Coronavirus, Laboratori në Prishtinë shpallë se për 20 euro kryen testet

Një laborator privat në Kosovë ka nisur të promovojë se mund të kryejë teste për COVID-19, ndërsa në anën tjetër Ministria e Shëndetësisë për KALLXO.com ka deklaruar se vetëm Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) është i vetmi institucion ku mund të kryhen këto teste.

Sipas ministrisë, IKSHPK është i vetmi institucion që kryen teste të aprovuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, të cilat kryhet me metodën REAL TIME PCR.

Laboratori Avicena-ks, i cili pretendon se mund të kryejë teste, ka njoftuar se tashmë ka filluar terminet për testet për COVID-19, por një gjë e tillë nuk është aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Laboratori ka njoftuar se tashmë është furnizuar me teste dhe do të mund të kryejë 50 të tilla në ditë me çmim nga 20 euro secila.

Laboratori tutje ka thënë se terminet mund të bëhen në një numër telefoni dhe vetëm pas terminit do të mund të shkojnë ta kryejnë testin.

“Avicena-ks u furnizua me teste për detektimin e Covid-19. Kapaciteti është deri në 50 teste në ditë me çmim nga 20€. Testimi kryhet vetëm me një termin të caktuar, që bëhet paraprakisht përmes numrit të telefonit 049 356 888, që është në dispozicion në intervalin kohor 08:00-20:00.Pacientët që nuk kanë caktuar termin për testim nuk do të pranohen për marrjen e mostrës. Pacientët që do të vijnë për testim duhet të mbajnë maskë mbrojtëse. Testi që përdoret është test i shpejtë dhe preciz kromatografik për detektim të antitrupave IgG dhe IgM të krijuara nga koronavirusi (COVID-19). Me përdorimin e kombinuar të testit IgG dhe IgM mund të detektohet prezenca e infeksionit virusal ose kontakti paraprak me infeksionin virusal përmes statusit imunologjik të trupit”, thuhet në njoftimin e laboratorit të publikuar në web faqen e tyre.

 

KALLXO.com ka kontaktuar me laboratorin në mënyrë që të marrë më shumë informacione rreth testeve, por të njëjtit kanë deklaruar se kërkesa jonë së pari duhet të kalojë në bord dhe pastaj të na lajmërojnë nëse duan të deklarohen për media.

Një punëtore e laboratorit në një bisedë për KALLXO.com ka deklaruar se ende nuk kanë filluar me kryerjen e testeve praktikisht, ndërsa tash po I kryejnë vetëm procedurat e marketingut.

Ndërsa ka shtuar se kanë lejen e importit të testeve ndërsa janë duke pritur një dokument edhe nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Unë bisedova me personin kompetent, i cili më tha se deri të hënën nuk është këtu dhe për cdo gjë bisedoni më mirë të hënen me të. Përndryshe nuk po e di arsyen bash mirë pse po doni me u taku, po e di që për testet, por ne ende nuk kemi startu me testet dhe jemi duke i zhvilluar vetëm procedurat e marketingut. Ne e kemi lejen e importit, por jemi duke e pritur prej Ministrisë së Shëndetësisë dicka që ka me lëshu dhe po mendojnë që është ende herët me dalë në media, ne e kemi edhe lejen e AKPPM, por tash jemi vetëm me marketing duke u marrë”, thanë nga laboratori.

Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë në përgjigje për KALLXO.com ka mohuar se ka institucion tjetër në Kosovë që mund t’i kryejë testet për COVID-19.

“Ministria e Shëndetësisë nuk ka aprovuar përdorimin e ndonjë lloj testi tjetër për zbulimin e SARS-COV -2, përveç testimeve me RT-PCR që kryhen në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK. Duke pasur parasysh nevojën dhe rëndësinë që testimet ta kenë saktësinë më të madhe të mundshme, ato janë bërë vetëm në IKSHPK, pra në sektorin publik, me aparaturë të dëshmuar për saktësi të rezultateve”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Gjithashtu tutje në përgjigjen e ministrisë thuhet që as Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk ka aprovuar testet rapide për SARS-COV-2 për diagnostikim klinik, sepse testet e tilla përdoren më shumë për qëllime të studimeve shkencore.

Edhe në Ligjin për Shëndetësi, veprimtaria private në sektorin e shëndetësisë nuk u lejohet veprimtaria në lëminë e epidemilogjisë (përveç dezinfektimit, dezinsektimit, dhe deratizimit parandalues),
ekologjia humane, dhe mikrobiologjia e mjedisit

Laboratori Avicena-ks në anën tjetër ka njoftuar për qytetarët se testimi kryhet përmes marrjes së mostrës së gjakut, ndërsa procedura e testimit nuk zgjat më shumë se 10 minuta. Mostrat e testimit të Covid -19 merren në një hapësirë speciale të ndarë tërësisht nga pjesa tjetër e laboratorit me qëllim të sigurisë dhe mbrojtjes maksimale.

Laboratori tutje ka njoftuar se rezultatet e testit dalin shpejt, janë efikase dhe precize me saktësi më shumë se 92.9%, ndërsa merren dy orë pas testimit në e- mail adresën e dhënë.

Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) deri më sot ka testuar 9314 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive kanë rezultuar gjithsej 861 raste, me 28 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese si dhe janë shëruar 561 persona.