Festivali i kafes në Mitrovicë, Foto: CBM

“Festivali i Kafes” modeli që synon përafrimin në Mitrovicë

Mitrovica është njëri nga qytetet me probleme të mëdha të tensioneve etnike dhe vendeve ku grupet ekstremiste janë strehuar.

Zona që dikur ishte një qytet dhe popullohej nga shqiptarë e serb  sot është ndarë në dy qytete ku komunitetet jetojnë të ndara dhe me pak komunikim.

Ndarja e qytetit kishte lënë pas varfërinë dhe zhvillimin ekonomik.  Sipas raportit të Prevex zona ka potencial të madh të radikalizmit të shoqërisë për shkak të problemeve etnike por edhe të ekzistimit të grupeve radikale islamiste të cilat në vitet e fundit nga kjo zonë kishin rekrutuar disa dhjetëra luftëtarë që shkuan në Siri dhe Irak.

Dy komunat ajo e Mitrovicës së Jugut dhe e veriut nuk komunikojnë shumë në mes vete mirëpo një nismë nga shoqëria civile ka bashkuar javët e fundit qytetarët në një festival që për shumë qytetet të botës është i zakonshëm.

Festivali i kafes mori vëmendje para disa javësh për organizimin dhe idenë e cila pretendonte të mblidhte të gjithë qytetarët pa dallim, përkatësie, etnie apo feje të merrnin pjesë në të.

Një aktivitet i tillë u zhvillua në një lokacion i cili sipas organizatorëve njihet për telashe të mëdha, ura e Ibrit që ndan Mitrovicën në dy pjesë, veri dhe jug.

Festivali i kafes në Mitrovicë, Foto: CBM

Drejtoresha e CBM- Community Building Mitrovica, Afërdita Sylaj në një bisedë me KALLXO.com ka rrëfyer idenë e këtij festivali duke shtuar se një gjë të tillë e kishin menduar shumë më herët.

“Të huajt që kanë ardhur në Kosovë, gjithmonë thonin se kafja më e mirë këtu në Kosovë dhe atëherë kemi menduar në CBM kemi diskutu që është mirë me bo diçka me promovu kafen dhe me përdor si mjet për me i mbledh qytetarët bashkë”- thotë Sylaj deri sa shton se problemet në të kaluarën që kanë ndodhur sidomos në pjesën e Mitrovicës kanë bërë që lokacioni të zgjidhet pikërisht ura e Ibrit.

Sylaj thotë se “Festivali i Kafes” tashmë ka qenë vend në kalendarin vjetor të Komunës së Mitrovicës dhe në fillim të vitit të ardhshëm do të nisin përgatitjet për edicionin tjetër.

“Këtë herë [Festivali i Kafes] ka zgjat vetëm një ditë sepse e kemi zhvillu si test me pa se si shkon, i ka tejkaluar pritjet tona, kanë ardhur njerëz përveç atyre që kemi ftu, ka pasur shumë njerëz të vendeve të ndryshme e kanë pritë festivalin shumë mirë”- shpjegon tutje drejtoresha e CBM.

Festivali i kafes në Mitrovicë, Foto: CBM

Pjesëmarrja e komunitetit në një aktivitet të tillë pa dallim përkatësie është vlerësuar pasi është kërkuar të zhvillohet prapë si festival edhe në qytete të tjera.

“Përveç kafes ka pasur edhe ushqime, tradicionale. e kemi promovu edhe ushqimin në Mitrovicë”- tregon për organizimin Sylaj deri sa jep detaje se në krijimin e një atmosfere muzikore u përkujdesën bende të ndryshme të cilat ishin të përziera kryesisht me shqiptarë, serbë, boshnjak e romë.

“Targeti jonë kanë qenë qytetarët e Mitrovicës, të jugut dhe veriut por jo vetëm, kushdo që ka dashur të bashkangjiten. Për ne ka qenë me rëndësi me i mbledh qytetarët e veriut dhe jugut bashkë ne një vend dhe me i harru ato brengat e përditshme me i harru ndasitë me njohtë njëri- tjetrin më mirë”- shpjegon Syla.

Festivali i kafes në Mitrovicë, Foto: CBM

Qyteti i Mitrovicës njihet edhe për persona të cilët tashmë janë rikthyer nga zonat e konfliktit për tu ri- integruar në Kosovë e edhe për incidente ndëretnike.

Syla thotë se aktivitetet e tilla ndihmojnë komunitetin të qëndrojnë larg dukurive negative dhe të fokusohen në ri- integrimin e tyre në shoqëri e punë.

“Kur e kemi bë festivalin e kafes ne e kemi mendu edhe çështjen se kafja a do t’i bashkonte të gjithë, pa marrë parasysh komunitetin. E kemi mendu edhe atë që kafja nuk ka alkool, kafen e kanë të gjithë në shtëpi, ne kemi mendu që festivali i kafes i sjell edhe ata (persona që kanë rënë ndesh me idetë radikale apo kanë shfaq shenja në të kaluarën apo dukuri negative)”- shpjegon Sylaj deri sa tregon se në ekipin e vullnetarëve që kanë ndihmuar në këtë aktivitet ka qenë edhe një vajzë e cila praktikonte fenë islame.

Festivali i Kafes, Drejtoresha e CBM, Afërdita Syla, Foto: CBM

“Ka qenë një vullnetare në këtë festival që ka qenë e mbuluar, na kanë pyetur që a mund të jetë pjesë vullnetare, patjetër që mundet me qenë. Po cdo njeri ka qenë i mirëseardhur dhe kemi i ftu”- tregoj drejtoresha e CBM, organizatë kjo që zhvilloi “Festivalin e Kafesë”.

Sylaj pretendon se për derisa qytetarët kanë vullnet që të bashkangjiten në këto aktivitete paraprakisht është një impakt i cili është zhvilluar nga aktivitetet e mëparshme.

“Aktivitetet e tilla kanë shumë impakt, ne marrim përshtypje pozitive prej të gjithëve për këto aktivitete dhe atë çka kemi pa është që njerëzit nuk hezitojnë me marrë pjesë në aktivitete që zhvillohen, pra duhet me pas një impakt për derisa njerëzit i përgjigjen pozitivisht këtyre aktiviteteve”- vazhdon të tregoj për këto aktivitete Sylaj.

Festivali i kafes në Mitrovicë, Foto: CBM

“Asnjë komunitet nuk e kemi përjashtu mu për atë e kemi zgjedh kafen”- tregon Sylaj duke shtuar se në Mitrovicë ka nisur një ngjallje në aspektin kulturor edhe sportiv, e kjo më pas ka bërë që qytetarët të marrin pjesë në këto aktivitete.

“Këso lloj aktivitetesh do të duhej të ndodhnin në çdo qytet. Po shpresoj që do të jetë një model edhe për vendet e tjera”- përfundon bisedën Sylaj.

Festivali i kafes në Mitrovicë, Foto: CBM

Organizata të ndryshme jo qeveritare zhvillojnë aktivitete të ndryshme për shoqërinë në mënyrë që tu japin hapësirë qytetarëve të bëhen pjesë e këtyre aktiviteteve dhe të largohen nga dukuritë negative.

Institucionet në Kosovë tash e disa vite janë duke punuar në ri- integrimin e personave të cilët janë rikthyer nga zonat e konfliktit në Siri e Irak.

Një punë e tillë është kryer paralelisht edhe me organizata të ndryshme të cilat funksionojnë në Kosovë.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ka mbajtur prej disa muajsh aktivitete e trajnime të ndryshme me zyrtarë e komunitet nëpër komuna të ndryshme për të mësuar rolin në shoqëri në procesin e ri-integrimit të personave që kanë rënë ndesh me dukuritë negative.