Ilustrim - Arkiv

Modeli i Mitrovicës së Jugut në parandalimin e ekstremizmit dhe trajtimin e të rikthyerve nga zonat e luftës

Me një numër të madh të të rikthyerve nga zonat e luftës, por edhe me numër të madh të personave që kanë rënë në kontakt me ide radikale e ekstreme, Kosova përballet me fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Vite më parë institucionet e vendit të papërgaditura për t`u marrë me këtë problematikë nisën të pilotonin modele të ndryshme të cilat mund t`i ofronin zgjidhje problemit.

Të dhënat tregonin që problemet kryesore me mungesën e kapaciteteve institucionale ishin në parandalimin e ekstremizmit, por edhe në trajtimin e personave që kanë rënë pre e ideve radikale ekstremiste.

Në vitet e pasluftës niveli komunal ishte kompetent të merrej me programet sociale edukative e kulturore të cilat llogaritet të jenë thelbësore në trajtimin e këtyre problemeve.

Lënia anash dhe mungesa e prioritizimit në nivelin lokal bëri që një pjesë e kompetencave të barten tek niveli qendror. Centralizimi edhe pse i suksesshëm në vitet e para sërish ka nisur të shihet si problem për shkak të mungesës së resurseve.

Si rrjedhojë qeveria e vendit është duke paraparë që sërish të nisë e decentralizimin e kompetencave.

Pilotimi i delegimit të kompetencave ka nisur të bëhet në Mitrovicë, ku është filluar me modelin e decentralizuar i cili përfshinë autoritetet lokale në trajtimin e problemit.

Për këtë arsye në Mitrovicë e Jugut është hartuar një plan i aktiviteteve të nivelit lokal i cili synon që aktivitetet në parandalim dhe ri-integrim të kryhen nga niveli lokal.

“Plani ka fokus në ngritjen e kapaciteteve të nivelit lokal dhe shkëmbimin e praktikave më të mira për qasje dhe trajtim të këtyre familjeve”, thuhet në përgjigjet e MPB-së për KALLXO.com.

Tutje të njëjtit thonë se aktualisht implementimi i strategjisë komunale është në fazën e ngritjes së kapaciteteve të mekanizmit të sigurisë në komunë.

Përveç kësaj Ministria e Punëve të Brendshme po bashkëpunon edhe me disa Organizata jo qeveritare për të implementuar aktivitetet që janë të planifikuara në strategji.

Aktualisht sipas MPB-së këto OJQ janë duke punuar me aktivitetet me familjet e të ri- atdhesuarve.

Programi i përfshirë në strategjinë lokale apo komunale të MPB-së, ofron ri-integrim të qëndrueshëm.

“Programi ndihmon Komunën të menaxhoj këto raste pa u dëmtuar procesi dhe personat e cenueshëm do të adresohen sipas kërkesës dhe nevojës së tyre për të zhvilluar mendimin kritik tek të rinjtë dhe ndihmon familjet për t`u pavarësuar nga ndihma sociale përmes trajnimeve profesionale të mbështetura me grante në bazë të shkathtësive të fituara nga këto trajnime”, thuhet në përgjigjet e MPB-së.

Një sukses tashmë është i shënuar në regjistrat e MPB-së nga kjo strategji komunale e nisur në Mitrovicë.

“Përmes këtij komunikimi MPB-CBM është arritur të ofrohet në nivel lokal mësim mbështetës të gjuhës shqipe për fëmijët jetim të riatdhesuar nga Siria, po ashtu ore plotësuese dhe ofrim të ndihmës nga e njëjta mësuese në lëndët tjera sipas plan programit të Shkollës (mësuesja gjithashtu është aktive në sistemin edukativ publik), dhe kjo ndihmon fëmijët të mos stigmatizohen dhe paragjykohen nga shoqëria”, thuhet në përgjigjet e MPB-së.

Në anën tjetër organizata ‘Community Building – Mitrovica’ (Zhvillimi i komunitetit në Mitrovicë – CBM) tashmë vetëm se ka filluar që të implementojë strategjinë me disa aktivitete të ndryshme.

Drejtoresha CBM, Afërdita Syla në disa përgjigje për KALLXO.com ka njoftuar se strategjia është miratuar në mars të vitit 2020, ndërsa në atë kohë për shkak të pandemisë por edhe vullnetit politik ishte shtyrë implementimi i të njëjtës strategji.

Syla përmend faktin se janë duke bashkëpunuar edhe me Drejtorinë për Shpëtim dhe Emergjencë në Komunën e Mitrovicës.

Disa nga aktivitetet që po zhvillon kjo organizatë aktualisht janë edhe krijimi i klubeve të debatit në të gjitha shkollat e mesme, ofrimi i psikologëve në gjashtë shkolla të mesme, krijimi i grupeve punuese kundër ekstremizmit të dhunshëm nëpër shkolla, si dhe krijimi i forumeve komunale për të promovuar tolerancë dhe dialog fetar.

Te masat afatmesme CBM ka paraparë edhe trajnimin e mësimdhënësve në të gjitha shkollat e mesme në Mitrovicë të Jugut se si t’i përgjigjen ekstremizmit të dhunshëm.

Një aktivitet tjetër të cilin ka potencuar CBM se do të implementohet si masë afatgjate, dhe edhe krijimi i një qendreje familjare për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm brenda strukturave të komunës, krijimi i një qendre të resurseve arsimore online kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe identifikimi i platformave në mediat sociale dhe faqet e internetit që promovojnë gjuhë të urrejtjes dhe dhunën duke përdorur doktrinën fetare.

Si sukses, CBM paraqet aktivitetet që kanë mbajtur në trajnimin e mësuesve, disa prindërve dhe përfaqësuesve të komunitetit për ekstremizmin e dhunshëm.

KALLXO.com javë më parë kishte njoftuar se Ministria e Arsimit kishte mbajtur disa seanca informuese për më pak se 10 për qind të mësimdhënësve në Kosovë.

Drejtoresha e CBM, Afërdita Syla tregon se në hartimin planit të aktiviteteve të strategjisë komunale kanë marrë pjesë mbi 90 persona përmes punëtorive të ndryshme.

“Si rezultat ky plan është ndërtuar mbi premisën se parandalimi efektiv i ekstremizmit të dhunshëm në mesin e të rinjve kërkon angazhim në tri dimensione kryesore: Shkollat​​e mesme, Familja dhe Institucionet komunale, fetare dhe shoqëria civile”, thotë Syla, duke shtuar edhe se punëtoritë janë mbajtur me mosha të ndryshme nga 15 deri në 25 vjeç, si dhe me lider fetar, zyrtar komunal si dhe organizata të ndryshme.

Syla përmend se strategjia komunale nuk e sheh ekstremizmin e dhunshëm si të frymëzuar vetëm nga feja ose nga një religjion i veçantë, por beson se kjo është një sfidë komplekse që mund të frymëzohet edhe nga politika, përkatësia etnike, dhe faktorë të tjerë.

“Kjo strategji gjithashtu nuk ofron një përgjigje ndaj këtij fenomeni bazuar në siguri, por në përputhje me përgjegjësitë e dhëna institucioneve komunale nga Ligji për Vetëqeverisje Lokale, propozon një sërë masash për të adresuar faktorët që tërheqin dhe shtyjnë të rinjtë në ekstremizëm të dhunshëm”, shton ajo.

Sipas saj një faktor që të rinjtë të jenë të ekspozuar ndaj ekstremizmit në Mitrovicë  është edhe papunësia.

“Kjo Strategji u zhvillua nga një grup pune ad-hoc i përbërë nga përfaqësues të komunës së Mitrovicës Jugore, shoqërisë civile, udhëheqësve fetarë, përfaqësuesve të shkollave të mesme, përfaqësuesve të nxënësve, dhe prindërve. Rrjedhimisht ky dokument përfaqëson një konsensus të fortë mbi masat e nevojshme komunale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm”, shpjegon rolin e strategjisë Syla.

Ajo tregon se një strategji e tillë i mundëson komunës që në mënyrë efektive të zbatojë aktivitetet për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm brenda fushave të përgjegjësisë, në përputhje me legjislacionin dhe politikat kombëtare dhe me qëllim të plotësimit të përpjekjeve ekzistuese nga institucionet e nivelit qendror.

Përveç aktiviteteve në parandalim, strategjia komunale parasheh edhe rehabilitimin dhe ri-integrimin e personave të rikthyer nga zonat e konfliktit.

Për rehabilitim e ri-integrim CMB ka paraparë krijimin e një qendreje për familjet e prekura nga ekstremizmi i dhunshëm, rritjen e mbështetjes për shoqërinë civile për të zbatuar projekte që trajtojnë të rikthyerit dhe familjet e tyre si dhe ofrimin e këshillave të vazhdueshme për familjet që kërkojnë ndihmë për të çliruar anëtarët e tyre nga ekstremizmi i dhunshëm.

Në Kosovë tashmë më shumë se 100 persona janë rikthyer nga zonat e konfliktit në Siri e Irak.

KALLXO.com në disa hulumtime të publikuara ka treguar për sfidat e institucioneve dhe nivelit lokal për të trajtuar këta të rikthyer dhe familjarët e tyre.

Gjatë vitit të kaluar KALLXO.com pati raportuar se si punëtorët social e mësimdhënësit nuk patën trajnime adekuate se si të trajtonin të rikthyerit nga zonat e luftës.

Në anën tjetër KALLXO.com tash e disa kohë po raporton edhe për modele të ndryshme që janë ndërmarrë nga Ministria e Punëve të Brendshme për të rehabilituar apo ri-integruar të rikthyerit kryesisht gratë dhe fëmijët duke implementuar aktivitete të ndryshme.

Një nga modelet është edhe vet-punësimi i grave të rikthyera nga Siria e Iraku të cilat përmes trajnimeve të mbajtura për rrobaqepësi do të fillojnë që të rigjenerojnë të ardhura për veten dhe familjet e tyre.