Epoka e pas Luftës së Ftohtë ka përfunduar

Presidenti Joe Biden ndodhet në Evropë për të inauguruar epokën e pas Luftës së Ftohtë.

Për herë të parë në të paktën 30 vjet, një president i SHBA-së vjen në kontinentin evropian i tronditur nga agresioni rus dhe i shqetësuar nga një rikthim i rrezikut bërthamor. Perëndimi po mban gjithashtu zi për iluzionin e tij tashmë të shkatërruar se kishte hyrë në një epokë paqeje të përhershme.

Vizita e Biden për t’iu drejtuar udhëheqësve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian në Bruksel dhe udhëtimi i tij në Poloni, shtet ky pararojë i NATO-s, do të nënvizojë faktin se si bota ndryshoi – ndoshta në mënyrë të pakthyeshme – sapo tanku i parë rus u fut brenda kufirit të Ukrainës katër javë më parë.

Për tri dekada që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, presidentët kanë udhëtuar në Evropë dhe i kanë idealizuar fitoret e Perëndimit mbi nazizmin dhe komunizmin. Duke qëndruar mes të vdekurve amerikanë në një varrezë të Luftës së Dytë Botërore në Ditën D në Normandi ose duke folur në një shesh idilik të qytetit në Pragë ose Varshavë, komandantët e përgjithshëm të SHBA-së shpesh i kanë quajtur lidhjet transatlantike të palëkundura dhe të përhershme.

Megjithatë, vitet e fundit, dukej sikur presidentët dhe audienca e tyre po kalonin përmes një situate emocionale. Vdekja e Gjeneratës më të Madhe e shkëputi fijen emocionale të kujtesës midis amerikanëve dhe evropianëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kanë kaluar më shumë se tri dekada që kur evropianët u detyruan edhe një herë të shqetësoheshin për strehimoret dhe njerëzit të cilët ende i kanë kujtimet e freskëta nga Lufta e Ftohtë tani janë të moshës së mesme. Udhëheqësit evropianë e fituan dividenden e tyre të paqes në sistemet e kujdesit shëndetësor dhe i neglizhuan ushtritë e tyre. Dhe Shtetet e Bashkuara e panë Azinë teksa rritej si dhe rivalin e saj, superfuqinë e ardhshme, Kinën.

Një alarm gjeopolitik

Ato lidhje të palëkundura – dhe arsyeja për to – nuk dukeshin më aq të rëndësishme, apo të nevojshme, në epokën pa kufij të Instagramit, veçanërisht kur rusët, që rrallë herë shiheshin si armiq 40 vjet më parë, tani në shumë vende shihen si therrë në sy, si p.sh. në Londër dhe Nice.

Por presidenti rus Vladimir Putin, duke ushqyer pakënaqësitë kur e vëzhgoi rënien e komunizmit nga Gjermania Lindore si një oficer i KGB-së dhe i fiksuar pas ringjalljes së madhështisë ruse, ndryshoi gjithçka. Në këtë proces, ai i kujtoi Perëndimit se për çfarë shërbente, duke i shkundur qeveritë si ajo e Gjermanisë nga vetëkënaqësia e tyre pas Luftës së Ftohtë dhe dëshmoi se Shtetet e Bashkuara janë ende serioze në lidhje me aleancën transatlantike.

Një Perde e re Hekuri ka zbritur në Evropë – këtë herë një virtuale e sanksioneve ekonomike që i ka ndërprerë lidhjet ajrore, i ka konfiskuar paratë e oligarkëve dhe i ka mbyllur Starbucks, dyqanet Apple dhe garat e Formula 1 në Rusi. NATO-ja po i nxit grupet e betejës drejt shteteve të vijës së parë si Hungaria, Rumania, Bullgaria dhe Sllovakia. Aleanca është e përfshirë në një luftë të befasishme me Rusinë në Ukrainë, duke dërguar qindra raketa antitank dhe kundërajrore drejt forcave të Presidentit Volodymyr Zelensky. Masakra e egër mbi civilët dhe breshëritë e shkatërrimit të qyteteve nga Rusia në Ukrainë si dhe eksodi i miliona refugjatëve në Evropë janë, ndërkohë, duke i bërë jehonë pasazheve më të këqija të historisë së shekullit të 20-të të ngopur tashmë me gjak të kontinentit evropian. Në varësi të këndvështrimit tuaj, Perëndimi dhe Rusia po e bëjnë tani luftën e fundit të Luftës së Ftohtë ose të parën në një epokë të re konfrontimi pasi autokracitë si Moska dhe Pekini po e formojnë një front të gjerë armiqësor kundër demokracisë së stilit perëndimor.

“Nëse Putini largohet nga ky agresion me disa përfitime, atëherë ai ka të ngjarë ta provojë këtë përsëri – kundër Ukrainës, kundër të tjerëve, ai ka të ngjarë të vazhdojë tutje. Kështu që ai duhet të mposhtet absolutisht,” Jonatan Vseviov, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë e Punëve të Jashtme të Estonisë, tha për CNN në Uashington të mërkurën.

Ose siç tha Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel në një intervistë me Christiane Amanpour të CNN: “Ne duhet të sigurohemi që Putini do të mposhtet… Kjo është një çështje sigurie, për të ardhmen e Evropës dhe të ardhmen e botës. “

Vizita e Biden është një pikë kthese historike

Kjo është arsyeja pse vizita aktuale e një presidenti amerikan – ende garantuesi përfundimtar i sigurisë evropiane gati 80 vjet pas Luftës së Dytë Botërore – është kaq me rëndësi. Vizita e Biden duket si strumullari kryesor në histori. Në këtë epokë të re, Perëndimi do të përpiqet përsëri ta pengojë dhe ta frenojë Rusinë, ndërsa ajo kërkon ta forcojë luftën e Ukrainës, një vend jo-anëtar të NATO-s, për demokraci dhe pavarësi, duke shmangur një përplasje të drejtpërdrejtë me Rusinë që mund ta prvokojë një luftë bërthamore.

Kjo duket si sfida më e madhe strategjike me të cilën përballet Perëndimi, të paktën për sa kohë që Putini është në pushtet – pavarësisht se si përfundimisht përfundon lufta në Ukrainë. Dhe nuk ka asnjë garanci se një Rusi pas Putinit do të ishte më simpatike ndaj Perëndimit, veçanërisht nëse ndëshkimi i sanksioneve paragjykon më tej elitën e pushtetit dhe rusët e zakonshëm kundër Amerikës dhe Evropës.

Veprimet e jashtëzakonshme nënkuptojnë se misioni i Bidenit krahasohet me udhëtimet presidenciale që përkonin me pikat e kthesës në Luftën e Ftohtë. Atëbotë, këto pika kthese përfshinin takimin e parë të Presidentit Ronald Reagan me liderin e fundit sovjetik, Mikhail Gorbachev, në Vjenë në nëntorin e vitit 1985, i cili nisi një zinxhir ngjarjesh që përfundimisht i dhanë fund Luftës së Ftohtë. Pati shumë udhëtime me rëndësi presidenciale në Evropë gjatë përballjes midis sovjetikëve dhe perëndimit. Por Biden-i gjithashtu meriton të përmendet në të njëjtën frymë si udhëtimi i vitit 1961, kur presidenti John Kennedy mori pati një paraqitje të frikshme në kryeqytetin austriak nga udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushovi, që pasoi me shkaktimin e krizës së raketave kubane vitin pasues – një nga momentet më të afërta kur bota ishte afër një Armagedoni bërthamor.

Shkrirja e unitetit të aleancës

Misioni i Bidenit nuk është vetëm i pasur me simbolikë. Ai përfaqëson shansin e tij më të mirë ende për ta shkrirë unitetin e papritur të qëllimit në aleancë – kundër të cilit Putini vendosi qartë bast – në një qëndrim më të përhershëm për t’u përballur me Rusinë në një luftë në Ukrainë që nuk ka sfera të qarta dhe mund të zvarritet për muaj. Biden dhe homologët e tij evropianë e dinë se Putini do të jetë në gatishmëri edhe për shenjat më të vogla të ndarjes se çfarë të bëjë më pas.

Megjithatë, negociatat e vështira po shfaqen për shtrëngimin e sanksioneve – veçanërisht për dëshirën e SHBA-së për të parë që fuqitë kryesore të BE-së po largohen nga burimet ruse të energjisë nga të cilat ata varen dhe që bën që paratë perëndimore të derdhen në Moskë pavarësisht sanksioneve më rigoroze të vëna në jetë.

Biden u largua nga Uashingtoni të mërkurën duke paralajmëruar se me bllokimin e avancimit të këmbësorisë së Rusisë, Putini mund të vendosë përdorimin e armëve kimike në Ukrainë. Vendet perëndimore do të duhet të vendosin se si do t’i përgjigjen një përshkallëzimi të tillë – dhe nëse do të ketë ndonjë ndryshim në vendosmërinë e Perëndimit për të mos u përballur drejtpërdrejt me Rusinë në Ukrainë. Ndërkohë, Zelensky pritet t’i bëjë thirrjet e tij më të fundit shumë efektive për më shumë ndihmë nga Perëndimi, pasi rezistenca heroike e vendit të tij i shtyn forcat ruse të bombardojnë gjithnjë e më shumë civilët.

Normalisht, samitet ndërkombëtare janë çështje të shkruara që ekzistojnë në flluska të sigurisë së lartë në të cilat pjesa tjetër e botës duket e largët. Por fotografitë e vazhdueshme të masakrës civile në Ukrainë dhe gënjeshtra e sulmit të Putinit ndaj një vendi të pavarur dhe sovran do ta bëjnë këtë samit më të ndryshëm. Frika se si Putini do të reagojë në rast se mbështetet për muri veçanërisht duke pasur parasysh paralajmërimin e tij bërthamor më herët gjatë krizës, do t’i vë në fokus po ashtu mendjet e liderëve.

Historia u dha atyre një paralajmërim ndërsa përgatiteshin të niseshin për në Bruksel.

Një 96-vjeçar i mbijetuar i Holokaustit, Borys Romanchenko, u vra të premten në qytetin ukrainas të Kharkiv. Romanchenko i mbijetoi kampet Buchenëald, Peenemünde, Dora dhe Bergen-Belsen gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por ai nuk mundi t’i shpëtonte breshërisë monstruoze të Putinit.

Vdekja e tij jo vetëm që ekspozon gënjeshtrën mizore të liderit rus se ai po bën një luftë për ta sjellë “denazifikimin” e Ukrainës; ai po i vë në dijeni liderët perëndimorë se ata po përballen me një moment të plotë vicoz  në betejën e ringjallur të Evropës midis tiranisë dhe lirisë./CNN