Foto: Ambulanca në Smallushë e mbyllur me dry - Foto: KALLXO.com

Hulumtim: Objektet shëndetësore 'fantazmë' që po lënë qindra qytetarë pa shërbime mjekësore

Në javët e para të pandemisë COVID-19 vendi u përball me mungesa të mëdha të hapësirave për t’i trajtuar pacientët e sëmurë.

Në qendrat spitalore, mungesa e shtretërve dhe pajisjeve të oksigjenit vështirësoi trajtimin e pacientëve ndërsa pamjet nga korridoret e spitaleve me pacientë u bënë virale në mediat sociale.

Planifikimi i keq i investimeve në shëndetësi është një prej problemeve të mëdha në menaxhimin shëndetësor. Hapësira të tëra që u ndërtuan pas luftës sot janë të demoluara për shkak se nuk ishin planifikuar mirë ndërsa spitale e reparte shëndetësore vazhdojnë të jenë të mbyllura për shkak të mungesës së stafit e investimeve minimale. 

Të dhënat tregojnë që Kosova ende nuk ka një Sistem të Informimit Shëndetësor ndërsa gjetjet tregojnë se për ndërtimin e të njëjtit janë investuar mbi 20 milionë euro ndërsa funksionimi ende nuk ka ndodhur. 

Investime të tjera në shëndetësi kanë dështuar për shkak të mungesës së planifikimit të duhur.

Komuna e Rahovecit kishte investuar 306 mijë euro për të ndërtuar një qendër të dializës në këtë qytet.

Qendra është ndërtuar para disa vitesh ndërsa aparaturat vazhdojnë të jenë të papërdorshme për shkak se Komuna nuk ka të drejtë ligjore ta ofrojë këtë shërbim.

Si rezultat aparatet që po shihen në këto pamje nuk përdoren ndërsa pacientët nga Rahoveci duhet të shkojnë në Prizren për të kryer shërbimin ditor të dializës.

Sikurse qendra e dializës në Rahovec janë edhe dhjetëra institucione shëndetësore në vend. 

KALLXO.com ka vizituar edhe ambulancat e mjekësisë familjare në komunën e Lipjanit, në të cilat ndonëse janë investuar mijëra euro, nuk janë funksionale. 

KALLXO.com ka qëndruar në dy fshatra të mëdha, Banullë dhe Smallushë. Në fshatin Banullë objekti i AMF-së është i demoluar në tërësi ndërsa sipas komunës së Lipjanit nuk dihet se sa euro janë investuar në këtë objekt. Përkundër objektit të demoluar në fshatin Banullë, objekti i AMF-së në fshatin Smallushë është i mbyllur me dry dhe qytetarët nuk kanë fare qasje në këtë objekt. 

Komuna e Lipjanit në një deklaratë për KALLXO.com ka thënë se këto Ambulanca nuk janë funksionale për shkak se banorët nuk kërkojnë shërbime në këto institucione.

“Në funksion nuk janë AMF-të në Banullë dhe Smallushë. AMF në Banullë ka qenë funksionale derisa ka qenë shkolla në funksion edhe pse numri i pacientëve ka qenë shumë i ulët. Kjo AMF gjenet jashtë fshatit Banullë dhe para dy vitesh nuk ka qenë asnjë pacient i vetëm edhe pse ne kemi dërguar mjekun dhe infermierin aty çdo ditë. Kështu që pacientët në atë pjesë nuk kanë preferuar që të marrin shërbime shëndetësore në atë pjesë. Në fshatin Smallushë e kemi dërguar mjekun dhe infermierin dhe numri i pacientëve ka qenë 5 ose 6 pacientë që kanë kërkuar shërbime”, ka thënë Agim Krasniqi, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan.

KALLXO.com po ashtu ka vizituar edhe komunën e Fushë Kosovës. Edhe në këtë komuna KALLXO ka identifikuar tri Ambulanca të Mjekësisë Familjare që nuk japin shërbime. 

Banorët e Grabocit të Poshtëm, Bardhit të Vogël dhe Hencit nuk mund të marrin shërbime ndonëse objektet jofunksionale të AMF-ve zënë pjesët më të bukura të këtyre fshatrave.  

Zëdhënësi i komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli ka thënë për KALLXO.com se në mos-funksionalizimin e këtyre AMF-ve ka ndikuar shpërngulja e qytetarëve nga fshati në qytet dhe  numri i vogël i banorëve që aktualisht janë në këta fshatra. 

Tutje zëdhënësi ka thënë për KALLXO.com se Komuna është duke parë mundësinë që këto objekti t’i ridestinojë për shërbime të tjera. 

“Për t’u caktuar një mjek për vizitë në këto lokalitete sigurisht që shkon me numrin e banorëve deh duhet të ketë mbi 1,000 banorë. Me kalimin e kohës ne kemi pasur një zhvendosje të qytetarëve, jo vetëm nga këto tri fshatra por edhe në fshatra të tjera të komunës së Fushë Kosovës, pro tërhiqen dhe vijnë të jetojnë në qytet. Në bazë të këtyre kritereve ne nuk kemi mundur të sigurojmë staf”, ka deklaruar Topalli.

Sikurse AMF-të në Banullë, Smallushë, Graboc të Poshtëm, Bardh të Vogël dhe Henc janë edhe shumë objekte të tjera gjithandej Kosovës. 

Në vitin 2014, shoqata ‘Nëna Terezë’ me seli në Gjermani kishte marrë iniciativë të ndërtojë një repart për fëmijë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.

Shoqata kishte planifikuar të shpenzojë 531 mijë e 359 euro për këtë repart, me kapacitet prej 26 shtretërish, që do të përfundonte dy vite pas fillimit të ndërtimit, pra në vitin 2016.

Tetë vite pas, një repart i tillë ende nuk është funksionalizuar.

Shoqata me përfaqësues Shaqir Gashi në vitin 2015 kishte nënshkruar memorandum me Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës për ndërtimin e repartit të pediatrisë.

Sipas këtij memorandumi ky repart është në kuadër të Spitalit Rajonal të Mitrovicës dhe se të gjitha fondet për të kryer punimet do të duhej t’i siguronte shoqata ‘Nëna Terezë’.

Por në vitin 2018, Shoqata e cila kishte nisur ndërtimin e repartit, u drejtohet me një kërkesë fillimisht Ministrisë së Shëndetësisë pastaj Shërbimit Spitalor Klinik Universitar.

Ajo kërkon që ShSKUK të participojë 10% të vlerës së përgjithshme apo rreth 53 mijë euro, kjo përmes ndërrimit të memorandumit, pasi që Shoqata kishte ‘ngecur’ në kryerjen e punimeve.

Shaqir Gashi, përfaqësues i Shoqatës, ‘Nëna Terezë’ në një intervistë për KALLXO Përnime tregon për iniciativën për ndërtimin e repartit për fëmijë.

“Iniciativa ka ardh më një kërkesë të një infermiere nga Spitali i Mitrovicës, në këtë rast të Ferdane Miftari ne më pastaj kemi shku e kemi vizitu spitalin  dhe kemi pa që kushtet janë shumë të këqija dhe se duhemi me ndërmarrë dicka për me e ndërtu një spital të fëmijëve i cili do të shërbejë për regjionin e Mitrovicës”, tha ai.

Gashi tregon për komunikimet që kanë pasur ata si shoqatë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe ShSKUK-në.

“Në fillim ne iu drejtuam Ministrisë së Shëndetësisë ia dërguam projektin ia dërguam të dhënat. E çuditshme ishte që nuk kishin informacion, ne kishim ndërtu ndërsa ata nuk kishin informacion për këtë çështje… Megjithatë u hetua që nuk është MSh për këtë çështje por ShSKUK-ja. Ishte dikun në fillim të vitit 2018  ekspertët ligjor e shqyrtuan memorandumin e shqyrtuan kërkesën tonë dhe u përgjigjen pozitiv se kjo mund të ndodh dhe kanë mundësi të marrin pjesë një 10% të investimeve”, tha ai.

Por në fund të vitit 2019, ShSKUK-ja njofton shoqatën se nuk kanë gjetur hapësirë ligjore për transferimin e mjeteve të kërkuara.

Përfaqësuesi i Shoqatës, Shaqir Gashi thotë se parat e mbetura u nevojiten për të kryer disa pagesa dhe se pa to reparti nuk mund të funksionalizohet.

“Pikërisht kjo hapësira ligjore për neve ka qenë interesante se gjithmonë thuhet se në bazë të ligjeve në fuqi. Ne kërkuam t’a kemi nenin, ta kemi saktë me çka me cilin nen nuk lejohet kjo. Mirë ata kishin të drejtë që në memorandum nuk ishte e planifikuar e shkruar se do të marrin pjesë por memorandumi e ka edhe një pikë, neni 5 ku thuhet se marrëveshja në çdo  kohë mund të ndryshohet dhe të adaptohet kështu që në atë pikë besoj që ekspertët ligjorë kanë bazuar”, tha ai.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës tha se nuk  kanë gjetur formë ligjore për dhënien e këtyre mjeteve, ndonëse vullneti dhe dëshira kanë qenë e madhe.

“Vullneti dhe dëshira ka qenë e madhe edhe nga ShSKUK-në për ndihmë dhe funksionalizimin e atij repartit, që është shumë i nevojshëm për fëmijët e Mitrovicës por nuk kemi gjetur formë ligjore se si të ndahet shuma e parave e kërkuar nga Shoqata. Ne jemi organizatë buxhetore dhe për cdo cent të harxhuar duhet të ketë një kod buxhetor dhe të jetë i bazuar në ligj. Ne falënderojmë donatorin për repartin dhe çdo herë komunikimi ka qenë në nivel me të, por nuk kemi gjetur asnjë formë apo mundësi ligjore për ndarjen e rreth 50 mijë eurove, sa ka kërkuar Shoqata për të funksionalizuar repartin”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sot, ky repart përdoret si ‘depo’ e disa shtretërve nga Spitali Rajonal i Mitrovicës, gjë të cilën donatori e quan të tmerrshme.

Të dhënat tregojnë që tetë vite më pas Qeveria e Kosovës ka ndarë 50 mijë euro përmes amendamentit të Projektligjit për Buxhetin për funksionalizimin e këtij reparti.

Ministria e Shëndetësisë tha për KALLXO.com se janë duke trajtuar aspektin ligjor se si të administrohen këto mjete.

“Sa i përket MSH-se, ne ju informojmë se ne amendamentin e buxhetit për projektet kapitale për MSH për vitin 2022, janë ndarë edhe 50 mijë euro me qëllim të mbështetjes së përmbylljes së këtij projekti. Por, MSh me palët e tjera te përfshira, do të trajtojë aspektet ligjore, teknike e procedurale, se si të administrohen këto mjete, duke mos shkelur procedurat e menaxhimit te financave publike”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

KALLXO.com ka kontaktuar me ish drejtorët e ShSKUK, Basri Sejdiun dhe Curr Gjocaj por që të  njëjtit nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zëvendësministrin, Rrustem Musa i cili fillimisht pranoi të intervistohet por që më pas nuk iu përgjigj thirrjeve.