Haga s’e Ndal Gjyqin e Serbit të Bosnjës

Dhoma e Apelit tha se Gvero, i cili u dënua me vendim të shkallës së parë për krime lufte të kryera në Srebrenicë në vitin 1995, është shëruar mjaftueshëm nga paraliza që pati dy vjet më parë.

“Dhoma e Apelit është e kënaqur që Gvero ka aftësinë të kuptojë përmbajtjen e gjyqit kundër tij, të kuptojë procesin e apelit dhe pasojat e tij të mundshme, të kuptojë përmbajtjen e bazave të prokurorisë në apelin kundër tij dhe të udhëzojë avokatin e tij mbrojtës në lidhje me ngritjen e një apeli në emër të tij”, thuhet në vendimin e Tribunalit.

Gvero, i cili ishte ndihmëskomandant i ushtrisë serbe të Bosnjës për “çështje morale, ligjore dhe fetare” në shtabin qendror, u dënua me pesë vjet burgim në vitin 2010 për përfshirjen e tij në dëbimin e popullatës joserbe nga Srebrenica, në korrik të vitit 1995.

Ai u dënua për pjesëmarrje në një aksion të përbashkët kriminel që rezultoi gjithashtu në vrasjen e më shumë se 7 000 burrave dhe djemve.

Gveros iu dha lirim i parakohshëm, pasi vuajti dy të tretat e dënimit.

Prokuroria ka apeluar se dënimi me pesë vite burgim është tepër i shkurtër, por procedurat u pezulluan kur Gvero pati paralizë.

Avokati i tij mbrojtës ka kërkuar që procedurat të ndalen tërësisht, por Tribunali ka vendosur se i pandehuri është mjaftueshëm i shëndetshëm për të vazhduar me rastin.