Biznesi i familjes së zyrtarit të komunës së Gjakovës fiton tender 80 mijë euro nga komuna

Komuna e Gjakovës i ka dhënë një kontratë në vlerë prej 80 mijë e 615 euro për furnizim me 82 kompjuter dhe 88 laptopëve biznesit të familjes së një zyrtari të Komunës.

Kontratën e ka fituar kompania ‘Kibernetika’ me pronar Fetah Krypën, vetëm pasi kompania me cmimin më të lirë nuk i është përgjigjur komunës për nënshkrim të kontratës. Djali i pronarit të kompanisë që e ka fituar tenderin, Dardan Krypa është udhëheqës i IT-së në Komunën e Gjakovës, pra në fushën që është fituar tenderi.

Edhe pse komuna e Gjakovës ka vetëm dy zyrtarë që merren me Teknologji Informative, në komunë thonë se specifikat për kompjuterët dhe laptopët janë bërë nga njësitë vec e vec. Specifikat teknike janë detaje profesionale që tregojnë saktë për përformancat që duhet t’i kenë laptopët dhe kompjuterë dhe që janë bazë për ofertimin e kompanive.

Specifikat janë bërë nga njësitë veç e veç me performanca të ndryshme”, thuhet në përgjigjet e komunës së Gjakovës. “Drejtoria e Arsimit (shkolla prej shkollës ka pasur specifika të ndryshme), si dhe të gjithë sektorët tjerë kanë propozuar specifika të ndryshme tek Drejtoria për Punë të Përgjithshme Administrative si njësi kryesore e kërkesës për gjithë Komunën e Gjakovës”.

Komuna e Gjakovës thotë se kanë të pamundur të identifikojnë të gjithë zyrtarët që kanë punuar në specifikat në fjalë. 

“Duke u nisur nga ky fakt është e pamundur që të identifikohen të gjithë zyrtarët që kanë punuar në specifikat në fjalë për secilën njësi apo shkollë”, thuhet tutje në përgjigjen e Gjakovës.

Komuna ka thënë se nuk ka të drejtë të na tregojë emrat e personave që i kanë hartuar specifikacionet teknike, pra kërkesa profesionale që vendosen në dosjen e tenderit dhe të cilat tregojnë se cfarë përformanca duhet të kenë kopjuterët dhe laptopët.

“Edhe nëse një gjë e tillë të jetë e mundur, fillimisht siç përcaktohet në parimet e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale Nr.06/L-082,  të dhënat personale të zyrtarëve publik, publikohen pasi të jetë marrë pëlqimi paraprak i subjektit të të dhënave, ku një pëlqim i tillë duket i pamundur në praktikë për shkak të numrit të madh të zyrtarëve që kanë marr pjesë në propozimin e specifikave të tenderit në fjalë”, thuhet në përgigjen e komunës së Gjakovës.

“Kibernetika” nuk ishte ofertuesi më i lirë në llotin e parë të tenderit për ‘Furnizim me Kompjuter dhe Laptop’ që iniciuar nga Komuna më 21 gusht të vitit 2020. Kompania ‘Aritech’ ishte shpallur fituese e Lotit 1 të tenderit, si ofertuesi më i lirë me ofertën prej 78 mijë e 922 euro. Por, vendimi për dhënien e kontratës është anuluar me datën 11 dhjetor 2020 nga Komuna e Gjakovës me arsyetimin se operatori ekonomik nuk i është përgjigjur kërkesës për nënshkrimin e kontratës.

Në një përgjigje për KALLXO.com, kompania ‘Aritech’ ka thënë se arsyeja e tërheqjes nga nënshkrimi i kontratës ka qenë për shkak të pandemisë. 

“Autoriteti Kontraktues nuk ka marrë për bazë situatën e krijuar në rrjetin e furnizimit si dhe mungesën e produkteve të IT-së në tregjet botërore dhe ka vendosur ta anuloj njoftimin ku ne ishim pretendues për nënshkrim kontrate. Anulimi i dhënies së kontratës është bërë me datë 3 dhjetor 2020”, thuhet në përgjigjen e tyre. 

Ai e ka dhënë këtë arsyetim edhe pse tenderi në të cilin ishin caktuar edhe afatet e kërkuara për liferim të produkteve të kërkuara dhe dorëzimi i ofertave ishte bërë pas fillimit të pandemisë.

Më pas ‘Kibernetika’, kompania e familjarit të zyrtarit të IT-së së Komunës, është shpallur fituese e Lotit e parë të tenderit, me çmimin e ofertuar prej 80 mijë e 615 eurove, apo 1 mijë e 693 euro më shtrenjtë se oferta më e lirë. Me datë 18 dhjetor 2020 është nënshkruar kontrata.

KALLXO.com ka kontaktuar Dardan Krypën, udhëheqës i IT në komunën e Gjakovës, e që babai i tij Fetah Krypa është pronar i biznesit ‘Kibernetika’.

Fillimisht përmes telefonit Krypa nuk ka pranuar të përgjigjet në lidhje me çështjen, duke thënë se ‘pse duhet me fol në telefon’ dhe ka kërkuar që pyetjet të dërgohen me shkrim.

Më pas, pas pranimit të pyetjeve me shkrim, Krypa ka konsideruar se i “cënohen” të dhënat personale dhe se nuk është treguar qëllimi i pyetjes. Për këtë, ka refuzuar të përgjigjet.

“Përdori të drejtën që të mos jap informacione apo përgjigje lidhur me këtë pyetje, për shkak se kërkuesi nuk e ka qartësuar qëllimin e parashtrimit të kësaj pyetje. Me që unë refuzoj të jap informacione dhe të dhëna të tjera personale të kërkuara nga ju, ju lutem që të respektoni ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale”, thuhet në përgjigjen e Krypes, me shkrim.

Në tentativën e dytë të KALLXO.com, Dardan Krypa është përgjigjur.

Ai ka konsideruar se pyetjet e dërguara janë presion për të, duke thënë se kemi kërkuar informacione lidhur me statusin familjar të një personi të tretë.

Ai e ka pranuar se Fetah Krypa është babai i tij, por që sipas tij, nuk ka ndikuar në fitimin e tenderit në fjalë.

“Fetah Krypa është prindi im, i cili jeton në komunën e Gjakovës dhe jemi të pavarur nga njëri tjetri në çdo aspekt të jetës. Po ashtu ju informoj se unë nuk kam situatë të konfliktit të interesit për shkak se në asnjë rast apo procedurë nuk jam i përfshirë në tenderin në fjalë me çka mundet të vërtetohet edhe nga dokumentacionet që gjenden në administratën e Komunës së Gjakovës”, ka pretenduar Krypa.

Por, KALLXO.com nuk ka dhënë informacione për personin që i ka hartuar specifikacionet teknike për këtë tender.

Ky tender kishte dhe dy llote të tjera: atë për furnizim me TV Smart dhe furnizim me Projektor. 

Loti 2 i tenderit, ai për furnizim me TV Smart është pezullar pasi kompania ‘Aritech’ ka paraqitur ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP) dhe lënda është ende në proces.

Kurse Lotin 3 të tenderit atë për furnizim me Projektor, e ka fituar kompania ‘Panamic Ict’. Kontrata është nënshkruar më 30 tetor 2020 dhe vlera e saj është 3 mijë e 50 euro.