Komuna e Gjakovës - Foto: KALLXO.com

Biznesi i familjes së zyrtarit të komunës fitoi 6 tenderë nga Komuna e Gjakovës

Biznesi i familjes së zyrtarit të Komunës së Gjakovës ka fituar 6 kontrata nga kjo komunë gjatë dy viteve të fundit, 2019 dhe 2020.

Kompania “Kibernetika”, pronë e Fetah Krypës, babai i Dardan Krypës, i cili është udhëheqës i sektorit të IT-së në Komunën e Gjakovës, kontratat e fituara në vlerë 163 mijë euro i ka fituar kryesisht në fushën e IT-së.

KALLXO.com ka analizuar dokumentet e publikuara në E-Prokurim rreth tenderëve që ka fituar “Kibernetika” dhe del se tenderët janë të fituar kryesisht si ofertuesit më të lirë, kishte raste kur ofertuesit më të lirë ishin eliminuar nga gara pasi nuk i kishin plotësuar kërkesat që dilnin nga Dosja e Tenderit dhe si kishte edhe tenderë që ishin me procedurë të negociuar.

Tenderin e parë ‘Kibernetika’ e ka fituar me 12 korrik 2019. Tenderi me emrin ‘instalimi i kamerave, sistemit të alarmit dhe zërimi në disa shkolla’, kapte vlerën totale 9 mijë e 876 euro.

Në këtë tender kishin aplikuar 7 operatorë ekonomik.

‘Kibernetika’ kishte aplikuar me 9 mijë e 876 euro dhe ishte më e lira. Kompania ‘BM Group’ kishte aplikuar me 11 mijë e 905 euro. ‘Nas-Systems’ kishte aplikuar me 12 mijë e 979 euro.

Grupi i operatorëve ekonomik ‘HPI dhe World Computers’ kishin ofertuar me 12 mijë e 358 euro.

Kompania ‘Interplast Group’ kishte aplikuar me 13 mijë e 312 euro. ‘Cimi Electronic’ kishte aplikuar me 14 mijë e 113 euro. Dhe ‘Professional Alarm’ kishte aplikuar me 15 mijë e 323 euro.

Grupi i operatorëve ekonomik ‘HPI dhe World Computers’ janë eliminuar nga tenderi, me arsyetimin se ka qenë administrativisht të papërgjegjshëm. Në arsyetim janë përmendur arsyet se mungojnë deklarata nën betim, sigurimi i tenderit, lista e kontratave për tri vitet e fundit si dhe referenca.

‘Interplast’ është eliminuar gjithashtu me arsyetimin se ka qenë administrativisht i papërgjegjshëm. Në arsyetim është cekur se mungon sigurimi i tenderit.

Edhe ‘Cimi Electronic’ është eliminuar si administrativisht i papërgjegjshëm. Sipas arsyetimit, operatori ekonomik në fjalë e ka tejkaluar vlerën parallogaritare.

Në fund ‘Kibernetika’ me çmimin e ofertuar prej 9 mijë e 876 euro, është shpallur fituese e tenderit, si operatori ekonomik me çmimin më të ulët të ofertuar.

Tenderin e dytë me radhë ‘Kibernetika’ e ka fituar me 5 gusht 2019. ‘Furnizim me paisje të teknologjisë informative’ kishte vlerën totale 6 mijë e 160 euro. Ky tenderi ishte i procedurës së negociuar.

Edhe më tutje, ‘Kibernetika’ ka vazhduar me fitimin e tenderëve.

Të tretin me radhë e ka fituar me 4 dhjetor 2019. Tenderi me emrin ‘Furnizim me PC, laptop, TV smart dhe projektor’ kapte vlerën totale prej 48 mijë e 488 euro.

Në këtë tender kishin aplikuar 3 operatorë ekonomik. Kompania ‘Panamic’ kishte ofertuar me 47 mijë e 365 euro. ‘Kibernetika’ kishte ofertuar me 48 mijë e 488 euro. Ndërsa ‘Aritech’ kishe ofertuar në tender me 47 mijë e 195 euro, por ishte eliminuar me arsyetimin se oferta ishte administrativisht i papërgjegjshëm.

Kurse kompania ‘Panamic ICT’ ishte eliminuar me arsyetimin se nuk ka ofruar dëshmi se ka përfunduar me sukses kontrata të natyrës së ngjashme në 3 vitet e fundit, në një vlerë jo më pak se 75 mijë euro e në rast konsorcioumi lideri duhet të ketë minimum 60% të vlerës së kërkuar.

Më pas ‘Kibernetika’ është shpallur fituese, si ofertuese me çmimin më të lirë.

Tenderin e katërt ‘Kibernetika’ e ka fituar pas pothuajse një viti, me 16 shtator 2020. Vlera e tenderit ‘Furnizimi dhe instalimi i kamerave ne shkolla dhe sistemi i alarmit’ ishte 16 mijë e 346 euro.

Në këtë tender kishin aplikuar gjithsej 7 operatorë ekonomik.

‘Kibernetika’ ka ofertuar me 16 mijë e 346 euro. ‘Afa-Ing’ ka aplikuar me 16 mijë e 477 euro. Grupi i operatorëve ekonomik ‘Cimi Electronik dhe Impact’ kanë aplikuar me 21 mijë e 710 euro. Grupi tjetër i operatorëve ekonomik ‘Bionics dhe Artech’ kanë ofertuar me 16 mijë e 445 euro.

Kompania ‘Elting electronics’ ka ofertuar me 16 mijë e 999 euro. ‘Besa Security’ ka aplikuar me 17 mijë e 887 euro.  Dhe ‘Professional Alarm’ ka aplikuar me 21 mijë e 459 euro.

‘Kibernetika’ është shpallur fituese e këtij tenderi, si ofertuesi me çmimin më të lirë.

Tenderin e pestë, ‘Kibernetika’ e ka fituar me 27 tetor 2020. Tenderi ishte ‘Furnizim me UPS’ dhe vlera ishte 2 mijë e 200 euro.

Në këtë tender kishin marrë pjesë 3 operatorë ekonomik.

Kompania ‘Aritech’ kishte ofertuar me 2 mijë e 500 euro. Kompania ‘Eho-04’ ka ofertuar me 1 mijë e 955 euro. Dhe kompania ‘Kibernetika’ me 2 mijë e 200 euro.

Kompania ‘Eho-04’ është eliminuar nga tenderi, me arsyetimin se nuk e ka të nënshkruar deklaratën nën betim. ‘Kibernetika’ është shpallur fituese, me çmimin e ofertuar prej 2 mijë e 200 eurove, si ofertuesi me çmimin më të lirë.

Dhe tenderin e fundit biznesi i familjes së zyrtarit të komunës së Gjakovës, e ka fituar më 18 dhjetor 2020.

Në këtë tender ka marrë pjesë edhe kompania ‘Aritech’, me çmimin e ofertuar prej 78 mijë e 922 euro. Kjo kompani  ishte shpallur fituese e këtij tenderi, por që më pas është tërhequr nga nënshkrimi i kontratës.

E më pas ‘Kibernetika’ është përzgjedhur fituese e tenderit, me çmimin e ofertuar prej 80 mijë e 615 eurove, duke përmbyllur të paktën deri më tash tenderin e 6 me radhë të fituar në Komunën e Gjakovës, me vlerën totale prej 163 mijë e 685 eurove, për rreth dy vite.

Biznesi i familjes së zyrtarit të komunës së Gjakovës fiton tender 80 mijë euro nga komuna