Hashim Thaçi dhe William Walker Foto ZPRK

Hashim Thaçi e paguan 7 mijë euro në muaj William Walkerin për ta këshilluar (DOKUMENT)

Që nga muaji gusht, Zyra e Presidentit Hashim Thaçi ka lidhur kontratë me Fondacionin e ish-shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, për këshilla profesionale.

Pas raportimeve në media se Wolker nuk kishte pranuar ti japë dorën Hashim Thaqit dhe informacioneve të tjera për kontraktimin e Wolkerit, KALLXO.com ka hulumtuar dhe gjetur se “Walker Foundation” që ka nënshkruar kontrat është themeluar nga William Walker dhe Hasan Salihu në vitin 2017, ka nënshkruar një kontratë të majme me Hashim Thaçin për të dhënë këshilla.

7 mijë euro neto në muaj do të paguhet ky Fondacion për konsulencat që do t’ia japë presidentit Hashim Thaçi.

Plot 35 mijë euro ka kushtuar kontrata për këshilla mes organizatës “Walker Foundation” dhe Presidencës.

Kjo kontratë është nënshkruar në fillim të muajit gusht dhe do të jetë valide për 5 muajt e ardhshëm.

Kontrata mes Hashim Thaçit dhe William Walker ka qenë kontratë e negociuar, që do të thotë se nuk ka pasur fare thirrje publike, por palët janë marrë vesh për nënshkrimin e saj.

“Kryerësi i shërbimeve, në cilësinë e të angazhuarit, me qëllim të zbatimit të kompetencave kushtetuese të presidentit, do të ofroj ekspertizë të avancuar, në çështjet që përfshijnë por nuk kufizohen, si në vijim: Përfaqësimi i Republikës së Kosovës brenda dhe jashtë, zgjerimin dhe forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me shtete të tjera…”, janë disa prej detyrave që Fondacioni i themeluar nga Walker ka për detyrë t’i kryejë në shërbim të presidentin Thaçi.

Kjo kontratë do të përfundojë më 31 dhjetor, por palët janë marrë vesh që kjo mund të vazhdojë edhe për 6 muaj të tjerë, varësisht prej kërkesave të Zyrës së Presidentit.

“Për punën e kryer, kryerësi i shërbimeve do të kompesohet në shumën prej 7,000.00 Euro neto në muaj. ZPRK merr obligim për tatimin në të ardhura personale sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet tutje në kontratë.

Po ashtu, nga stafi i Presidencën janë përkujdesur që të mos lejojnë Walkerin të flasë për llojet e shërbimeve që i ka dhënë për presidentin Thaçi.

“Gjatë kohëzgjatjes së Kontratës dhe pas skadimit të saj, kryerësi i shërbimeve nuk lejohet t’i zbulojë informatat konfidenciale lidhur me detyrat e punës, lëndën e kësaj kontrate apo veprimtaritë e ZPRK-së, pa miratimin me shkrim nga Kabineti i Presidentit”, thuhet tutje në kontratë.

Në lidhje me llojin e shërbimeve konsulente që ofron nuk kanë dashur të flasin as nga “Walker Foundation”.

Hasan Salihu, drejtor ekzekutiv i këtij Fondacioni, tha për KALLXO.com se për shkak të llojit të kontratës llojet e shërbimeve duhet t’i mbajnë të fshehta.

“Kushtet e kontratës na obligojnë që t’i mbajmë këto informata në konfidencialitet! Prandaj përgjigjen për këtë pyetje ua rekomandojmë të ia adresoni Zyrës se Presidentit!”, është përgjigjur Salihu kur është pyetur se çfarë lloj këshillash dhe sa këshilla ia kanë dhënë presidentit deri më tani.

“Zakonisht të gjitha raportet/këshillat dhe veprimet tjera profesionale i përgatit Ambasadori William Walker”, thotë Salihu për KALLXO.com.

‘Walker Foundation’ është themeluar në vitin 2017 dhe në profilin e saj thotë se për qëllim kanë lidhjet mes shqiptarëve dhe tërësisht jopolitike.

“Krijimi i një lëvizje të përbëre nga të gjithë shqiptarët, pavarësisht prejardhjes ose përkatësive dhe angazhimeve të tjera, pra tërësisht jopolitike për t’i bashkuar shumë fraksione të diasporës anembanë botës me qellim te zhvillimit arsimor, ekonomik dhe kulturor”, thuhet të jetë qëllimi kryesor i këtij Fondacioni.

Ndonëse sot e këshillon për 7 mijë euro në muaj, raportet mes Thaçit dhe Walker nuk kanë qenë gjithmonë të mira.

Në një intervistë dhënë për RTV Dukagjini, më 2017, Walker kishte treguar se si dy herë ishte mashtruar nga Hashim Thaçi.

“Konsideroj se jam keqpërdorur nja dy herë nga ai. Pas lufte e takova në Pejë dhe u ula për të pirë kafe me të. Më ftoi që të ecnim në rrugë dhe pasi ecnim më ftoi te një turmë njerëzish që kishin dalë ta prisnin dhe unë gjeta veten në mbështetje të tij në atë takim”, kishte thënë në 2017, ish-ambasadori Walker në RTV Dukagjini.

Po ashtu, Walker kishte deklaruar se ajo çfarë di të bëjë Thaçi është t’i mbajë të kënaqur ndërkombëtarët.

“Ai është burrë i pashëm, por nuk jam admirues i tij, e vetmja gjë që Thaçi di të bëjë, është që t’i mbajë të kënaqur ndërkombëtarët”, kishte thënë Walker në po të njëjtën intervistë.

Në fillim të këtij viti ishte publikuar një video ku pretendohej se William Walker e injoron Hashim Thaçin dhe nuk i flet në një lokal.

Mirëpo, presidenti ishte kundërpërgjigjur duke e ftuar në zyrë për takim, ku dyshja u paraqiten se nuk kanë asnjë problem mes vete.

Kontrata mes ZPRK dhe Walker Foundation
Kontrata mes ZPRK dhe Walker Foundation
Kontrata mes ZPRK dhe Walker Foundation

 

 

 

Kontrata mes ZPRK dhe Walker Foundation

“Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian”.