Foto: Arkiv

Identifikimi Nuk Bind Familjet

Në morgun e mjekësisë ligjore në Prishtinë, aktualisht gjenden më shumë se 200 mbetje mortore të cilat besohet se janë viktima nga lufta e vitit 1999. Prej këtyre 200 mbetjeve mortore, 100 janë identifikuar dhe prapë vazhdojnë të mbesin në Departamentin e Mjekësisë Ligjore. 

Arsyet janë të ndryshme.

Arsim Gërxhaliu, drejtor i departamentit të mjekësisë ligjore, i cili është marrë me çështjen e personave të zhdukur që nga përfundimi i luftës në Kosovë thotë se familjarët japin arsyetime të ndryshme për mosmarrjen e mbetjeve mortore të identifikuara.

“Disa familje presin që një anëtar i tyre që jeton jashtë Kosovës të jetë prezent gjatë varrimit,” Gërxhaliu i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Arsyetimi tjetër i familjeve për mosmarrjen e mbetjeve mortore, thotë Gërxhaliu, është se familjarët nuk besojnë se ata janë me të vërtetë familjarët e tyre të zhdukur. 

“Ata thonë se ne e kemi gabim, dhe nuk na besojnë”. 

Identifikimi i këtyre 200 mbetjeve mortore ka nisur që nga viti 2004 dhe që prej asaj kohe ka pasur protesta të shumta për mos identifikimin e tyre. 

Në disa raste identifikimi i këtyre personave është i vështirë për shkak se mostra gjenetike e tyre nuk përputhet me mostrën gjenetike të dhuruar nga familjarët e të pagjeturve.

Në Kosovë, që nga mbarimi i luftës mbi 4,000 persona janë identifikuar me anë të metodës klasike, që bëhet me anë të identifikimit të rrobave dhe metodave të tjera.

Qerkinaj: Ata kanë katër djem të zhdukur në luftë por besojnë se janë gjallë në bazë të informacioneve të një personi nga Beogradi dhe i cili manipulon me shpresat e familjes për përfitime materiale. 

Prej këtyre 4,000 personave, më shumë se 2,000 janë varrosur pa u bërë analizat e ADN’së. Mjeko-ligjorët theksojnë se në këto raste ekziston mundësia që të bëhet keq identifikimi i tyre.

Ndërsa, departamenti i mjekësisë ligjore kishte nisur një proces në vitin 2002 ku i bënte thirrje familjarëve që kishin varrosur të afërmit e tyre, që të japin gjak për të vërtetuar nëse ata kishin marrë mbetjet mortore të drejta. 

“Është jashtëzakonisht vështirë t’i qasesh një familje të tillë të cilët edhe ashtu kanë vuajtur shumë, por në shumicën e rasteve hasim në mirëkuptim nga ana e tyre, pasi që ata janë të familjarizuar me këtë problem dhe e kuptojnë,” tha Gërxhaliu. 

Aktivitet në Ditën Ndërkombëtare për të Zhdukurit që mbahet me 30 gusht | Foto:www.yihr.org

Sfidat në Terren

Departamenti i mjekësisë ligjore ende nuk ka statistika të sakta se sa është numri i keq identifikimeve që janë bërë dhe sa raste janë kur varrimi i personave të gabuar është përmirësuar. 

Kryetari i shoqatës së familjarëve të zhdukur “Zëri i Prindërve” në Mitrovicë, Bajram Qerkinaj thotë se deri tani në Mitrovicë kanë qenë gjithsej tetë persona ku është gjetur identifikimi i gabuar. 

“Ne kemi bërë verifikimin e ADN’së tek gjithsej 68 persona. Prej këtyre 68 personave, ne kemi marrë mostrat e gjakut tek familjarët dhe kemi bërë zhvarrimin e gjithsej 56 mbetjeve mortore në mënyrë që të shihet se sa po përputhen ato [mostrat]. Na ka dalë që gjithsej ishin bërë tetë keq identifikime, ndërsa pritet që të vazhdojmë me të njëjtën procedurë edhe me rastet e mbetura,” thotë Qerkinaj. 

Ai thotë se disa familjarë nuk kanë pranuar që të japin gjak në mënyrë që të merren mostrat e tyre të ADN’së për të bërë identifikimin, pasi që ata nuk i besojnë departamentit të mjekësisë ligjore. 

“Unë kam provuar personalisht këto familje që të japin gjak. Kemi provuar edhe me zyrtarët tjerë të qeverisë që janë përgjegjës për persona të zhdukur. Ka shumë familje që ende besojnë se të afërmit e tyre janë ende gjallë,” tha Qerkinaj.

Ai shtoi se shqetësimi më i madh është se disa familje në Mitrovicë po manipulohen nga ana e disa individëve në serbi të cilët u thonë se ‘të afërmit e tyre janë gjallë’. Ai tregon për një rast konkret të familjes HH nga Mitrovica.

“Ata kanë katër djem të zhdukur në luftë por besojnë se janë gjallë në bazë të informacioneve të një personi nga Beogradi dhe i cili manipulon me shpresat e familjes për përfitime materiale,” tha Qerkinaj. Ai pohoi se ka edhe familje të tjera që manipulohen në të njëjtën mënyrë.

Plani për vitin 2012

Departamenti i Mjekësisë Ligjore i EULEX’it ka përpiluar listën e vendeve të dyshuara për varreza masive nga lufta dhe që do të hetohen këtë vit. 

Në këtë listë gjinden gjithsej 36 lokacione të reja ku planifikohet të gërmohet. Katër prej këtyre lokacioneve gjinden në veri të Kosovës dhe sipas Gerxhaliut gërmimi në këto lokacione vështirësohet në masë të madhe për shkak të arsyeve politike.

“Me situatën e tanishme në veri dhe në këto rrethana, gërmimi nga ana e ekipeve tona në veri të Kosovës është pothuajse i pamundshëm,” shpjegoj Gërxhaliu duke shtuar se edhe moti i keq bën që hetimet të shtyhen deri në mars të këtij viti. 

Po ashtu, Gërxhaliu thotë se mbetjet mortore mund të gjinden ende në Serbi bazuar në lajmin e dhënë në vitin 2011 nga kryeprokurori  për krime lufte të Serbisë, Bruno Vekaric i cili kishte thënë se janë gjetur vende ku dyshohet për varreza masive, duke përmendur rajonin dhe numrin e personave. 

“Kjo na bënë të dyshojmë se bëhet fjalë për varrezën në Rudnicë ku besohet se gjinden më shumë se 250 trupa, dhe gjithashtu kjo na bënë të dyshojmë se autoritet në Serbi kanë informata të sakta se ku gjinden ata, mirëpo refuzojnë të tregojnë” tha Gërxhaliu. 

“Shpresojmë që me punën e tetë ekipeve tona të mund të gjendet diçka në këto vende, edhe pse nga përvoja ime 90% e rasteve na dalin si thashetheme dhe gërmohet pa u gjetur asgjë. Mirëpo, ne prapë shpresojmë ” thotë Gërxhaliu. 

Sipas Komitetit Ndërkomëbtar të Kryqit të Kuq, KNKK janë edhe 1,795 persona të llogaritur si të zhdukur nga lufta e Kosovës.