Kandidati për deputet nga AAK kundër monopolit në homologim
Kandidati për deputet nga AAK, Arbër Tolaj në një intervistë për KALLXO.com ka deklaruar se është kundër monopolit në homologim.
Por, vetëm pak kohë më parë, kolegu i tij nga partia, Pal Lekaj i kishte vazhduar monopolin në homologim një kompanie kosovare.
Tolaj që me profesion është mjek, nuk është shprehur kundër ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr.
“Termocentrali me qymyr mund të funksionoj sipas mendimit tim nëse në kuadër të tij do të funksionojnë filtrat specifik të cilët janë me kondita apo dizajne të caktuara të standardeve evropiane, nëpër mes së cilëve do të pastrohej ambienti ose ajri në këtë formë do ta pranoja”, ka thënë ai për KALLXO.com.
Kandidati për deputet nga koalicioni AAK-PSD tha se në financimin e fushatës po i ndihmon familja të afërmit si dhe nga pak partia.
Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë të kandidatit të AAK-së, Arbër Tolaj :
KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse bëheni deputet?
Arbër Tolaj: Në këto zgjedhje koalicioni AAK – PSD në krye me Ramush Haradinaj, e përkrahim kauzën 100% shtet, 100% dinjitet, 100% territor.
KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?
Arbër Tolaj: Nëse sovrani apo populli do të ma besoj që të jem pjesë e parlamentit atëherë unë do të jem pjesë e parlamentit si deputet dhe do të jem zë i fuqishëm për të gjithë qytetarët.
KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?
Arbër Tolaj: Mendoj se taksat të cilat duhet të ulen janë për prodhuesit vendorë, sepse mendoj që çdo qeveri ka obligim të mbështes në çdo rrethanë ata, këto janë taksat që mendoj se duhet të ulen.
KALLXO.com: Cilat janë tri amandamentet e para që keni me i propozu?
Arbër Tolaj: Pasi që i takoj fushës së mjekësis dhe jam ekspert i kësaj lëmie unë mendoj që fillimisht kishim me bë propozimin e sigurimeve shëndetsore sepse qytetarët janë pa sigurime shëndetësore dhe një gjë e tillë do të ndihmonte dhe secili qytetarë qoftë bujku apo personat tjerë të cilët marrin paga majme do të trajtohen njëjtë në institucionet shëndetësore publike të Kosovës.
KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?
Arbër Tolaj: Komuna prej nga vij nuk bënë pjesë në komunat e mëdha mirëpo si çdo komunë tjetër ka edhe problemet e saj, këtu e kisha potencuar furnizimin e pa ndërprerë me ujë të pijshëm, pastaj rregullimin në çdo fushatë përveç qytetit të kanalizimeve si dhe çdo pjesë e qytetit apo fshatrave përreth të ketë edhe infrastrukturën e rrugëve thjeshtë që qytetarët të kenë një jetë më të mirë, dhe thjeshtë të krahasohet edhe me qendrat.
KALLXO.com: A ka gjasa me e nderru partinë ku jeni tash?
Arbër Tolaj: Deri tash nuk e kam ndërru dhe nuk besoj që do të ndodhë as në të ardhmen.
KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?
Arbër Tolaj: Pasi qe jemi në demokraci dhe mendoj që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka një demokraci të sajën, mendimin në kuadër të grupit e shfaqi mirëpo vendimet do t’i sjellë grupi bashkërisht.
KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?
Arbër Tolaj: Pasi që i takoj natyrës dhe fushës së shëndetësisë atëherë personat të cilët kanë nevojë për ndihmë profesionale, shëndetësore si dhe personat të cilët i takojnë grupit të cilët kanë të bëjnë me mirëqenë sociale, këto kategori mendoj se janë më të ndashme dhe njëherit do ta kishin edhe përkrahjen time të parezervë në çdo kohë.
KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?
Arbër Tolaj: Fillimisht duhet të kemi një ambient të pastër në mënyrë që të kemi një jetë të shëndetshme, mendoj se kjo arrihet me organizimin fillimisht brenda qytetarëve lagjeve, institucioneve komunale që ne në mënyrë të vazhdueshme të kemi një shëndet më të mirë dhe të ikim fabrikave apo uzinave të cilat thjeshtë do ta ndotin ambientin.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?
Arbër Tolaj: Termocentrali me qymyr mund të funksionoj sipas mendimit tim nëse në kuadër të tij do të funsionojnë filtrat specifik të cilët janë me kondita apo dizajne të caktuara të standardeve evropiane, nëpër mes së cilëve do të pastrohej ambienti ose ajri në këtë formë do ta pranoja.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?
Arbër Tolaj: Parimisht kundër, mirëpo duke pasur për bazë gjendjen ekonomike të shumë qytetarëve në Kosovë atëherë një kategori e caktuar vërtet ndoshta janë të detyruar që këtë ta përdorin.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?
Arbër Tolaj: Qeset e plastikës për nga përmbajtja nuk janë shumë natyrorë mirëpo në coftë se bëhet organizimi shtëpiak pastaj lokal dhe në kuadër të drejtoratit për pastrim në secilën komunë unë e kisha përkrahur përdorimin e këtyre qeseve sepse në këtë formë do të kemi një ambient më të pastër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?
Arbër Tolaj: Unë jam kundër shitjes, sepse është një aset i vendit i cili gjeneron të hyra pastaj ndërmjet saj pagun edhe taksat ndaj shtetit, punësohen me mijëra punëtorë dhe në këtë mënyrë jam kundër saj.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?
Arbër Tolaj:Jam për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit, sepse ajo realisht nuk i për ketë Dukagjinit i për ketë gjithë Kosovës, e bënë ndërlidhjen po ashtu me trojet shqipëtare që i kemi me malin e zi, prandaj unë e kisha quajtur edhe autoudha kombëtare jo vetëm e Dukagjinit.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?
Arbër Tolaj: Kundër absolut.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?
Arbër Tolaj: Siç e ka cekur edhe kryeministri Haradinaj më herët do të ekzistojë taksa përderisa të kemi këto raporte me Serbin. Nëse Serbia ndryshon qasjen ndaj Kosovës dhe e pranon sovranitetin tonë si shtet atëherë normalisht me automatizëm taksa do të eliminohet vetvetiu.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?
Arbër Tolaj: Parimisht kundër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?
Arbër Tolaj: Nëse nuk akreditohen nga Agjencioni i Akreditimit dhe nëse vërtet ju përmbahen kritereve profesionale edukative çfarëdo lamije qofshin atëherë unë jam kundër mbylljes së tyre, sepse qëllimi mendoj është të kemi cilësi dhe të kemi kualitet e jo kuantitet.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homoligim?
Arbër Tolaj: Kundër kësaj.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?
Arbër Tolaj: Personalisht kundër.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?
Arbër Tolaj: Sa kam njohuri, bartja sipas ligjeve aktuale në Kosovë nën moshën 18 vjeçare janë të ndaluara, ndërsa në moshat e rritura pra madhore pasi që jemi edhe një shtet laik ato mund të përdoren.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?
Arbër Tolaj: Pasi që bashkatdhetarët tanë japin një kontribut të madh për Kosovën unë jam për që ata të jenë pjesë e parlamentit
KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzu?
Arbër Tolaj: Ridizajnimin mendoj se duhet ta përcaktojnë institucionet dhe komisionet e veçanta, varësisht sipas vlerësimit të tyre është abuzuar apo jo.
KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?
Arbër Tolaj: Nëse jo komplet patjetër që duhet të ketë një zbritje të kësaj tarife apo këtij çmimi për arsye se sinqerisht bashkatdhetarët tanë kalojnë me mija kilometra për të ardhur në Kosovë të na vizitojnë, të shpenzojnë para dhe kohën më të çmueshme qe kanë pushim një herë gjatë vitit, atëherë ata rrjedhimisht vinë këtu, prandaj mendoj se shteti i Kosovës ka obligim ndaj tyre.
KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?
Arbër Tolaj: Fushatën, pjesën më të madhe personalisht me familje dhe me të afërm, ndërsa një ndihmë të vogël e jep edhe subjekti politik.
KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajt gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?
Arbër Tolaj: Aktualisht e kryej funksionin e ortopedit në klinikën ortopedike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, dhe aktualisht jam drejtor i klinikës, pas orës katër që lejohet me ligj punojë në institucione private, dhe nëse do të zgjidhem deputet do t’i kryej të gjitha ato punë profesionale përveç kësaj çka lejohen me ligjet në fuqi.
KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?
Arbër Tolaj: Të hyrat mujore janë mesatare, ndërsa sa i përket pasurisë kam dy banesa në Prishtinë, pastaj shtëpinë në Pejë, këto janë familjarë normalisht, kjo është pasuria ime.
KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me grune/burrin? Nëse jo, a keni me e regjistru bashkarisht?
Arbër Tolaj: Pasurinë e kemi të përbashkët të regjistruar.
KALLXO.com: Heren e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?
Arbër Tolaj: Jo, herën e fundit kur jam sëmurë nuk më kujtohet kur ka qenë saktë, por normalisht në institucione publike.
KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?
Arbër Tolaj: Pasi që e udhëheq një institucion publik, gjithmonë në institucione publike sepse sinqerisht kemi profesionist të shkëlqyer të të gjitha lamive, vetëm që duhet të përmirësohet edhe infrastruktura.
KALLXO.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?
Arbër Tolaj: Fëmijët e mijë, dy djemtë e vijojnë mësimin në shkollën publike, shkollën fillore “Hasan Prishtina”, klasa e tetë aktualisht.
KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?
Arbër Tolaj: Sikur çdo familje shqiptare në Kosovë, të afërm ka të papunësuar dhe me kualifikime profesionale besoj, ndërsa sa u përket punësimeve kriteret përcaktohen sipas komisioneve pastaj agjensioneve apo ministrive të caktuara dhe në bazë të atyre kritereve besoj që secili do ta fitoj në vend pune me meritë
KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbetë nën qeverisjen shtetërore?
Arbër Tolaj: Aktualisht unë e përkrahi ligjin që e ka aprovuar kryeministri Haradinaj që ky aset i çmuar i shtetit tonë për herë të parë ka krijuar dhe ka mundësuar që 20% e pasurisë së kësaj të ju takoj punëtorëve do të thotë vetë të punësuarve.
KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?
Arbër Tolaj: Vota ime për buxhet mendojë që do të jetë votë parimore, dhe siç e thashë edhe më herët në kuadër të grupit parlamentarë vendimet merren të përbashketa me propozime mirëpo unë personalisht pasi që i takoj lëmi së shëndetësisë do të kisha anuar më tepër kah shëndetësia për çka edhe jam i thirrur.
KALLXO.com: Cili ka me qene projekti/puna me te cilen keni me lane gjurme/trashegimia juaj si deputet?
Arbër Tolaj: Nëse do të jem pjesë e kësaj legjislature normalisht që do të jem një zë i fuqishëm në ofrimin dhe përmirësimin e kualitetit të shërbimeve shëndetësore për të gjithë pacientët në nevojë, si dhe qëllimi për një projekt më të madh është edhe funksionalizimi dhe futja në fuqi e sigurimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e Kosovës.
KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?
Arbër Tolaj: Varet, sipas nevojës.
KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajtë gjatë një viti/mandati?
Arbër Tolaj: Sa herë të është e nevojshme që qytetarët të kenë nevojë për mua do tu përgjigjem me kënaqësi dhe do tu ofroj ndihmë aq sa të kem mundësi
KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?
Arbër Tolaj: Sipas një rregulli dhe standardi mendoj që makinat më të vjetra se tetë vite nuk do të ishte mirë që të kenë qasje në komunikacionin tonë duke e krahasuar edhe me vendet e bashkimit evropian.
KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu ne komisionet ku keni me qene pjese?
Arbër Tolaj:Varësisht nga nevojat që do të shfaqen dhe paraqiten atëherë do të jem pjesë aktive dhe një zë i palodhshëm i në këto raste dhe nevoja.
KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?
Arbër Tolaj: Po
KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?
Arbër Tolaj: Po
KALLXO.com: A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?
Arbër Tolaj: Po
KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?
Arbër Tolaj: Mendoj që për të qenë jo vetëm funksionale por edhe kualitative që çdo ministri t’i ketë dy zv.ministra.
KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?
Arbër Tolaj: Jo.
KALLXO.com: A keni me i bo transparente fondet e partisë?
Arbër Tolaj: Mendoj që fondet e partisë duhet të jenë transparente mirëpo ekziston ekipi i lamisë së ekonomisë e cila merret me këto situata, me këto gjendje.
KALLXO.com: A keni me i hape dokumentet/faturat ne kuvend/ministri?
Arbër Tolaj: Mendoj se ato duhet të kenë vazhdimisht qasje për publikun.