Ëndrrat e Agim Bahtirit për Mitrovicën e zhvilluar

Nga diaspora Agim Bahtiri erdhi me premtimin që Mitrovicën do ta bënte një komunë ku do lulëzonte ekonomia dhe do të ulej papunësia.

Njeriu që pakkush e besonte që do kishte sukses arriti që në zgjedhjet e vitit 2013 të mundte pushtetin e PDK-së dhe të vinte në krye me një frymë tjetër të qeverisjes.

Bahtiri e rikonfirmoi pushtetin në vitin 2017 ndërsa në rrugëtim ndërroi parti. Nga AKR e Behgjet Pacollit ai aderoi në LVV-në e Albin Kurtit.

Por, qeverisja e shpresës në punësim vazhdon të ketë probleme dhe Mitrovica vazhdon të jetë njëra nga komunat më të varfra të vendit.

Më 2017 kur po pretendonte të rimerrte mandatin, Agim Bahtiri premtoi 3.800 vende të reja të punës.

Tri vite më vonë, të dhënat tregojnë se kjo shifër është larg për t’u arritur. Me hapjen e qendrës tregtare “Lux Mall”, “Aqua Park”, Qendrës Multifunksionale, janë hapur vetëm 380 vende të punës.

Qendra “OMNI Sport”, Mitrovicë

Përpos punësimit komuna vazhdon të ketë probleme të tjera në mirëmbajtje dhe infrastrukturë.

Të dhëna tregojnë se  84,8% e vendbanimeve janë të kyçura në rrjet të kanalizimit, i cili përfundon në lumenjtë e zonës pasi Komuna nuk ka arritur të ndërtojë impiant i cili i trajton ujërat e zeza.

Në zonën e Mitrovicës lehtë mund të gjesh familje që në shtëpitë e tyre nuk kanë furnizim me ujë.

Nga gjithsej 46 vendbanime, 39 vendbanime janë të përfshira në sistem të ujësjellësit (sipas të dhënave nga KRU “Mitrovica”). Në përqindje i bie që 85% e vendbanimeve janë të furnizuara me ujë të pijshëm.

Ndërsa prej vitit 2017 kanë përfunduar sistemi i ujësjellësit në këto fshatra; Koshtovë, Vidimiriq, Vinarc, Kodër dhe stacioni i pompave në Vllahi.

Ata që e vizitojnë Mitrovicën dhe veçanërisht zonën përreth Komunës dhe xhamisë “Isa Beg” lirisht krijojnë përshtypjen se kanë hyrë në një qytet pazar ku mallrat shiten në rrugë dhe pa asnjë kriter.

Komuna e Mitrovicës nuk ka arritur që as këto katër vite të krijojë një treg normal për shitjen e pemëve dhe perimeve nga shitësit dhe të njëjtit  këtë e bëjnë në trotuare në qendër të qytetit.

Në kushte minimale të higjienës çdo ditë në qendër të Mitrovicës përballë xhamisë kryesore grumbullohen dhjetëra shitës për të shitur produktet e tyre.

Komuna, përkatësisht Drejtoria e Inspeksionit, ka marrë aksione herë pas here për largimin e tyre por edhe sot gjendja vazhdon të jetë e njëjtë.

Liqeni artificial në Mitrovicë

Një atraksion turistik i është shtuar qytetit të mineraleve me rregullimin e shtratit të lumit Ibër, projekt ky në vlerë prej 1.8 milion euro, i realizuar në bashkëfinancim të Komunës dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Ndriçim publik, ulëset për qytetarët si dhe shporta për hedhjen e mbeturinave përgjatë gjithë Ibrit janë realizuar nga Komuna e cila në realizimin e projektit për ndërtimin e Liqenit Artificial ka të vendosur ndriçimin publik në të dy anët, ulëse për qytetarë kanë vendosur përreth gjithë Liqenit Akumulues dhe shporta për hedhjen e mbeturinave ka mjaftueshëm për ruajtjen e ambientit përgjatë liqenit.

Liqeni artificial në Mitrovicë

Janë vendosur po ashtu edhe lodrat për fëmijë dhe hapësira me pajisje fitnesi.

Po ashtu, gjatë rregullimit të hapësirës tek varrezat ortodokse janë vendosur 50 karrige, janë mbjellë 150 drurë e bari dhe është ndërtuar ura lidhëse.

Bahtiri kishte premtuar edhe ndërtimin e një parku botanik në afërsi të liqeneve artificiale mirëpo, përveç fazës së parë që është punuar në vitin 2018, nuk ka zhvillime të reja për ndërtimin e tij.

Një premtim tjetër i Bahtirit ishte edhe një lokomotivë për bartjen e fëmijëve dhe të moshuarve përgjatë lumit Ibër (në zonën e liqeneve artificiale) e po ashtu toalete publike.

Këto projekte  sipas të dhënave nga Instituti GAP ishin premtuar nga kryetari Bahtiri por asnjëra nga këto deri me tani nuk janë realizuar.

Liqeni Artificial, një atraksion që i ka kthyer gjallërinë Mitrovicës, gjatë vitit 2020 ka pasur problem me mirëmbajtjen për shkak të algave dhe barishteve e mbeturinave të cilat grumbullohen në të.

KALLXO.com në qershor të këtij viti ka raportuar për papastërtinë në Liqenin e Mitrovicës.

Me iniciativën e kryetarit të Komunës kishte filluar pastrimi i Liqenit, por kishte pasur reagime për shkak të mjeteve të cilat janë përdorur për pastrim.

Komuna në përgjigjen e saj për KALLXO.com ka thënë se në përfundim e sipër është projekti për rregullimin e shtratit të Ibrit dhe Sitncës.

“Gjithashtu në përfundim e sipër është projekti i rregullimit të shtratit të lumit Ibër dhe Sitnica, në të cilin projekt është paraparë edhe ndërtimi i kolektorëve për trajtimin e ujërave të zeza deri tek vendi ku është paraparë ndërtimi i impiantit të trajtimit të ujërave të zeza”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Mitrovicës.

Ekipi i KALLXO.com ka gjetur se Komuna e Mitrovicës tashmë ka filluar me rregullimin e shtratit të Ibrit, ndërsa janë duke u dëmtuar me të madhe të gjithë drurët të cilët janë buzë shtratit të lumit, të cilët po prehen pa mëshirë.

Në planifikimin urban vetëm 33% e zonës urbane ka plane rregulluese ndërsa pjesa tjetër nuk ka.

Qyteti nga paslufta ishte përballur me ndërtime pa leje ndërsa në tentativën e madhe për të shembur një objekt gjigant pa leje Komuna ka ngecur.

Më 2 qershor të vitit 2018 Komuna e Mitrovicës kishte filluar rrënimin e një objekti 11-katësh me arsyetimin se i njëjti nuk kishte leje ndërtimi.

Kurse dy  ditë me vonë kjo Komunë kishte dalë me një sqarim lidhur rrënimin e këtij objekti.

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, kishte mbajtur mbledhje me drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit, në atë kohë Sami Zeka dhe atë të Inspeksionit, ku më pas të njëjtit nga zyrtarët përgjegjës të Drejtorisë së Urbanizmit i është ofruar dokumenti origjinal me të cilin pronari i objektit, Fidan Muharremi, kishte aplikuar për leje ndërtimi më 11 shtator të vitit 2015.

Me rastin e shqyrtimit të aplikacionit zyrtarët e Drejtorisë së Urbanizmit kanë vlerësuar se projekti nuk i kishte përmbushur kriteret për lëshimin e lejes së ndërtimit, por kishin kërkuar nga ai që brenda një afati të caktuar të plotësojë dokumentet e nevojshme për t’u pajisur me leje ndërtimi.

Mirëpo, pronari Muharremi më 8 tetor 2015 kishte tërhequr aplikacionin (shihet nënshkrimi i pronarit) me arsyetim se pasi që të plotësojë dokumentacionin e kërkuar, do të aplikonte sërish për leje ndërtimi. Por më asnjëherë nuk kishte aplikuar për leje ndërtimit, sqarohej në njoftimin e Komunës.

Por sot e asaj dite i njëjti objekt qëndron ne vendin ku ka qenë, madje janë bërë edhe renovimet e dritareve dhe ballkoneve të cilit ishin thyer nga një eskavator i dedikuar për rrënimin e tij.

Komuna me 1 çerdhe 

Edhe pse është në mesin e komunave të mëdha të vendit, Mitrovica ka vetëm një çerdhe publike me kapacitet për rreth 300 fëmijë dhe dy çerdhe private të cilat menaxhohen jashtë dikasterit të DKA-së në Mitrovicë.

Ndërsa mbetet të shihet nëse deri në fund të vitit 2020 nëse do të përfundojë ndërtimi i një çerdheje moderne në Shipol, ku pritet të plotësohen kërkesat dhe nevojat arsimore të banorëve.

Nga 33 shkolla fillore dhe të mesme sa ka komuna e Mitrovicës vetëm 9 objekte të tyre kanë dalje emergjente, kurse sipas përgjigjes së kthyer nga Komuna objektet e shkollave të paraluftës nuk kanë dalje emergjente.

“Objektet e paraluftës nuk kanë dalje emergjente, ndërsa këto të pasluftës kanë të gjitha (9 shkolla) “, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Të dhënat tregojnë se Komuna e Mitrovicës ka ndarë 170 mijë euro për menaxhimin e pandemisë COVID-19 ndërsa qeverisja u kritikua pasi gjatë pandemisë deklaroi se bleu maska nga Amerika me çmim 10 euro.

Pas publikimi të shkrimit në KALLXO.com i menjëhershëm kishte qenë reagimi i kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili kishte telefonuar në redaksinë e KALLXO.com dhe kishte thënë se maskat e blera nga kjo komunë janë amerikane të cilat në treg nuk mund të gjenden me një çmim 15 deri në 20 euro.

Pas reagimit të Bahtirit, KALLXO.com ka hulumtuar në të dhënat e importit të maskave që janë publikuar nga Dogana e Kosovës.

Në bazë të të dhënave të Doganës së Kosovës, asnjë prej importeve të maskave në vitin 2020 nuk janë importuar nga ShBA-të. Pjesa dërmuese e maskave është importuar nga Kina. Ndërsa, vetëm dy dërgesa janë nga India, ndërsa nga një janë nga: Republika Çeke, Shqipëria, Turqia dhe Franca.

Kurse, sa i përket maskave FFP2, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës ato janë importuar vetëm nga Kina.

E në reagimin e Komunës së Mitrovicës thuhet se maskat nuk janë të Kinës.

“Ministria e Shëndetësisë për maskat e tipit FFP2 të prodhimit kinez ka paguar 8.90 euro. Pra Komuna e Mitrovicës ka paguar vetëm 10 euro për prodhim amerikan”, thuhet në reagimin e Komunës.

Gjendja në shëndetësinë e Mitrovicës nuk tregohet e mirë edhe nga vizitat në disa prej reparteve dhe ambulancave të qytetit.

Ekipi i KALLXO.com ka vizituar këtë qendër te Pediatrisë dhe fotografitë nga hyrja deri në pjesët tregojnë ambiente të ndotura të parenovuara ku ka prezencë të merimangave.

Probleme në shëndetësinë e Mitrovicës ka edhe në ambulantat e fshatrave të kësaj komune.

Nga 46 fshatra, sipas të dhënave nga faqja zyrtare e Komunës, 12 kanë ambulanta.

Të dhënat tregojnë se  ambulanta në fshatin Zabërxh është në gjendje të mjerueshme. (Foto )

Përfaqësuesi i fshatit Halil Fejza ka thënë për KALLXO.com se që para kohës së pandemisë në këtë ambulantë nuk shkon asnjë mjek.

“ Ambulanta nuk punon, ajo është demoluar, i kanë thyer xhamat, nuk është ka vjen mjeku hiç. Me herët ka ardhë mjeku para 5 apo 6 muajve ndoshta edhe me herët, do të thotë prej epidemisë e këndej nuk ka ardhë kurrëkush, atëherë ka ardhë mjeku dy herë në javë, ka ardhë prej shtëpisë së shëndetit, naj mjek, naj pastrues e ma jo“, ka thënë Fejza për KALLXO.com .

Sipas Komunës, në QKMF asnjë nga shërbimet shëndetësore nuk janë mbyllur, për shkak të mungesës së mjekëve dhe të gjitha shërbimet janë funksionale kurse autoambulanca arrin në pikën më të largët (fshati Kaçandoll) përafërsisht 30 minuta.

Rekomandimet e Auditorit që nuk u përfillën

Komuna e Mitrovicës nuk ka arritur të realizojë shumicën e rekomandimeve të dhëna nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Sipas Auditorit, prej 16 rekomandimeve, katër (4) ishin zbatuar, dy (2) rekomandime janë konsideruar të mbyllura, ndërsa 10 rekomandime nuk ishin zbatuar ende.

Parregullsi në procedurat e prokurimit në Komunën e Mitrovicës ka identifikuar Auditori në raportin për vitin 2019.

Për dy projekte me vlera të mëdha, kontratat e lidhura mes Komunës dhe operatorëve ekonomikë ishin nënshkruar nga udhëheqësi i Zyrës së Prokurimit, mirëpo nuk ishin nënshkruar nga kryetari i Komunës, duke shpërfillur kërkesën specifike të LPP-së, përkatësisht Nenit 26, që kontratat me vlera të mëdha, përveç menaxherit të prokurimit duhet të nënshkruhen edhe nga zyrtari kryesor administrativ, përkatësisht kryetari i Komunës.

Nënshkrimet e përcaktuara sipas këtij neni, konfirmojnë dhe pranojnë të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara në kontratë, në të kundërtën kontratat janë të pazbatueshme.

“Kurse pas vërejtjes nga ana e jonë kontratat ishin nënshkruar nga ana e kryetarit”, thuhet në raport.

Komuna kishte zhvilluar jashtë planit të prokurimit procedurat e tenderimit për projektin “Ndërtimi i monumentit të masakrës së tregut”, duke mos e njoftuar AQP-në ashtu siç kërkohet me nenin 9.6 të LPP-së për procedurat të cilat nuk janë të përfshira në planin vjetor të prokurimit. Në një tjetër rast, më 04.02.2019 Komuna kishte nënshkruar kontratë në vlerë financiare 2,468,275 euro për projektin “Ndërtimi, rregullimi dhe riparimi i rrugëve dhe trotuareve në bashkëfinancim me qytetarët“.

Por, sipas Auditorit, kontrata në fjalë nuk ishte prezantuar në raportin vjetor të kontratave publike, ashtu siç kërkohet me nenin 87 të LPP-së, që çdo kontratë e nënshkruar të prezantohet në raportin vjetor të kontratave duke identifikuar me detaje të arsyeshme të gjitha furnizimet, shërbimet dhe punët që autoriteti kontraktues i ka zhvilluar gjatë vitit gjatë vitit.

“E gjithë kjo ka ndodhur si rezultat i kujdesit jo të duhur profesional nga ana e menaxhmentit të lartë dhe zyrtarëve përgjegjës në respektimin e kritereve të përcaktuara në ligj”, thuhet në raport.

Dobësi në prokurim në këtë komunë ishin gjetur edhe në vitet paraprake. Për 2015-ën, Auditori ka gjetur se Komuna kishte anashkaluar procedurat e prokurimit.

Sipas raportit, Komuna kishte lidhur dy kontrata për shërbime kontraktuese duke mos zhvilluar procedurat e prokurimit.

Në vitin 2018 Komuna e Mitrovicës kishte nënshkruar kontrata jashtë planit të prokurimit për nevoja të QKMF-së në këtë qytet.

Edhe në vitin 2018, Komuna e Mitrovicës kishte nënshkruar kontrata jashtë planit të prokurimit.

Ndërkaq, sipas raportit të fundit për vitin 2019, Auditori ka gjetur se Komuna e Mitrovicës lëshoi leje ndërtimi 8 muaj para pëlqimit nga Drejtoria e Mbrojtjes dhe Shpëtimit.

Sipas Auditorit, lëshimi i lejes ndërtimore pa pëlqim nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, mos verifikimi i dokumenteve të nevojshme për ndërtim, si dhe nënshkrimi i listave kontrolluese pas dhënies së lejeve, rrezikon që ndërtimet të bëhen jo sipas standardeve të përcaktuara ndërtimore dhe kjo mund të vërë në rrezik jetën e qytetarëve.

“Sipas Ligjit Nr. 04/L – 110 për Ndërtim, neni 4 ku specifikohet se Lëshimi i lejes ndërtimore dhe përcaktimi i kërkesave të saj do të zbatohen në pajtueshmëri me parimet si në vijim: pika 1.1. mbrojtja e shëndetit dhe sigurisë, si dhe neni 21 Procedura për lëshimin e lejes ndërtimore pika 2. Nëse organi kompetent vlerëson se dokumentacioni ndërtimor nuk është përgatitur në përputhje me kushtet ndërtimore dhe me dispozitat e këtij ligji, nuk do të lëshojë lejen ndërtimore”, thuhet në raportin e Auditorit për vitin 2019.

ZKA ka rekomanduar se kryetari i Komunës duhet të sigurojë që asnjë leje ndërtimore nuk duhet lëshuar pa marrë të gjitha pëlqimet e nevojshme për fillimin e ndërtimit dhe çdo leje ndërtimore të lëshohet vetëm pasi që është bërë verifikimi i të gjitha dokumenteve për ndërtim.

Komuna e Mitrovicës po ashtu kishte paguar mbi 19 mijë euro mësuesit pa kontrata pune.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se në 5 raste për të punësuarit në arsim, Komuna e udhëhequr nga Agim Bahtiri kishte lidhur kontrata me afat të caktuar, por me mundësi vazhdimi.

Megjithatë, pas skadimit të kontratave komuna nuk kishte bërë ripërtëritjen e tyre, ndërsa kishte vazhduar t’i kompensonte pa kontrata. Vlera e paguar për të punësuarit të cilëve u kishte skaduar kontrata ishte 19,510 euro.

Gratë e punësuara në Mitrovicë

Sipas Komunës së Mitrovicës 202 gra kanë regjistruar pronën që nga viti 2017.

Ndërsa përqindja e grave të punësuara ne Komunën e Mitrovicës, përfshirë arsimin e shëndetësinë është 55.75% apo 1.079.

Mirëpo numri i grave në pozita udhëheqëse në Komunën e Mitrovicës është shumë i ulët, apo vetëm 2,06%.

Kryetari i Komunës Agim Bahtiri në garën për mandatin e dytë të tij kishte premtuar se do t’u japë më shumë pushtet grave nëse arrin të mposhtë kundërkandidatët e tij në garën për kryetar.

Bahtiri kishte premtuar se nga 14 drejtori sa i ka kjo Komunë, 6 do të drejtohen nga gratë.

Premtimin ai e kishte dhënë në debatet për kryetar të omunave te Jeta Xharra,

“6 drejtori do të drejtohen nga gratë”, ka thënë Bahtiri.

Bahtiri e ka kompletuar ekipin e tij me të cilin do të qeverisë në mandatin e dytë, por nga 14 drejtori vetëm tre prej tyre udhëhiqen nga gratë 

Drejtoria e Mirëqenies Sociale dhe Integrime Europiane, e cila drejtohet nga Nazan Kërveshi, Drejtoria e Shëndetësisë, e cila drejtohet nga Erseka Hasanaj dhe ajo e Administratës, e cila drejtohet nga Valmire Sylejmani.

Shkolla e rokut në Mitrovicë 

Mitrovica njihet si qytet i rokut që nga viti 1967 kur grupi “FAN” kishte filluar të influencojë qytetin e minatorëve me një rrymë të re muzikore.

Mitrovica Rock School është shkolla e dytë e rockut në Ballkan, e formuar si projekt i Musicans  Without Borders dhe Community Building Mitrovica, e cila i bashkon rockdashësit e të gjitha komuniteteve e krijuar në vitin 2008 me qëllim që përmes muzikës të kapërcehen ndarjet etnike mes të rinjve.

Kjo shkollë brenda një viti përafërsisht ka 100 deri në 120 studentë që ndjekin mësimin.

Nga gushti 2008 deri më sot mbi 1 mijë e 300 të rinj kanë marrë pjesë në MRS.

Ndërsa deri më tani shkolla ka pasur 49 bende etnikisht të përziera, prej tyre 24 cover bende dhe 25 bende origjinale.

Shkolla e rokut në Mitrovicë ofron mësime në instrumente të ndryshme si gitare, bass gitare, tupana, piano, vokal dhe ushtrime me bend.

Komuna e Mitrovicës në sektorin e kulturës dhe sportit ka buxhet në kategorinë e subvencioneve 91 mijë e 803 euro për vitin 2020.

 

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).