHOTA” shënoi 70 vjetorin e themelimit. Çfarë kishit planifikuar për shënimin e këtij përvjetori dhe a do të ketë ndonjë aktivitet për këtë ngjarje deri në fund të këtij viti?

Shefqet Gjocaj: Në fakt më 30 tetor ishte 70 vjetori i themelimit të ansamblit të parë profesional të këngëve dhe valleve në Kosovë, e jo i Ansamblit “Shota”, për arsye se “Shota” ka një ditëlindje tjetër. Respektivisht Ansambli “Shota” është themeluar në mars të 1964.

Me vendim të Kuvendit të  Kosovës, më 30 shtator 1950 është themeluar “Ansambli shtetëror i këngëve dhe valleve popullore”. Vendimi për themelimin e këtij ansambli është botuar në gazetën zyrtare, më 30 tetor 1950. Kjo datë merret si datë  e themelimit të ansamblit të parë profesional në Kosovë.

Ky ansambël është suprimuar në mars të vitit 1954 me një vendim arbitrar të Këshillit të  atëhershëm Ekzekutiv të Kosovës. Gjithsesi ky vendim ishte politik dhe arsyetimi ishte se Serbisë nuk i duhen dy ansamble dhe të gjitha aktivitetet që do t’i zhvillonte ky ansambël, i merr përsipër ansambli “Kollo” i Beogradit.

Por, pas një  periudhe prej 10 vjetësh, në mars të vitit 1964 ansambli është ri-aktivizuar dhe  është emërtuar me emrin “Shota”. Kështu ditëlindja e “Shotës” merret marsi i viti 1964.

Sidoqoftë, ne për këtë përvjetor kishim paraparë shumë aktivitete. Kishim paraparë një gala koncert, ribotimin e monografisë së ansamblit, me plotësime dhe natyrisht edhe me këto ndryshimet në historikun e tij, për arsye se në mungesë të arkivit, kur është botuar monografia e ansamblin, “Shota, muze në  lëvizje”, me rastin e 50 vjetorit, ne nuk kemi pasur të dhëna të ekzistimit të ndonjë ansambli profesional më  herët.

Për shkak të kufizimeve nga COVID-19, ne kemi planifikuar të bëjmë edhe video dhe audio inçizimet për nevojat e ansamblit. Deri më  tani kemi kryer audio inçizimin e koncertit të planifikuar për 30 tetor, por jo edhe video incizimin për shkak të  proceduarve të komplikuara të prokurimit dhe vonesave administrative në MKRS. Këto procedura po na vonojnë shumë dhe po bëhen pengesë për funksionim, mbase edhe më tepër se pandemia.

Shpresoj që kërkesa jonë për video-incizim të  miratohet sa më shpejt nga MKRS dhe Ministria e Financave dhe të gjejmë mot të mirë për realizimin e tij.

Ne nuk arritëm të shfaqim koncertin e planifikuar për 30 tetor 2020, për shkak të valës  së  re të pandemisë  dhe infektimit të dy anëtarëve të ansamblit dhe tre bashkëpunëtorëve të jashtëm të cilët ishte planifikuar të marrin pjesë në program. Është menduar që ky aktivitet të shtyhet. Ne kemi të planifikuar edhe një koncert për Ditën e Flamurit dhe, në  koordinim edhe me Këshillin Drejtues dhe MKRS kemi vendosur që këto dy programe të fuzionohen dhe programi të mbahet me datë 26 nëntor.   

Pasojat nga pandemia

KALLXO.com: Pandemia ka goditur secilin institucione të  kulturës. Sa ndikoi Covidi këtë vit në  punën e Ansamblit?

Shefqet Gjocaj: Pandemia na ka ndërprerë në muajin mars. Pas koncertit që e kemi mbajtur për nderë të Epopesë  së UÇK-së, menjëherë  filluam përgatitjet për  koncertin e pranverës, i cili këtë vit ishte përcaktuar t’i kushtohet primadonës së  muzikës shqipe, Nexhmije Pagarushës, ish- bashkëpunëtores së “Shotës”. Por, ky koncert nuk kishte mundësi të realizohet për shkak të  mbylljes së plotë që pasoi. Është anuluar edhe koncerti për ditën e fëmijëve. Të  dy këto koncerte që janë anuluar, tanimë janë koncerte tradicionale të Ansamblit.

Në kushte të reja ansambli është munduar të përshtatet. Gjithsesi ne kemi përgatitur një koncert i cili është shfaqur online, kryesisht me këngë dhe një pjesë koreografike. Kjo ishte mundësia në atë situatë.

Ne iu gëzuam hapjes dhe pas valës së  parë të pandemisë, punëtorët janë rikthye në punë, me shpresë  që në muajt e verës të përgatitemi për kremtimin e 70  vjetorit. Për shkak të disa vonesave në procedurë në  MKRS dhe të disa telasheve pasi pandemia nuk ka kaluar dhe ne herë pas here kemi pasur anëtarë të cilët kanë qenë të prekur nga COVID-19. Si rezultat i kësaj jemi detyruar të  punojmë në grupe të  vogla për ruajtjen e shëndetit të punëtorëve, në  bazë  të rekomandimeve nga Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Tash, vala e dytë na ka goditë në momentin më të keq të mundshëm, në kohën ku ne mendonim të mbanim koncertin e 70 vjetorit. Shpresojmë që  kjo valë të zgjasë pak, dhe ne të mund të përgatitemi që në vigjilje të ’28 Nëntorit’ të shfaqim programin.

KALLXO.com: Cilat ishin aktivitetet që “Shota” u detyrua t’ i anulojë për shkak të pandemisë, kryesisht aktivitete jashtë shtetit dhe në festivale kombëtare?

Shefqet Gjocaj: Gjithsesi pandemia përveç që na ka goditur edhe në realizmin premierave të parapara dhe programeve të  planifikuara, na është  dashur të  anulojmë edhe pjesëmarrjen në dy festivale ndërkombëtare të  konfirmuara. Po ashtu kemi anuluar pjesëmarrjen në disa aktivitete mbarëkombëtare si në festivalin e Gjirokastrës, “Oda dibrane”, etj. Njëkohësisht edhe na u pamundësua bashkëpunimet me ansamblin e Shqipërisë. Po e them jemi detyruar t’i anulojmë këto pjesëmarrje, por për korrektësi duhet të përmendim se për të njëjtën arsye, pra për shkak të pandemisë janë anuluar edhe vet festivalet. Janë disa festivale që janë munduar të mbajnë vazhdimësinë vetëm në formatin online.

Shefqet Gjocaj. Foto: Isa Vatovci

Infektimet dhe ri-organizmi i provave

KALLXO.com: Si është duke funksionuar aktualisht “Shota” , duke pasur parasysh rrethanat e krijuara nga pandemia?

Shefqet Gjocaj: Aktualisht pas dështimit të  koncerti dhe paraqitjes së disa rasteve, ne kemi kërkuar nga Instituti (Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik) që të bëjë testimin e gjithë anëtareve të trupës artistike. Por, nuk kemi hasur në mirëkuptimin e Institutit dhe nuk është  realizuar një gjë e tillë.

Ekziston një frikë, pasi ata që kanë rezultuar më herët pozitiv nuk kanë pasur simptoma. Kështu që ka qenë një panik te trupa artistike dhe në këto rrethana, ne e kemi lëshuar në shtëpi trupën artistike, duke pritur mundësinë e një testimi grupor të trupës artistike.

Ne mendojmë se sikurse klubet sportive, edhe punëtorët e “Shotës” duhet të testohen, pasi edhe ansambli punon si ekip. Këtu, puna  individuale nuk ka efekt, ka shumë  kontakt dhe është e pamundur të mbahet distanca gjatë provave apo programeve.

Kur kemi kërkuar për testimin e trupës artistike na është sugjeruar që vetëm ata që kanë simptoma të paraqiten për testim. Ne u kemi përcjellë informatat punëtorëve, presim që ata që kanë  simptoma t’ i dërgojmë për testim dhe pastaj të rishikohet mundësia për rifillimin e punës, fillimisht në grupe më të vogla me shpresën se duke iu afruar datës së koncerti për Festë e Flamurit të punojmë komplet me trupën artistike.

KALLXO.com: Sa ka ndikuar pandemia në realizimin programit të planifikuar nga “Shota” për këtë  vit?

Shefqet Gjocaj: Në se flasim në përqindje, pandemia ka goditur rreth 80% të programit të paraparë për kë të viti. Nëse ne e realizojmë  koncerti e 70 vjetori, së bashku me atë të ’28 Nëntorit’, botimin e monografisë dhe eventualisht deri në fund të vitit arrijmë të mbajmë edhe një premierë tjetër, atëherë mund të llogarisim që programi të realizohet diku deri në 40%. Në  këto rrethana ne jemi detyruar të përshtatemi. Kemi rishikuar planin dhe nëse arrijmë të  realizojmë edhe video-inçizimet atëherë, në rrethanat aktuale mund të jemi të kënaqur. Fatkeqësisht nuk jam fare optimist, edhe nëse virusi zhduket nesër, sepse mos përgjigja e MKRS-së  ndaj kërkesave tona është shqetësuese.

Buxheti i kontrolluar

Kallxo.com: Sa jemi të kënaqur me alokimin e buxhetin gjatë kësaj kohe, sa kishte mirëkuptim MKRS-ja ndaj kërkesave të Ansamblit?

Shefqet Gjocaj: Krejtësisht jemi të pakënaqur. Fillimisht na është thënë  se buxheti ynë është 180 mijë euro. Mirëpo deri më tash ne kemi realizuar diku 40 mijë euro. Ndarja e buxhetit është  fiktive, gjithnjë  derisa ne nuk kemi pavarësi buxhetore, kodin tonë buxhetor dhe mjetet nuk na qiten në atë kodi, që ne pastaj t’i planifikojë dhe t’i shpenzojmë mjetet.

Ne, çdo herë varemi prej aprovimit të kërkesave tona nga ana e MKRS dhe unë konsideroj që kjo formë është komplikuar në atë masë, sa më  lehtë  është të funksionojë një OJQ që merre projekt në ministri, se sa institucionet vartëse të ministrisë.

Po shpresoj shumë se ajo që ka premtuar ministrja të realizohet, që në vitin që vjen të pavarësohen institucionet edhe financiarisht, sepse statusi që kemi aktualisht, pamundëson funksionimin normal të institucionit, sidomos sa i përket realizimit të projekteve.

Ne nuk po mund ta lërojmë buxhetin, pasi edhe pse na ndahet nuk na jepet dhe nuk aprovohen kërkesat në MKRS, apo shtyhen në kohë dhe kur të  humb koha, pastaj e po e zë projekti projektin dhe në fund rezulton se ne nuk e kemi kryer punën!

Për realizimin projekteve ne varemi ekskluzivisht nga aprovimi i kresave tona nga MKRS-ja. Sistemi është burokratizuar skajshmërisht. Andaj unë  shpresoj shumë në funksionalizmin e kodit buxhetor dhe e konsideroj të rëndësishëm, pavarësimin financiar nga MKRS-ja, pasi aktualisht institucionet janë të ngulfatur dhe ato varen ekskluzivisht nga vullneti i mirë i zyrtarëve të ministrisë, i cili vullnet nuk ekziston asnjëherë. Çdo herë nga 2018 është  duke u komplikuar sistemi i realizmit të mjeteve dhe rrjedhimisht edhe i planeve tona.

Kallxo:com: Nëse nuk do të  kemi ulje të infektimeve dhe  ashpërsim të  masave, a do të gjeni ndonjë më mënyrë për prezantim të koncerteve të planifikuara?

Shefqet Gjocaj: Në  qoftë se ne do të  arrijmë ta realizojmë vido- incizimeve e materialeve  të  planifikuara për koncertin, atëherë  do të  mund të  transmetoheshin në të gjitha televizionet nacionale. Kjo edhe ka qenë ideja kryesore. Gjithashtu do të mund të merrnim pjesë edhe në aktivitete ndërkombëtare online, për çka kemi shumë kërkesa. Unë nuk jam dashamirës i transmetimit në  Facebook apo rrejte sociale sepse mendoj që është  mashtrim i vetvetes. Mund të  funksionojë në skena më  të vogla tek institucionet që bëjë  shfaqje me më pak anëtarë, por Ansambli “Shota” funksionon si grup dhe nuk ka efekt ku nuk funksionon grupi i valleve që është kryesori në  ansambël, pasi, nëse nuk mund të  luhen koreografitë e plota atëherë cila kish me qenë vlera e atij programi.