Fazli Gajraku. Foto: Kallxo.com

Fazli Gajraku: Procesi i digjitalizimit me plotë sfida, duhet ndihma e Ministrisë së Kulturës

Vitin e kaluar Biblioteka Kombëtare e Kosovës, “Pjetër Bogdani” hapi zyrtarisht Bibliotekën digjitale. Qëllimi i themelimit të kësaj biblioteke është digjitalizimi i fondit bibliotekar dhe vënia e tij në shërbim të përdoruesve.

Fazli Gajraku, drejtor i BK-së, “Pjetër Bogdani”, ka thënë në një intervistë për KALLXO.com se procesi i digjitalizimit, sipas standardeve, me pajisje adekuate, ka filluar me digjitalizimin e gazetës “Rilindja”.

Megjithatë, sipas drejtorit Gajraku, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ende nuk ka një platformë në të cilën, përdoruesit, mbi qasjen e caktuar, do të mund t’i qaseshin Arkivit digjital.

Sipas tij, për mungesë të një platforme për Bibliotekën digjitale, materialet e digjitalizuara nuk mund të plasohen për publikun.

Në këtë intervistë për Kallxo.com, drejtori i BK-së, “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku ka folur për sfidat që dalin gjatë procesit të digjitalizimit, koleksionet e digjitalizuara, ecurinë dhe projektet tjera në kaudër të pasurimit të Biblitekës Kombëtare me materialet e digjitalizuara.

KALLXO.com: Biblioteka Kombëtare ka  Bibliotekën digjitale, si është duke funksionuar kjo bibliotekë?

Fazli Gajraku: Biblioteka Kombëtare e Kosovës, në vitin që lamë pas ka hapur Bibliotekën digjitale, natyrisht, edhe për ne, ishte një përvojë e jashtëzakonshme me plotë veprime të reja e të panjohura tekniko-teknologjike. Tani më, Biblioteka digjitale është duke funksionuar në domenin e kapaciteteve aktuale, jo të mjaftueshme, por, është tejet e rëndësishme që procesi i digjitalizimit të një njësie fizike është duke vazhduar sipas standardeve ndërkombëtare.

Procesi i digjitalizimit të njësive fizike të koleksioneve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës po bëhet sipas një politike për digjitalizimin e koleksioneve të bazuar në kërkesat e përdoruesve, tregues i marrë nga Sektori për Përdorues, duke respektuar të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta.

Thënë me pak fjalë, me kapacitet infrastrukturore e teknike – teknologjike që kemi, jemi të kënaqur me rezultatet e deritanishme të procesit të digjitalizimit.

KALLXO.com: A është duke ofruar shërbime kjo bibliotekë për shfrytëzuesit e Bibliotekës Kombëtare?

Fazli Gajraku: Biblioteka Kombëtare e Kosovës ende nuk ka një platformë në të cilën, përdoruesit, mbi qasjen e caktuar, do të mund t’i qaseshin Arkivit digjital. Tash, varësisht nga kërkesat, por kryesisht, kërkesat e veçanta që vijnë nga Institucionet shkencore e kulturore, biblioteka ua mundëson shërbimin e përdorimit të njësive digjitale duke e marrë kohën e nevojshme deri sa të digjitalizohen njësitë e kërkuara.

Fazli Gajraku. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KALLXO.com: Si është duke shkuar procesi i digjitalizimit të fondit të bibliotekës?

Fazli Gajraku: Procesi i digjitalizimit, sipas standardeve, me pajisje adekuate, ka filluar me numrin e parë të gazetës “Rilindja”, për të vazhduar edhe më tutje digjitalizimi i kësaj gazete, që vazhdon edhe sot, duke u bazuar në politikat për digjitalizimin e koleksioneve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, e kjo si pasojë e kërkesave të shumta të përdoruesve për këtë gazetë. Po ashtu, në procesin e digjitalizimit të koleksioneve janë digjitalizuar, dhe po vazhdojnë të digjitalizohen edhe njësi nga Koleksionet e Veçanta.

KALLXO.com: Sa është numri i njësive që janë digjitalizuar deri më tani?

Fazli Gajraku: Deri më tani, nga procesi i digjitalizimit, Arkivi digjital është pasuruar me 3820 objekte digjitale, pa përmendur projektet e veçanta, sipas standardeve bibliotekare e të cilat nuk mund të plasohen për publikun për arsye të mungesës së një platforme për Bibliotekën digjitale.

Kjo platformë është e papërballueshme për buxhetin e Bibliotekës dhe jemi detyruar të kërkojmë ndihmë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e kemi dorëzuar projektin e detajuar, e besoj se edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të gjejë formën për të përfunduar edhe këtë pjesë të infrastrukturës së domosdoshme për Bibliotekën digjitale, po ashtu, janë bashkë-hartuar projekte në kuadër të programit Erasmus+ me partnerë vendorë e ndërkombëtarë për Bibliotekën digjitale, për të cilat presim vlerësimin nga financuesit e projekteve.

KALLXO.com: A planifikohet digjitalizimi i gjithë fondit të BK-së?

Fazli Gajraku: Biblioteka Kombëtare e Kosovës parasheh digjitalizimin e gjithë fondit të saj deri në atë pikë sa digjitalizimi i një njësie të caktuar është në harmoni me Ligjin për të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta. Shpresojmë shumë se do të krijohen kushte për të rritur kapacitetet si ato tekniko-teknologjike e po ashtu edhe ato humane për këtë proces.

Mirëpo, përveç koleksioneve të veta, Biblioteka digjitale, në kuadër të punëve dhe përgjegjësive në bashkëpunim me sektorët brenda Bibliotekës, është duke realizuar disa projekte të veçanta të cilat do ta pasurojnë koleksionin digjital të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës por që edhe do të shërbejnë për përdoruesit ose për komunitetin në përgjithësi.

Procesi i digjitalizimit. Foto: Kallxo.com

KALLXO.com: Në mesin e këtyre projekteve është edhe platforma elektronike për projektet e Historisë gojore, cili është qëllimi i kësaj platforme?  

Fazli Gajraku: Kujtesa e Kosovës: Histori gojore është nismë e Bibliotekës Kombëtare të Kosovë, “Pjetër Bogdani”, që ka për qëllim të dokumentojë, të ruajë dhe të promovojë historinë e vendit, duke mbledhur rrëfime të përjetuara të njerëzve të Kosovës, të cilët kanë jetuar një kohë të mbushur me ngjarje dhe kanë dëgjuar realitete e dëshmi për t’ua përcjellë sërish gjeneratave nga koha në kohë e nga brezi në brez.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka zhvilluar një platformë elektronike e cila është në përdorim e në zhvillim të mëtejmë duke krijuar një hapësirë të centralizuar për digjitalizimin e intervistave të formatit me zë dhe me video (audio and video) të shoqëruara me transkriptin përkatës, ku secila interviste do t’i përket një projekti të caktuar dhe secili projekt ka një sërë të dhënash të indeksuara. Platforma ofron mundësinë e pjesëmarrjes aktive të komunitetit në transkriptimin/përkthimin e intervistave. Platforma ka disa module si “dëgjo”, “transkripto” dhe “shiko”, natyrisht e gjithë kjo do të përditësohet si në aspektin e konceptit e po ashtu edhe në aspektin e zhvillimeve teknologjike.

Deri më tani, në platformë është ngarkuar projekti Kujtesa e Kosovës: Histori gojore: rrëfime të 100 pëlqeve e plakave të Kosovës, 100 intervista me zë dhe fotografi, 700 meta-data.

KALLXO.com: Në kuadër të projektit të huazimit ndërbibliotekar në nivel të vendit – njësi fizike dhe digjitale, Biblioteka Kombëtare ka bashkëpunuar me Agjencinë e Arkivave Shtetërore të Kosovës, cilat janë rezultatet e këtij bashkëpunimi?

Fazli Gajraku: Huazim ndërbibliotekar në nivel të vendit, bashkëpunim i Biblioteka Kombëtare e Kosovës me Agjencinë e Arkivave Shtetërore të Kosovës, për plotësimin e fondit periodik, gjegjësisht gazetës “Rilindja”, në formatin e njësive fizike por edhe të digjitalizuara, i cili ka filluar para disa muajsh e është duke vazhduar edhe tani, deri më tani arkivi digjital është pasuruar me 720 objekte digjitale e që sipas projekti parashihen rreth 5600 objekte digjitale të cilat do të shkëmbehen mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Agjencisë së Arkivave Shtetërore të Kosovës.

KALLXO.com: Së fundi Biblioteka Kombëtare ka nisur edhe projektin audio- book, çfarë parash ky projekt?

Fazli Gajraku: Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Iniciativa Kosovare për Stabilitet, në një projekt të përbashkët i cili ka filluar para dy muajsh dhe është duke vazhduar i cili parasheh digjitalizimin e librave në formatin audio-book, deri më tani janë digjitalizuar 20 njësi në formatin audio.

 

Biblioteka Kombëtare e Kosovës, “Pjetër Bogdani”. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com