Hajde Flasim Për Qymyr

Fushata për vetëdijesimin mbi pasojat shëndetësore të djegies së qymyrit (kliko këtu për fushatën) është një thirrje për debat kombëtar mbi qymyrin dhe politikat zhvillimore në Kosovë. Shumë qytetarë iu përgjigjen thirrjes, duke menduar për këtë çështje dhe duke i ndarë mendimet e tyre publikisht.

Por disa kolegë të mi, që zakonisht brengosen për të ardhmen e Kosovës dhe në fakt ia kanë dedikuar karrierën e tyre proceseve zhvillimore në Kosovë, e përbuzën fushatën dhe refuzuan t’i përgjigjen ftesës për debat. Drejtori i Riinvest-it, Lumir Abdixhiku, duke e quajtur fushatën “hajgare”, “retarduese” dhe “ahmakllëk”, na e bëri me dije që ai po mendon se ky debat është i panevojshëm. Se shfrytëzimi i qymyrit, pasurisë ma të madhe të Kosovës, nuk ka çka të diskutohet.

Unë kam mendim tjetër.

Qeveria e Kosovës në Strategjinë Energjetike 2009-2012, parasheh ndërtimin e një termocentrali të ri me qymyr, si përgjigje ndaj problemeve energjetike në Kosovë. Kjo ka qenë strategjia e Qeverisë qe 13 vjet. Krejt çka ka ndryshuar gjatë viteve kanë qenë kapacitetet e parapara të këtij termocentrali.

Qe 13 vjet, ky termocentral nuk është ndërtuar. Në vend të ndërtimit të tij, ne kemi vazhduar të derdhim para në termocentralet ekzistuese – më shumë se 1 miliard Euro subvencionim nga buxheti i Kosovës dhe donacionet e huaja. Kemi vazhduar të blejmë rrymë nga Serbia. Kemi vazhduar të thithim ajër shumë të papastër me ndotje shumëfish më të madhe se ndotja e lejuar në BE. Si rezultat i ndotjes, 23 000 fëmijë na sëmurën nga mushkëritë për çdo vjet. Kjo, sipas Bankës Botërore, përkthehet në 100 milionë Euro shpenzime mjekësore që qytetarët kosovarë i paguajnë nga xhepat e tyre.

Qe 13 vjet, humbjet e energjisë në rrjet dhe mospagesa e energjisë mbesin më të lartat në rajon – rreth 40% e tërë energjisë së lëshuar në rrjet. Pse të ndërtojmë kapacitete të reja prodhuese para se të mbyllen vrimat që po e “rrjedhin” energjinë?

Qe 13 vjet, Qeveritë e njëpasnjëshme kanë dështuar ta zgjidhin problemin energjetik të Kosovës. Ndërsa prej neve pritet që ta mbyllim gojën dhe të mos themi gjë. Pritet t’ua falim edhe 13 vjet tjera Qeverive të ndryshme që të eksperimentojnë dhe të dështojnë në realizimin e planeve të pamenduara mirë.

Unë pajtohem me z. Abdixhiku që qymyri është pasuri e madhe për Kosovën. Por, mendoj se si i tillë, është tepër i rëndësishëm që t’i lihet qeverisë te vendosë për të krye në vete. Ne të gjithë duhet të marrim pjesë në vendimmarrjen rreth shfrytëzimit të tij. Dhe kur them ne, unë mendoj të gjithë NE që merremi me pasojat e politikave energjetike në Kosovë. Ne sindikatat. Ne shoqatat e mjekëve. Ne qytetarët e Hades. Ne punëtorët e minierave. Ne qytetarët pa rrymë në Obiliq. Ne inxhinierët. Ne punëtorët e KEK-ut. Ne shoqatat bujqësore.

Fushata nuk po kërkon të zëvendësohet qymyri me panele solare edhe mullinj të erës (edhe pse s’kishte qenë hiq keq!). Fushata po kërkon debat kombëtar mbi mënyrën se si jemi duke ju qasur politikave energjetike. Opsioni i vetëm nuk duhet të jetë ndërtimi i termocentralit të ri. Nëse del që ky është opsioni i vetëm atëherë ta shohim se sa po na kushton me të vërtetë. Sa po na kushton në ndotje të ajrit, në ndotje të ujit, në dëmtim të tokave bujqësore, në humbjen e vendeve të punës pas privatizimit, në zhvendosjen e njerëzve nga tokat e parapara për mihje. T’i qitet lapsi mirë kësaj pune dhe të vlerësohet se sa po na kushton energjia nga qymyri. Sepse na ka kushtuar shumë deri tash e do të na kushtojë edhe më shumë në të ardhmen.

Sa do të na vijnë faturat e rrymës kur energjinë ta blejmë nga një kompani private, e cila do ta ndërtojë termocentralin e ri dhe dëshiron të nxjerrë fitim? Tarifat e rrymës do të fillojnë ta reflektojnë shitjen e distribucionit në vitet e ardhshme – ashtu thuhet në kontratën e nënshkruar mes Qeverisë dhe konsorciumit që e bleu distribucionin.

Me secilin privatizim, tarifat do të rriten. Me të hyrat e ulëta familjare në Kosovë, rryma do të bëhet produkt luksoz dhe si pasojë, krejt ideja që me zhvillimin e sektorit energjetik do të ketë zhvillim ekonomik do të vihet në pyetje nëse energjia bëhet papërballueshëm e shtrenjtë.

Fushata po kërkon që të flasim për të gjitha këto gjëra, para se të vendosim për rrugën që do ta marrim në të ardhmen. Para se të ndërtohet një termocentral i ri, fushata po kërkon të mendohet mirë për të gjitha opsionet energjetike. Nuk po kërkon fushata që të zgjidhet në mes të qymyrit dhe paneleve solare. Strategjia energjetike e Kosovës duhet ta ngërthehej edhe qymyrin, edhe panelet solare, edhe përmirësimet në rrjet, edhe inkasimin, edhe ndërtimin e linjës përçuese me Shqipërinë.

Aspektet ekonomike, shëndetësore dhe sociale janë thelbësore gjatë diskutimit të politikave energjetike. Dhe për këto aspekte nuk duhet që Qeveria të na tregojë se çka dëshiron ajo të bëjë. Por të na dëgjojë se si mendojmë ne se ato duhet të adresohen. Askush më mirë se qytetarët e Obiliqit nuk e dinë se sa poshtëruese është kur atyre iu ndalet rryma për ditë, e në të njëjtën kohë askush nuk ua blen produktet bujqësore se i kanë të kontaminuara nga hiri i termocentraleve.

Fushata po kërkon debat kombëtar për qymyrin dhe politikat zhvillimore në Kosovë. Unë shpresoj se të gjithë do t’i përgjigjemi ftesës dhe të marrim pjesë në këtë debat, me mendje të hapur, duke i argumentuar pozicionet tona me fakte dhe duke e pasur parasysh një të ardhme më të mirë për Kosovën.