Ekzekutivi i Komunës së Pejës Foto Facebook
Anëtarët e LDK-së në Pejë bëhen drejtorë shkollash
Gazmend Muhaxheri dhe LDK udhëheq me Komunën e Pejës që dy mandate radhazi. E gjatë kësaj kohe, disa anëtarë të kësaj partie u bën edhe drejtorë shkollash.
Një hulumtim i KALLXO.com ka zbuluar se disa prej drejtorëve të shkollave në këtë komunë janë anëtarë të partisë. Të njëjtit janë shprehur krenar që janë pjesë e partisë së Isa Mustafës, ndërsa e kanë mohuar se partia u ndihmoi që të bëhen edhe drejtorë shkollash.
Vetë komuna e Pejës në një përgjigje me shkrim ka thënë se drejtorët e shkollave nuk mbajnë pozita politike.
“Asnjë nga drejtorët e shkollave nuk kanë pozita politike”, thuhet në përgjigjen e DKA-së së Pejës, kur është pyetur nëse ndonjë nga drejtorët e shkollave është pjesë e politikës.
Por, ndryshe nga Drejtoria e Arsimit kanë thënë vetë drejtorët e shkollave. Ata nuk e kanë pasur problem të tregojnë që janë pjesë e LDK-së, madje, janë shprehur se janë krenarë që janë pjesë e partisë që aktualisht drejton edhe qeverinë e Kosovës.
Komuna e Pejës numëron gjithsej 47 shkolla. Nga tetë shkollat e qytetit të Pejës , shtatë shkolla punojnë me dy ndërrime, ndërsa në shkollat e fshatrave kryesisht punohet me një ndërrim.
Drejtori i shkollës fillore “Fan Noli” në Krushec të Pejës, Canë Gashi, e ka pranuar se është në LDK-në prej kur është krijuar kjo parti. Në krye të kësaj shkolle Gashi është zgjedhur në vitin 2014, një vit pasi komunën e Pejës e mori nën udhëheqje LDK dhe kryetari Gazmend Muhaxheri.
“Po, po (jam pjesë e LDK-së), prej fillimit, që 30-40 vjet. Jam anëtar dhe aktivist kam qenë një kohë të gjatë. Jam anëtar i degës në Pejë i LDK-së. Po, jam drejtor në shkollën ‘Fan Noli’, jam drejtor prej 2014-ës”, ka thënë ai në një bisedë përmes telefonit.
Kur është pyetur nëse ka ndikuar partia që të zgjedhet drejtor shkolle, Gashi ka dhënë një përgjigje interesante.
“Për atë arsye shko vete Albinin, hajt kalo mirë…”, ka thënë drejtori i shkollës fillore “Fan Noli” dhe e ka mbyllur telefonin.
Vitin e kaluar, Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Pejë festoi 29 vjetorin e themelimit. Për shënimin e kësaj date, më 13 janar 2019 kjo parti organizoi një koktej rasti me figurat kyçe.
Drejtori i shkollës fillore “Pjetër Budi” në Poqestë, Atdhe Krasniqi, u pa përkrah kryetarit Gazmend Muhaxheri.
Në një bisedë për KALLXO.com, Krasniqi fillimisht ka thënë se nuk është pjesë e LDK-së dhe fotografia mund të jetë bërë në ambientet e shkollës.
“Jo, nuk jam pjesë e LDK-së, ka mujtë fotografia në shkollë se aty vijnë”, ka thënë ai.
Por, fotografitë e Krasniqit së bashku me kryetarin Muhaxheri tregojnë se ai ishte i pranishëm në festimin e 29 vjetorit të LDK-së, në njërin prej hoteleve në qendër të Pejës.
“29 vjetori i themelimit të LDK-së në Pejë, me këto fotografi sjellim para publikut (elektoratit) atmosferën e zhvilluar në ngjarjen e organizuar për shënimin e 29 vjetorit të themelimit të LDK-së”, thuhej në përshkrimin e ngjarjes nga dega e LDK-së në Pejë.
Agime Lajqi, drejtoreshë e shkollës “Asdreni” në Pejë është gjithashtu anëtare e LDK-së.
Lajqi fillimisht ka dashur ta dijë se pse na intereson pyetja nëse ajo ka lidhje politike dhe mban një post, siç është drejtoreshë e shkollës, e më pastaj e ka pranuar se është anëtare. Ajo ka thënë se nuk mban ndonjë post të lartë në parti, prandaj nuk paraqet ndonjë problem.
“Nuk është e nevojshme me iu tregu unë juve se ku jam e çka bëj unë… Po, po, unë jam anëtare e LDK-së, me krenari e them që jam anëtare e LDK-së dhe jam qysh në kohën e presidentit. Unë jam drejtoreshë në shkollën “Astreni” i dyti mandat, i bie që 6 vite. Udhëzimi Administrativ e thotë që mos me qenë udhëheqëse e ndonjë grupacioni politik, në këtë rast me qenë si anëtare nuk bjen ndesh me Udhëzimin Administrativ, por vetëm nëse udhëheq”, ka thënë drejtoresha Lajqi.
Valdrin Husaj është drejtor në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit” në Pejë. Në një bisedë përmes telefonit, Husaj e ka pranuar se është anëtar i LDK-së, por nuk ka librezë partie. Husaj është zgjedhur drejtor që një vit.
“Unë jam votues si krejt qytetarët, po s’jam militant. Po, anëtar i LDK-së jam. Unë nuk kam librezë po me votu votoj, veç anëtar i thjeshtë jam, jam aktivizuar po si qytetar, s’jam militant as s’kam librezë. Jam që një vit drejtor, ka dal ai në pension që ka qenë unë kam qenë mësimdhënës dhe kam konkuru, ka qenë konkurs i rregullt”, ka shpjeguar drejtori Valdrin Husaj.
Anëtar i thjeshtë i LDK-së ka thënë se është edhe Zekë Muqkurtaj, drejtor në shkollën “Smajl Hajdari” në Pejë.
“Anëtar i thjeshtë po. Pozitë udhëheqëse nuk kam pas asnjëherë. Drejtor i shkollës jam që një vit, prej majit. Nuk jam favorizuar që të bëhem drejtor, vetë kolektivi i shkollës më ka propozuar për drejtor shkolle”, ka thënë ai.
Anëtar i partisë së LDK-së ka thënë që nuk është, por vetëm aktivist dhe simpatizant i saj edhe Bajram Kelmendi, drejtor i shkollës fillore “Migjeni” në Gllogjan të Pejës.
“Jo, nuk jam anëtar, vetëm aktivist, e simpatizoj LDK-në. Që katër vjet jam drejtor shkolle. Nuk ka ndikuar partia që të zgjidhem drejtor, atëherë nuk ka pasur diçka ashtu”, ka deklaruar Kelmendi në një bisedë për KALLXO.com.
Pjesë e LDK-së ka thënë se nuk është Florentina Ademaj- Fetahu, drejtoreshë në shkollën fillore “28 nëntori” në Raushiq të Pejës edhe pse ajo është parë në fotografi me kryetarin e kësaj komunë, Gazmend Muhaxheri.
“Qysh? A, jo nuk jam pjesë partie, hiq. Unë nuk jam zyrtarisht në asnjë pati politike, mundeni me hulumtu nëse del që jam jepi përgjegjësi personale. Ndërsa, ato fotografitë, mundet me ndodh se ka projekte me komunën, mundet me ndodh. Pëlqimet janë personale, unë kam pëlqime edhe të politikaneve të tjerë. Jam që 2 vite e gjysmë në shkollë drejtoreshë. Zyrtarisht nuk jam anëtare e asnjë partie politike”, ka shpjeguar drejtoresha Ademaj- Fetahu.
Një hulumtim të plotë për gjendjen e shkollave, premtimet për arsimin por edhe në përgjithësi për punën dhe mos punën e Gazmend Muahxherit në krye të Pejës, mund ta lexoni më poshtë:
Lotët e Gazit që nuk ia sollën investimet në turizmin e Pejës
www.kallxo.com